Muhamed Sytari
thirrës islam
Takim rreth dialogut të qytetërimeve dhe shkëmbimeve kulturore
dhe shkencore mes Lindjes dhe Perëndimit
(me pjesëmarrjen e dijetarëve nga Kanadaja, Danimarka, Shqipëria dhe Siria)
Fondacioni “Shejkh Ahmed Keftaro” organizoi dje në Damask një
takim dialogues, në të cilin merrnin pjesë dijetarë myslimanë
nga Siria dhe Shqipëria, klerikë dhe akademikë nga Danimarka dhe
Kanadaja.
Në këtë takim u diskutua rreth disa çështjeve, të cilat kanë të
bëjnë me qytetërimet dhe shkëmbimet kulturore dhe shkencore mes
Lindjes dhe Perëndimit.
Prifti Pjer Ramsdel, pastori i kishës Prosnes në Kopenhagen,
theksoi nderimin dhe vlerësimin e tij ndaj vlerave të larta të
Islamit dhe mesazhit të tij mbarëbotëror. Ai dënoi të gjitha
fyerjet dhe akuzat që janë bërë në drejtim të Islamit.
Gjithashtu vuri në dukje vlerat e larta të bashkëjetesës që
ekziston në Siri, mes të gjithëve, sidomos mes myslimanëve dhe
të krishterëve. Kjo lloj bashkëjetese është bërë shembull i
vetëm, i cili tërheq sytë e Perëndimit për të vizituar këtë tokë
të bekuar gjatë gjithë historisë së saj.
Kjo është ajo tokë, e cila ka mbartur fe dhe qytetërime të
ndryshme, fakt i cili e ka bërë sot dritë rrezatuese të
mesatarizmit dhe të përqafimit të kishave me xhamia.
Z. Ramsdel përmendi edhe kontributin e madh që fondacioni “Shejkh
Ahmed Keftaro” po jep në ndërtimin e urave lidhëse me
Perëndimin, veçanërisht me Danimarkën, për njohjen e Islamit dhe
parimeve të tij, qytetërimit arab dhe rrezatimit të tij, i cili
i dha shumë botës në shkencë dhe dituri.
Nga ana e tij, profesor Patric Broduar nga Kanadaja, theksoi
shembullin sirian, i cili ka përfshirë të gjitha fetë dhe sektet
për të formuar familjen e madhe të lidhur siriane, e cila me
parimet dhe vlerat e saj vërteton harmoninë e mirë mes besimit
dhe kombit. Gjithashtu ai i bëri thirrje elitës në Perëndim të
vizitojnë Sirinë dhe të njohë nga afër qytetërimin e pasur dhe
barazinë mes grupeve të ndryshme, të trashëguar prej shekujsh,
bashkëjetesën që institucionet islame dhe të krishtera
realizojnë duke vërtetuar esencën e përbashkët të mesazheve
qiellore.
Ndër të tjera Z. Broduar hodhi idenë e realizimit të një
projekti të përbashkët mes organizatave kanadeze të dialogut dhe
fondacionit “Shejkh Ahmed Keftaro”, për prezantimin e Islamit
dhe esencës së parimeve të tij në Perëndim, të cilin njerëz dhe
klane të ndryshme po mundohen ta akuzojnë dhe t’i dëmtojnë
imazhin.
Ndërsa shkrimtari dhe thirrësi islam Muhamed Sytari, bëri një
ekspoze të punës fetare të fondacioneve fetare në Siri, të cilat
kanë në gjirin e tyre mijëra studentë me kombësi të ndryshme nga
të gjithë kontinentet, me qëllim të mësimit të gjuhës arabe dhe
studimeve fetare, mesatariste. Duke theksuar se këtë mirësi,
historia do ta shkruajë si përpjekje të presidentit Beshar El-
Esed në luftën kundër mendimit ekstremist, i cili qarkullon sot
nëpër botë, për t’u përdorur për qëllime politike dhe shkak për
prishjen e drejtësisë dhe rregullit në botë.
Ai theksoi: “Kam patur nderin të pajisem me dituri fetare në
fondacionin “Shejkh Ahmed Keftaro” për shtatë vjet me radhë dhe
tani punoj në Shqipëri, ku përmes xhamive dhe organizmave tona
përçojmë atë që jetuam dhe shikuam këtu në Siri; bashkëpunimin
dhe lidhjet e forta mes të gjithë bijve të këtij vendi, xhamive
dhe kishave. Kjo na ka bërë të fitojmë një nderim të madh në
shoqërinë tonë shqiptare, së bashku me elitën e thirrësve
islamë, të cilët janë diplomuar në Siri, në rrugën tonë përballë
mendimit ekstremist, duke u bërë kështu pjesëmarrës në forcimin
e sigurisë dhe qetësisë në vend, ashtu siç jeton sot Siria”.
Nga ana e tij, Dr. Salahudin Keftaro, drejtor i përgjithshëm i
fondacionit “Shejkh Ahmed Keftaro”, i bëri thirrje elitës
intelektuale dhe fetare në Perëndim të vizitojë Sirinë dhe të
vëzhgojë historinë dhe qytetërimin e saj botëror, i cili dëshmon
qartë sot për harmoninë dhe bashkëpunimin mes të gjithë bijve
dhe grupeve fetare e laike, të cilat qëndrojnë në një rresht të
vetëm kundër sfidave të kohës. Doktor S. Keftaro bëri të ditur
edhe për popullin arab palestinez dhe irakian, të cilët jetojnë
në tragjedi të vërtetë ku si pasojë e pushtimit dhe sulmeve, ka
lindur fryma e ekstremizmit dhe e urrejtjes.
Ai iu drejtua bashkësisë ndërkombëtare dhe Organizatës së
Kombeve të Bashkuara, për një punë më serioze në drejtësinë e
popujve dhe në ushtrimin e vetos së tyre mbi njerëzit e
vendimeve politike botërore, veçanërisht zyrës amerikane në
heqjen dorë prej mbështetjes që kjo e fundit po i jep Izraelit,
ku me këtë gjë po del edhe jashtë ligjeve ndërkombëtare dhe
rregullave të tyre. Sepse me atë që Izraeli po bën, ai vetëm se
praktikon ligjin e xhunglave dhe imponimin e politikës së
forcës, e cila dita-ditës po shton edhe më tepër urrejtjen,
armiqësinë dhe padrejtësinë, sidomos në Lindjen e Mesme.
Gjithashtu Dr. Salahudin Keftaro u bëri thirrje të gjithë atyre
perëndimorëve të drejtë, të cilët kanë filluar të vizitojnë
Sirinë, të shohin dhe të vështrojnë me syrin e drejtësisë se
çfarë po ndodhë në rajon dhe më pas t’ua bëjnë të qartë të
vërtetën popujve të tyre atje ku jetojnë.
Marrë nga e përditshmja siriane:
“TISHRÍN”, Damask, nr. 10063,
e diel, më 30 dhjetor 2007.