Vizitë në Fondacionin Shejkh Ahmed Keftaro”, Damask

(domosdoshmërinë e prezantimit të mesazheve bashkëkohore të Islamit) 

 

   Nga data 23 dhjetor 2007 – 1 janar 2008, thirrësi islam Muhamed Sytari, shoqëruar nga thirrësi islam Lavdrim Hamja, ka vizituar Damaskun, me ftesë të Fondacionit islam “Shejkh Ahmed Keftaro”.

   Në vizitën e tyre, ata janë takuar fillimisht me drejtorin e përgjithshëm të këtij fondacioni, dr. Salahudin Keftaro (antar i Këshillit Ndërfetar Ndërkombëtar “Fetë për Paqen”, pranë OKB).

   Në këtë takim u bisedua edhe për domosdoshmërinë e prezantimit të mesazheve bashkëkohore të Islamit, nxitjes së tij për dialog dhe mirëkuptim në mes të përfaqësuesve të feve në botë, institucioneve që ata përfaqësojnë dhe shoqërive njerëzore.

   Dr. Keftaro falënderoi thirrësin islam Muhamed Sytari për angazhimet e tij në fushën e përhapjes së mësimeve mesatariste të Islamit, nëpërmjet botimit të librave, mesazheve të shkruara, hytbeve të xhumasë, pjesëmarrjes në aktivitetet e ndryshme islame në Shqipëri e jashtë saj etj. Sikurse i shprehu mikut të tij, mbështetjen në rrugën e dialogut ndërfetar dhe komunikimit të ndërsjelltë me bijtë e feve qiellore në Shqipëri, veçanërisht me të krishterët, duke theksuar domosdoshmërinë e angazhimit të thirrësve islamë kudo në botë për të kontribuar me gjithë mundësitë e tyre për harmoninë kombëtare në vendet ku ata punojnë.

   Ai falënderoi gjithashtu kontributet e vyera të thirrësit islam Lavdrim Hamja, si kryeredaktor i gazetës “Udha Islame”, duke vënë në dukje rolin e madh dhe të rëndësishëm të informacionit në shërbim të Thirrjes Islame.

   Nga ana e tyre, Sytari dhe Hamja e falënderuan mikpritësin për misionin e madh që ka marrë mbi supe ky fondacion në pritjen e delegacioneve të shumta nga Evropa, Kanadaja, ShBA etj., në rrugën e prezantimit të Islamit dhe mesazheve të tij, në rrobën origjinale, larg ekstremizmit të verbër, fanatizmit të pa arsyetuar, kapriçove individuale dhe tendencave përçarëse në mes të bijve të këtij ymmeti dhe shoqërive të qytetëruara.

   Në fund të këtij takimi, u shtrua një drekë mikpritjeje.

Gazetari

   21.01.08