Xhamia e re
e Tophanës - Shkodër
(Shkodër, më 05 prill 2009)
Në muajin
korrik të vitit 1996, pas përpjekjesh të shumta nga ana e
myftinisë Shkodër, falë edhe ndihmesës dhe donacioneve bamirëse
të shoqatës “Islamic Relief”, me qendër në Birmingham të
Mbretërisë së Bashkuar, Shkodrës së postkomunizmit iu shtua edhe
një xhami e re. Mbi një pjesë të truallit të vjetër të saj u
ndërtua xhamia e lagjes Tophanë.
Në kronikën e tij në lidhje me këtë event të rëndësishëm për banorët e lagjes dhe mbarë muslimanët e Shkodrës, Fejzi Zaganjori, ndër të tjera shkruan: “Për banorët e lagjes Tophanë, dita e enjte[1] ishte një ditë e veçantë gëzimi. Mbas 30 vjetësh u thirr
nga
minarja e xhamisë ezani...
Qindra
banorë u mblodhën në ceremoninë e përurimit të xhamisë së re, e
cila u ndërtua mbi truallin e xhamisë së vjetër mbi 300 vjeçare,
të cilën diktatura komuniste e shkatërroi...
Në
gëzimin e banorëve morën pjesë kryetari i Komunitetit Musliman
Shqiptar, Hirësia e Tij Haxhi Hafiz Sabri Koçi, myftiu i
Shkodrës, H. Faik Hoxha, kryeredaktori i gazetës “Drita Islame”,
H. Ismail Muçej si dhe imamët e xhamive të qytetit. Gjithashtu
në këtë përurim morën pjesë prefekti Shkodrës, z. Elham Sharra,
kryetari i këshillit të rrethit, z. Lorenc Mosi, kryetari i
Bashkisë, z. Bahri Boriçi etj...
Xhamia u
ndërtua me ndihmën e shoqatës bamirëse “Islamic Relief” të
Birminghamit dhe për këtë u shpenzuan 25000 dollarë...”[2]
Duke
vëzhguar me vëmendje fotografitë e bëra në momentet e para të
fillimit të punimeve për ndërtimin e kësaj xhamie, me keqardhje
më duhet të konstatoj, se një pjesë e minares së vjetër prej
gurit, ekzistente deri në momentin e fillimit të punimeve për
xhaminë e re, u rrafshua për t’i lënë vendin një hapësire të re
për xhaminë e re!
Xhamia u
ndërtua me shumë mungesa në anekset e saj, mungesa që vazhdojnë
të ndihen edhe sot, ndonëse me angazhimin e xhematit e ndonjë
bamirësi, aty-këtu, ato po plotësohen, por me shumë vështirësi!
Paradoksalisht, akoma sot nuk është zgjidhur përfundimisht
çështja e pronës së kësaj xhamie dhe kufijtë e saj. Frika nga “të
pushtetshmit”, apo ndërhyrjet e parazitëve brenda institucionit,
a kushedi se çfarë tjetër, ishin dhe janë pengesa serioze që
përveçse e pengojnë zhvillimin e jetës normale të xhamisë së
Tophanës, i cungojnë asaj edhe mundësitë për t’u shtrirë sa e si
duhet e për t’u plotësuar me ambiente të domosdoshme për çdo
xhami, si: vendi i abdestit, salla e leximit, klasat e kurseve
fetare, ndonjë ambient i mundshëm sportiv për fëmijët dhe të
rinjtë e lagjes etj.
Problematike paraqitet edhe gjendja e mjerueshme e pjesës
monumentale të xhamisë së vjetër, ngjitur të resë. Asnjë dorë
ndihme, asnjë ndërhyrje efektive, asnjë përkujdesje
institucionale, edhe pse për moshën që ka, ajo pjesë e xhamisë
së vjetër meriton çdo vëmendje e përkujdesje nga institucionet
përkatëse!
Ndonëse në
korrikun e vitit 1997 xhamia e Tophanës u përurua, infrastuktura
përreth saj i përngjante vendeve të dala nga luftrat. Xhamia,
deri vonë (aty nga pranvera e vitit 2004) ka qenë e rrethuar nga
“bunkerët” e zaptuesve të tokës së saj, me ndërtime qesharake,
pa leje, të cilat falë Zotit u pastruan në një prag fushate
elektorale, kur fadromat e Tiranës filluan të zbrisnin edhe në
Shkodër!
