ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Veçori të Resulull-llahit (a.s)

(Shkodër, më 22 maj 2009) 

Nëpërmjet minberit të xhamisë Tophanë, thirrësi islam Muhamed Sytari ka vazhduar me serialin e hytbeve të tij kushtuar veçorive të shumta me të cilat është dalluar hz. Muhammedi (a.s) nga të gjithë të dërguarit e tjerë.

Fillimisht, ai ka folur mbi bukurinë e fizionomisë së profetit Muhammed (a.s) dhe disa prej cilësive më të spikatura fizike të tij. “Nëse hz. Jusufit (a.s) i ishte dhënë gjysma e bukurisë, Resulull-llahit (a.s) i është dhënë bukuria e plotë, gjë për të cilën dëshmojnë argumentet e sakta të transmetuara nga zotëria i bijve të Ademit. Prandaj edhe poeti arab e ka cilësuar: Më të bukur se ti nuk ka lindur gruaU linde i pastër nga çdo e metëA thua se u linde siç dëshiroje. Pejgamberi ynë ishte njeri që buzëqeshte dhe dhuronte mirësi nëpërmjet syve të tij të zinj. Për këtë dëshmojnë transmetimet e ndryshme që e përshkruajnë si më të bukurin dhe më të përsosurin e krijesave të Zotit, si rasti i sahabiut Xhabir ibni Semure e shumë të tjerë që e kanë përshkruar nga afër fizionominë e Resulull-llahit”- ka thënë ndër të tjera Sytari.

Më pas, nëpërmjet argumentimeve të shumta ai ka renditur disa nga veçoritë me të cilat do të dallohet profeti Muhammed (a.s) në ditën e gjykimit: “Ai është dëshmitar i ymetit të tij, do t’i jepet shefaati (ndërmjetësimi) i madh, do të ringjallet i pari, do të kalojë i pari urën e siratit, do të jetë i pari që do t’i lejohet të bëjë sexhde para duarve të All-llahut, do të hyjë i pari në xhennet, do të jetë imami i enbijave, udhëheqësi i tyre drejt xhenneteve, hatibi i murselinëve, ai do të ecë dhe ata do t’i shkojnë nga pas, të gjithë do të rreshtohen pas flamurit të tij, do t’i veshen rrobat më të bukura të xhennetit dhe do të ketë një post në të djathtë të Arshit të All-llahut (xh.sh)”- ka shpjeguar gjatë hytbes së tij.

Në hytben e dytë, ai ka përshëndetur edhe praninë e biznesmenit dhe bamirësit të afirmuar shkodran haxhi Sait Fishta, i cili prezantonte në këtë xhami për faljen e namazit të xhumasë.

“Miku i shtëpive të All-llahut, ndërtuesi i tyre. Bamirësi i dëshmuar, njeriu me zemër të madhe, miku i xhamisë Tophanë, haxhi Sait Fishta”, e ka cilësuar ndër të tjera hatibi i xhamisë Tophanë, personin që financoi ndërtimin e xhamisë madhështore të Parrucës, në Shkodër.

 

www.muhamedsytari.net