Xhamia e Plumbit dhe “Ebrehetë” e kohëve të reja!
(Shkodër, 15 dhjetor 2008)
(Vëzhgim)
Sot pasdite shkova të vizitoj xhaminë e Plumbit, pasi ditë më
parë në faqet e gazetës së myftinisë Shkodër, lexova se paska
nisur një fazë e re për meremetimin e saj. Pa dyshim u gëzova,
pas atij lajmi, në faqet e “Udhës Islame”.
Pamja e parë me të cilën u përballën sytë e mi, ishte po ajo
pamje që për shumë vite me rreshje shiu, na kanë parë sytë, as
më pak e as më shumë: Xhamia e Plumbit e mbytur nga lotët e
qiellit!
Përveç saj, disa skela në fasadën ballore të xhamisë e ca shenja
mbi muret e saj, tregonin për fillimin e kësaj faze. Ca fëmijë
që kalonin aty rrotull, tregonin se: “Muret e xhamisë i kruajnë
me tel”, kuptohet për t’i pastruar nga papastërtitë e dekadave
të tëra (ndoshta edhe shekujve) të grumbulluara mbi to.
Nga ana tjetër, në ballinën e anës së djathtë të xhamisë së
lashtë, gjurmët e suvatimit, kishin mbuluar gjurmët e artit të
të parëve tanë, me anë të cilit, ata krijuan këtë kryevepër
arkitekturore, pjesë e pandarë e qytetërimit islam, edhe në
Shqipëri.
Unë nuk e di sesi do të vazhdohet më tutje me fazën e re të
meremetimit të xhamisë-kible (për të cilën e kam ngritur zërin
disa herë, nga tribuna të ndryshme), por me aq sa pashë, u
zhgënjeva: për momentin e papërshtatshëm të fillimit të punimeve
(duke ditur se stina e dimrit është stinë e papërshtatshme për
ndërtim e punime të tilla delikate me veprat e kultit) dhe për
mënyrën e punimit, tjetërsimin e gjurmëve origjinale të këtij
objekti monumental!
Myftinia
aktuale
e Shkodrës, nëse i ka mbetur sadopak përgjegjësi ndaj
institucioneve të veta të këtij niveli, xhamisë së Plumbit në
veçanti, duhet ta shikojë më me vëmendje mënyrën e procedimit
për rregullimin e dëmeve të papërgjegjshmërisë kohore të
njerëzve të ndryshëm premtim-shkelës, në mënyrë që xhamisë së
Plumbit t’i ruhet i paprekur identiteti i saj arkitekturor!
I bindur, se këto fjalë do të bien në veshë të shurdhër e
paragjykues
(sikurse ka ndodhur
në tërë këto vite), i lutem Zotit Fuqiplotë të bëhet Ai mbrojtësi më i
mirë i shtëpisë së Tij, nga “Ebrehetë” e kohëve të reja dhe t’i
vendosë Ai në lëvizje mekanizmat e ndryshkura të parazitizmit
institucional, prezent kudo në vendin tonë!
Muhamed Sytari,
15 dhjetor 2008
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|