Gjatë viteve
2004-2008, xhamia e Tophanës ka dëshmuar disa herë restaurime të
dukshme, duke filluar me rrethimin nazik të territorit ballor me
punime dekorative hekuri, ndriçimin e jashtëm me llampa e
projektorë, shtrimin e lulishtes dhe pasurimin e saj sipas
traditës shkodrane, lyerjen disa herë të ambienteve të brendshme
dhe të jashtme, rregullimin, izolimin dhe modifikimin e
dritareve, shtrimin me parket të sallës së faljes, pajisjen e
saj me kondicionues të ajrit, restaurimin e mihrabit dhe
zbukurimin e tij me punime artistike dhe qeramikë me shkrime
kur’anore etj. Për këtë duhen falënderuar besimtarët kontribues,
donatorët e ndryshëm e bamirësit dashamirë të kësaj xhamie, të
cilët mundësuan pa asnjë mëdyshje ndryshimet thelbësore të
imazhit dhe mjedisit të saj, para frekuentuesve të shumtë,
banorëve të lagjes, kalimtarëve dhe vizitorëve të ndryshëm.
Gjatë kësaj periudhe 11 vjeçare, nga momenti i parë i përurimit, në xhaminë e Tophanës, kanë shërbyer disa imamë, muezinë dhe predikues, ku përmenden: Burhan Osja[3], Bashkim Bajraktari[4], Ervil Kuçi[5], Ruzhdi Hoxha[6], Esat Dini[7] (Zaganjori),
Ilir Dizdari[8] etj. Kontributi i tyre i çmuar duhet vlerësuar dhe respektuar, duke u lidhur
edhe me kohën, vështirësitë ekonomike, mungesën e
kuadrit të specializuar fetar etj.
Mendoj dhe theksoj se xhamia e Tophanës, si pjesa dërrmuese e xhamive të qytetit (pa përmendur ato të fshatit), ka patur dhe vazhdon të ketë nevojë për restaurime dhe ndërhyrje të vazhdueshme në infrastrukturën e saj. Zhvillimet demografike, evoluimi i Thirrjes Islame, kërkesat e përditshme të rinisë dhe xhematit në përgjithësi e shumë faktorë të tjerë duhet të tërheqin me të fortë vëmendjen e institucioneve përgjegjëse për këtë (këto) “shtëpi të All-llahut”, të drejtën e përkujdesjes ndaj së cilave e kanë vetëm ata që i kanë “besuar All-llahut dhe ditës së mbramë... e që nuk i frikësohen askujt pos All-llahut”[9],
Ndoshta, atë
ditë kur ndërgjegjësimi i vetë besimtarëve muslimanë, sidomos i
biznesmenëve të tyre, tregtarëve e njerëzve me pozitë, të jetë
më i ndjeshëm karshi fesë e nevojave të Thirrjes Islame, duke
dominuar me veprat e tyre mbi paragjykimet prehistorike që “bëjnë
ligj” sot, sidomos në provinca.., ndoshta, atë ditë edhe xhamia
e Tophanës e simotrat e saj do të kenë pamje tjetër, frymëmarrje
më të lirë.., gjithmonë në një këndvështrim material e pamor, që
gjithësesi mbetet dytësor në përshkrimin e përgjithshëm të
xhamisë, që fillimisht nis me njeriun e saj, prijësin fetar,
shërbyesin e vetë Thirrjes Islame..!
Nga libri: “Rrugëtime
të një hatibi”,
të thirrësit islam Muhamed Sytari
Shkodër, mars, 2009
[1] Kronikani nuk e përmend datën e e këtij përurimi, por nëpërmjet burimeve të tjera,
fotografive dhe dëshmive të disa prej të pranishëmve, data e saktë e këtij përurimi ka
qenë dita e enjte, 10 korrik 1997.
[2] Fejzi Zaganjori, “Përurohet xhamia e Tophanës”, në gazetën “Drita Islame”, viti VI,
nr. 14 (121), gusht,
1997, fq. 2.
[3]
Imam i xhamisë.
[4]
Imam i xhamisë.
[5]
Imam i xhamisë.
[6]
Muezin i xhamisë.
[7]
Muezin i xhamisë.
[8]
Imam i xhamisë.
[9]
Kur'ani: 9:18.