Xhamia e Plumbit dhe 16 nëntori 1990...

(fragmente dhe stacione kujtese dhe përkujtimi ) 

Ferzet Ndoja

mësuese besimi në Medresenë e vajzave

 

 

  "Xhamia e Plumbit, ose xhamia e Mehmet Pashë Bushatlliut, i përket vitit 1182 h (1768).

   Xhamia me një sallë mjaft të madhe, me një kube të vetme të madhe, është e shtuar me një mihrab (vendfalja e imamit) magjepsës me një kube katërqoshesh ose gjysmërrethi. Në secilën faqe të kasnakut tetëqoshesh ka nga një dritare. Dritaret nuk bien në sy nga që janë të mbuluara me një çardak tresh që është vazhdim i vendit të xhematit të fundit… Xhamia është bërë plotësisht prej guri të gdhendur.

   Vendi i xhematit të fundit dhe pjesa e brendshme e mureve është prej guri shtuf. Shtyllat janë prej mermeri masiv, kurse kokat e tyre, të stilit rokoko…"[1]

 

   [“Xhamia e Plumbit”- Monumenti historik ma i bukur ndër të gjithë objektet tjera të lagjes “Tabakë”, ndërtesë madhështore e artistike, në stilin arabo-turk që ka tërhjekë interesimin e vazhdueshëm të vizitorëve. Kjo xhami i kujton vizituesit begatinë e dikurshme të lagjes “Tabakë” dhe të të tjerave përreth kalasë.][2]

 

   “Kjo xhami ka diçka të veçantë nga xhamitë e tjera të qytetit tonë. Ndoshta është shpirti i historisë së saj ai që të tërheq e të bën për vete sapo takohesh me të dhe hyn në ambientet mjaft tërheqëse që ka kjo faltore shumëshekullore në vendin tonë. Ndoshta është shpirti islam i paraardhësve tanë dhe mesazhet e pastra të njësimit të Krijuesit të gjithësisë që gjejmë brenda kësaj xhamie, si një hallkë e qëndrueshme dhe e fortë që lidh realitetin tonë me atë të baballarëve tanë besimtarë. Ndoshta është pozita e saj strategjike në hyrje të qytetit, bri kalasë, pranë Drinit, në një prej lagjeve më të vjetra të qytetit, ku ambienti përreth bie erë historie e zgjon nostalgji kohërash e njerëzish që i dhanë emër këtij qyteti dhe u kthyen në një mozaik vlerash për të...”[3]

 

16 nëntor 1990

 

   “... një grup qytetarësh, shumica të rinj si: Pëllumb Sallku, Bice Myftia, Agron Dibra, Abdullah Myftia, Eljaz Pateriku, Mithat Myftia, Gani Kryeziu, Faik Zaganjori, Mevaid Tresi, Qamil Nikshiqi, Minir Loku, Ibrahim Bilali, Ferid Lluja, Rasim Sokoli, Halil Veli Dani, Abedin Qallimi, Ferid Hajdari, Rauf Karakaçi e të tjerë morën iniciativën e guximshme për të hapur xhaminë, për të falur xhumanë, për të ripërtërirë fenë, për të rifituar të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar....

   Një rol të rëndësishëm në këtë veprimtari me fjalën e rastit e me drejtimin e besimtarëve për të falur xhumanë, ka luajtur Hafiz Sabri Koçi, i cili u bë simbol i përtëritjes së fesë islame në Shqipëri.

   Duke kujtuar këtë ngjarje të shënuar historike, na del përpara ai miting i madh popullor me rreth 60.000 pjesëmarrës nga qyteti e fshati, nga të gjitha moshat...

   Kjo ngjarje e paharruar jehoi në çdo familje, ajo u bë nxitje për të ndërmarrë vepra të tjera në dobi të gjallërimit të fesë, për të kapërcyer atë periudhë terri ateist 50- vjeçar”[4]

 

  Për gazetën “El-Hilal” Hafiz Sabriu shkruan: “Gëzimi më i madh imi ka qenë më 16 nëntor... sikur linda përsëri. Kur shkova te xhamia, ç’të shihja? Ishte mbushur zi me njerëz. Vargu i tyre  zgjatej deri në kala. Altoparlantet rreth e përreth... Të gjithë filluan të bien tekbir. Brohoritnin. Masa gjithnjë e më tepër merrte flakë... Kam hipur në një tribunë të ngritur për atë qëllim. Mezi e përmbaja veten dhe s’mundja t’ju besoja syve të mi... S’kisha parë në jetën time aq të tubuar, mbi 55 mijë vetë... E pashë veten aq të lumtur, saqë nuk kisha gajle edhe sikur të bija edhe kurban. Nuk kishte gëzim më të madh për jetën!”.[5]

 

   Rahmete dhe respekt për të gjithë ata besimtarë të përkushtuar që kontribuan me pasurinë dhe shpirtin e tyre për skalitjen e datës 16 nëntor 1990 në kujtesën historike të kombit shqiptar!

 

   16 nëntor 2007. Xhamia e Plumbit është po ajo. Madhështore dhe tërheqëse. Mahnitëse dhe herë-herë e pabesueshme, por reale!

 

  



[1] Dr. Ekrem Hakki Ayverdi: "Vepra të arkitekturës osmane në Shqipëri", përktheu Mehdi Gurra, AB-HORIZONT, Tiranë, 2001, fq.75-76.

[2] Hamdi Bushati, “Shkodra dhe motet”, vëllimi I, botim i dytë i rishikuar, Shkodër, 2005, fq.24.

[3] Muhamed Sytari: “Kujtime dhe refleksione të një Ramazani...”, Shkodër 2007, fq. 14.

[4] Faik Hoxha: “Duke kujtuar një përvjetor”, në gazetën: “Drita Islame”, nr. 21 (82), viti IV, dhjetor 1995.

[5] Faik Luli, Islam Dizdari: “Një jetë në shërbim të fesë”, Tiranë 1996, fq.59.

   21.01.08