Muhamed Sytari
thirrës islam
"Urtësia është plaçkë e humbur e besimtarit"
(Në porositë e tij të shumta, që mësojnë muslimanin sesi të veprojë në jetën e tij)

Në
porositë e tij të shumta, që mësojnë muslimanin sesi të veprojë
në jetën e tij për të gjetur dobinë dhe vlerat më të mira për të
dhe rrethin e tij, Profeti Muhammed (a.s), thoshte: "Urtësia
është plaçkë e humbur e besimtarit"[1]
Nisur nga kjo porosi profetike, edhe Hafiz QamilTresi, si një
njeri i dijes dhe i përkushtimit ka lënë gjurmë interesante në
përkujdesjen e tij për ta kërkuar urtësinë, të dobishmen dhe
aktualen kudo qoftë ajo; edhe në një gazetë sportive!? Po, në
një gazetë sportive, si "Sporti Popullor"!
Në bibliotekën e tij, Hafizi ka lënë të gjalla gjurmët e
botëkuptimit dhe formimit të tij të thellë besimor e
intelektual. Një ndër këto gjurmë është edhe një pjesë e prerë e
gazetës "Sporti Popullor", ku në fokusin e Hafizit është një
artikull i mjekut të njohur sportiv Lluka Heqimi, i titulluar:
"Këshilla sportistëve: Të luftojmë duhanin". Ajo që më tërhoqi
vëmendjen për ta shkruar këtë fakt, ishte se bashkangjitur me
këtë pjesë gazete, ndodhej edhe një fletë e palosur, ku me
shkrimin e tij Hafiz Qamil Tresi ka shkruar pjesë të ndryshme
nga ky shkrim, si për t'i ruajtur e për t'i patur si argument në
bisedat e tij të ndryshme (në
këtë rast kundër duhanit). Në shkrimin e cituar, ndër të
tjera thuhet: "...
Duhani influencon keq në sistemin e frymëmarrjes. Tymi i
duhanit ngacmon rrugët e frymëmarrjes, jep inflamacionin kronik
të tyre, dëmton mushkëritë. Tymi i duhanit, me substancat e tij,
kur futet në mushkëri hyn në gjak dhe aty lidhet me rruazat e
kuqe (hemoglobinat). Në vend që t'i lirojë vendin oksigjenit të
nevojshëm, nikotina qarkullon me rruazat e kuqe. Këto të fundit
humbasin për 12-24 orë aftësinë për të freskuar indet me
oksigjen....
Duhani influencon keq në
sistemin e tretjes. Duhani pengon punën normale të stomakut
e të zorrëve. Me anë të studimit radiologjik është parë se 15
minuta qysh pas pirjes së duhanit puna aktive e stomakut pushon
për 20-30 minuta. Me kalimin e kohës ata që pinë duhanin vuajnë
nga gastriti dhe më vonë nga ulçëra. Prof. S.M. Nekrasov ka bërë
një studim në 1150 burra. Prej këtyre 761 pinin duhanin dhe 389
nuk e pinin. Ulçera e stomakut u pa tek të parët 18.5 përqind
dhe tek të dytët 1,5 përqind...
Duhani influencon keq në
sistemin muskular. Nikotina e ul shumë aftësinë në punë.
Forca muskulare ulet fare... Është konstatuar se fituesit e
garave të notit janë sportistë që nuk e pinë duhanin, kurse ata
që kanë zënë vendet e fundit pinin shumë duhanin. Zezaku Ovens,
vrapuesi i distancave të gjata V. Kuc, etj. nuk kanë pirë asnjë
cigare gjatë karierës së tyre sportive.
Duhani influencon keq në
zemër dhe në enët e gjakut. Gjatë pirjes së duhanit helmi
futet në zemër dhe në enët e gjakut, duke dëmtuar zemrën deh
shkakton ngushtimin e enëve të gjakut. Të përdorish 30-40 cigare
në ditë do të thotë që enët e gjakut të qëndrojnë të ngushtuara
vazhdimisht...
Ç'kanë thënë për duhanin:
... Kur e la duhanin, Leon Tolstoi tha: "Që nga ajo kohë unë u
bëra një tjetër njeri. Punoj 5 orë pa ndërprerje, jam bërë më i
freskët...". Gëteja shprehu këtë mendim kur e la duhanin:
"Duhani është i mirë vetëm për njerëzit jo produktivë"..."[2]
Hoxhallarët
shqiptarë, përherë na kanë mësuar të jemi objektivë në kërkimin
e diturisë e urtësisë dhe njëkohësisht, nëpërmjet këtij
botëkuptimi, ata na kanë edukuar edhe me një frymë kombëtare për
t'u patur zili, sikurse është rasti i dijetarit shkodran H.
Vehbi Sulejman Gavoçi, për të cilin ish-Kryetari i Bashkësisë
Islame të Kosovës, Dr. Rexhep Boja kujton: "Prof.
Vehbiu është edhe atdhetar i flaktë dhe për dallim nga dijetarët
e tjerë shqiptarë që kanë jetuar dhe vepruar në botën arabe, ai
dallohet për ruajtjen e gjuhës amtare (shqipe). Jo rrallë na
konvokonte kujtime nga Shkodra e tij e dashur, vendlindja e tij,
të cilën siç na thoshte shpeshherë, e ruante me mburrje e
krenari në zemrën dhe shpirtin e tij.
Tash, kur i
kujtoj ato çaste, nga kjo distancë kohore tridhjetë e sa
vjeçare, më kujtohet zhgënjimi i tij i madh për sistemin e
atëhershëm komunist, për të cilin thoshte se do ta shkatërronte
Shqipërinë, shqiptarët dhe fenë e tyre. Përkundër atij
zhgënjimi, ai, megjithatë mbante lidhje me vendlindjen e tij dhe
sa herë që i bëja vërejtje se pse po e lexonte “Zërin e
popullit”, ai më thoshte “vetëm
për të mos e harruar shqipen time të dashur dhe, së paku të m’i
përkujtojë emrat e qyteteve”.
Leximin e
literaturës në shqip na e rekomandonte edhe ne studentëve dhe na
thoshte se së shpejti Shqipëria do të ketë nevojë për ju më
shumë se për mjekë e inxhinierë."[3]
Nga monografia e thirrësit islam Muhamed Sytari:
“Hafiz
Qamil Tresi- në gjurmët e një biblioteke që sfidon heshtjen e
kohës”,
Shkodër, 2006.
[1]
"Ka thënë autori i "el-Mekasid": E ka transmetuar Kudaiu
në Musnedin e tij
mursel, nga Zejd ibni Eslem
merfu', me
shtesën: "kudo që
besimtari ta gjejë plaçkën e tij të humbur, le ta
mbledhë". E transmeton edhe Tirmidhiu dhe Kudaiu
gjithashtu nga Ebu Hurejra (r.a) dhe në zinxhirin e tyre
gjendet Ibrahim ibn Fadl që është i dobët
daíf..."-
Shih: Imam Ismail el-Axhluni, "Keshful-khafâ ve muzilul-ilbâs",
vëll. I, botimi i parë, 1997, hadithi nr. 1157, fq. 323.
[2]
Lluka Heqimi, "Këshilla sportistëve: Të luftojmë
duhanin", në gazetën "Sporti Popullor", (viti, numri,
data dhe faqja mungojnë për shkak të prerjes).
[3]
Muhamed Sytari, "Vehbi Sulejman Gavoçi -Dijetar nga
dijetarët e ymmetit", Prishtinë, 2005, fq. 158.