Namazi i xhumasë në xhaminë e fshatit Bardhej
(Shkodër,
e xhuma, më 20 shkurt 2009 )
Të xhumanë e tretë të këtij muaji, thirrësi islam Muhamed Sytari
ligjëroi nga minberi i xhamisë së fshatit Bardhej.
Ndonëse në kushte jo optimale klimaterike, për arsye të
temperaturave të ulëta të ditëve të fundit, xhamia ishte e
mbushur me besimtarë të moshave të ndryshme.
“Fillimisht, i lutem All-llahut për mirëqenien dhe begatinë e
secilit prej jush! Atij i lutem të zbresë mëshirën dhe mirësinë
e Tij për banorët e krejt fshatit tuaj!”- filloi hytben e tij
thirrësi islam Muhamed Sytari.
Në brendësi të saj, ai hodhi dritë mbi shefaatin e
Resulull-llahit përmbi gjynahqarët e ymetit të tij, në
ditën e gjykimit.
Nëpërmjet argumenteve të bollshme, ai tregoi rëndësinë dhe
gradën e lartë që ka Resulull-llahi (a.s) te Krijuesi i
gjithësisë dhe privilegjin e madh që i ka bërë Ai, më të
dashurit të krijesave të Tij, shefaatin.
“Argumentet e shumta që vërtetojnë ndërmjetësimin e Resulull-llahit
alejhis-selam për çdo musliman që nuk i bën shirk All-llahut, në
ditën e gjykimit, na nxisin ta duam me gjithë zemër profetin
tonë! Të gjithë duhet të ndjehemi krenarë që jemi pasuesit e
tij! Të gjithë duhet ta falënderojmë Zotin që na bëri nga ymeti
i më të dashurit, më të plotit, më të madhit e më të afërtit
njeri me Mëshiruesin!”- ka thënë ai.
Nëpërmjet hytbes së kësaj xhumaje, Sytari ka nxitur shtimin e
salavatit përmbi të dërguarin mëshirë për botrat, duke
argumentuar se ata që e shtojnë salavatin përmbi Zotërinë e tij,
sidomos ditën dhe natën e xhuma, do të përfitojnë shefaatin e
tij në ditën e gjykimit!
Pas faljes së namazit të xhumasë, thirrësi islam Muhamed Sytari,
ka bërë edhe duanë në gjuhën shqipe, si një traditë e tij, në
formë e në kohë.
Përqafimet dhe urimet e përzemërta ishin kurora e kësaj xhumaje
në xhamnë e fshatit Bardhej.
V. Mehmeti
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|