ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Në gjurmët e mëshirës së All-llahut

(Shkodër, e xhuma, më 12 dhjetor 2008) 

Nëpërmjet minberit të xhamisë së Tophanës, në xhumanë e dytë të muajit dhjetor, hatibi i kësaj xhamie, thirrësi islam Muhamed Sytari, ka folur rreth llojeve të njerëzve që përfitojnë mëshirën e All-llahut (xh.sh).

Në hytben e tij të katërt rreth kësaj teme, ai ka përmendur njerëzit e thelluar në dituri dhe durimtarët.

Nëpërmjet një hytbeje të mbushur me argumente të shumta nga Kur’ani, hadithi dhe tregimet e ndryshme nga jeta e të parëve tanë muslimanë, ai ka zbërthyer më së miri këtë temë.

Nëpërmjet ajeteve të shumta dhe haditheve, kuptojmë sesi Islami e ka marrë për dore njeriun drejt kërkimit të dijes, për të qenë më i miri dhe më i dobishmi i krijesave. Imam Aliu (r.a) thoshte: “Më i padituri i njerëzve, është më i pavlefshmi në mesin e tyre”!

Jo vetëm ajetet e para të zbritura, por edhe shumë të tjera që i pasuan ato, u bënë shtysa kryesore që muslimanët e parë të vërshonin drejt kërkimit të dijes, të etur për të zbatuar urdhëresat hyjnore në lidhje me këtë kërkesë, në zbatim të konstatimit profetik: “E mira e kësaj bote dhe e ahiretit është me dijen dhe e keqja e kësaj bote dhe e ahiretit është me injorancën!”.

Nga ana tjetër, durimi i njeriut në rast vështirësie, fatkeqësie e të ngjashme me to, është shenjë e qartë e besimit dhe bindjes në përcaktimin hyjnor të gjërave nga Zoti. Muslimani që e pret vështirësinë me reagime xhahile dhe injorancë, shpesh prezente në shoqërinë tonë, dëshmon qartë sëmundjen e tij në besim dhe në kulturën islame! Nga Enesi (r.a) është transmetuar se: “Ai që rreh kofshën në momentin e fatkeqësisë, i zbret vlera e punës së mirë…”, për të na mësuar që t’i përballojmë me qetësi e bindje të papriturat e kaderit”- ka thënë ndër të tjera ai.

Shkodër, e xhuma, më 12 dhjetor 2008Si zakonisht, para ezanit të mesditës, thirrësi islam Lavdrim Hamja, ka vazhduar me dersin e xhumasë në lidhje me mësimet e namazit dhe llojet e tij, nga librat e dijetarit të shquar islam shkodran, H. Vehbi S. Gavoçi.

Pyetjet e shumta në lidhje me tematikën e dersit, ia kanë shtuar edhe më shumë vlerën dhe dobinë atij, duke e bërë në këtë mënyrë një traditë shumë të dobishme, që ka marrë jetë para shumë kohësh në xhaminë e Tophanës.

 

Ahmed Mahiri