Vizita e thirrësit islam Muhamed Sytari në Damask
(Shkodër,
më 27 nëntor 2008 )
Nga data 17-26 nëntor 2008, thirrësi islam Muhamed Sytari ka
zhvilluar një vizitë në Damask të Sirisë.
Gjatë kësaj vizite, ai është takuar me drejtorin e Fondacionit
Islam “Shejkh Ahmed Keftaro”, dr. Salahudin Keftaro, me të cilin
ka zhvilluar një bisedëe të ngrohtë e të përzemërt.
Gjatë saj, ai ka falënderuar dr. Keftaron për kontributet e
çmuara që jep Fondacioni që ai drejton, në drejtim të
prezantimit bashkëkohor të fesë islame, kudo në botë. Ai,
gjithashtu, e ka falënderuar atë për mirëpritjen e studentëve të
shumtë nga Shqipëria e mbarë bota, për t’u kthyer më pas, bartës
të mësimeve të shtrenjta të Islamit, si misionarë të dijes e
vlerave në vendin e tyre.
Nga ana e tij, dr. Keftaro, ka vlerësuar kontributet e thirrësit
islam Muhamed Sytari dhe të thirrësve të tjerë islamë me të
cilët ai punon, në shërbim të mësimeve mesatariste të fesë
islame, në Shkodër e Shqipëri.
Gjatë kësaj vizite, Muhamed Sytari ka takuar edhe dijetarin e
madh islam shqiptar shkodran, Shejkh Vehbi S. Gavoçi, të cilin e
ka informuar për sukseset e reja të aktivitetit islam në
vendlindjen e tij. Nga ana e tij dijetari i moshuar, që i ka
kaluar të 85-t, ka shprehur kënaqësinë e tij për lajmet e mira
dhe ka këshilluar për bashkim të duarve në të mirë të Islamit
dhe mësimeve të tij në vendin tonë e në mbarë botën. Gjithashtu
ai ka theksuar, se uniteti dhe harmonia në mesin e muslimanëve,
është më e domosdoshme se kurrë në këto ditë dhe se lënia pas e
hasmërive, tendencave përçarëse
dhe egoizmave të padobishme, është një obligim fetar islam!
Ndërkohë, ditën e enjte, më 20 nëntor 2008, thirrësi islam
Muhamed Sytari, në shoqërinë e dr. Salahudin Keftaro, ka marrë
pjesë në një darkë kortezie të shtruar nga Patriarkana
Orthodhokse e Lindjes, me rastin e vizitës së kryepeshkopit të
Etiopisë në Siri. Me këtë rast ai ka takuar edhe kryepeshkopin
orthodhoks të Lindjes dhe mbarë botës, Agnatios IV Hezim,
kryepeshkopin e orthodhoksëve sirianë Zeka Ivas dhe përfaqësues
të tjerë të pëerfaqëisve të krishtera në Siri.
Ditën e xhuma, më 21 nëntor 2008, në haremin e xhamisë “Ebu Nur”,
thirrësi islam Muhamed Sytari ka mbajtur edhe një fjalim, në të
cilin ka falënderuar angazhimet e fondacionit islam më të madh
në Lindjen e Mesme dhe njëkohësisht ka hedhur dritë rreth
eksperiencës së tij të suksesshme në fushën e Thirrjes Islame,
me urtësi, mesatarizëm e dialog të hapur me tjetrin.
Po ditë e xhuma, më 21 nëntor 2008, ai ka marrë pjesë në takimin
e hapur me një grup të rinjsh nga Kanadaja, Britania e Madhe,
Zelanda e Re dhe Australia, me pyetje dhe diskutime rreth
mesazheve qytetëruese të fesë islame, drejtuar dr. Salahudin
Keftaro, ku nuk kanë munguar edhe ndërhyrjet e tij në lidhje me
diskutimet e ndryshme në këtë takim të përzemërt.
Gjatë vizitës në Damask, ai ka takuar gjithashtu edhe zv/kryemyftiun
e Republikës ruse Karashaj-Çerkez, Muhamed Jusuf Batçaev,
ish-student në Institutin e Gjuhës Arabe, në Damask, me të cilin
ka këmbyer eksperincat reciproke islame në të dy vendeve.
Poashtu, gjatë kësaj vizite, Sytari është takuar në një mbledhje
të veçantë edhe me të gjithë studentët shqiptarë që vazhdojnë
studimet e tyre islame në këtë Fondacion. Gjatë saj, ai është
njohur me gjendjen e tyre, studimet, si dhe i ka këshilluar për
të përfituar sa më shumë nga koha dhe mexhliset e dijetarëve, në
shërbim të qëllimeve të larta të kërkimit të diturisë.
Vizita e thirrësit islam Muhamed Sytari në Damask, është
shoqëruar edhe me takime të tjera me personalitete të shquara
islame të Sirisë, Jordanisë, ShBA, Libanit, Pakistanit etj.,
sikurse është lajmëruar edhe në websitin e Fondacionit Islam “Shejkh
Ahmed Keftaro”,
www.abunour.org.
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
|
|







