ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Thonin… Ç'nuk thonin për të…!

(Atij akoma i qeshnin sytë, ndonëse vitet ia kishin humbur rininë) 

Muhamed Sytari

 

Trëndafili i kuq, ishte e vetmja gjë që mbante në dorë flokëbardhi me kostum të vjetër gri, teksa sillej sa para e prapa mbi tarracën e një lokali, në periferi të një lagjeje të vjetër të qytetit të tij..

E vetmja gjë që bënte me perfeksion, ishte lëvizja e trëndafilit bojëgjak me gishtat e dorës së djathtë, afrimi e largimi i tij sa herë merrte të largohej nga realiteti i tij e kujtimi i së kaluarës, pasi kishte nuhatur me gjithë forcën e tij lulen e bukur shumëpetalëshe.

Dhe sillej sa djathtas, sa majtas… Shkonte pranë derës së lokalit, por asnjëherë s'merrte guximin ta kapërcente pragun e saj. Kushedi pse? Ndoshta se kontrastet e errësirës e frikësonin. Ndoshta se ato i kujtonin kontrastet e errëta që kishin përshkuar rininë e burrërinë e tij e, tani në moshën e thinjave dëshironte të qëndronte larg errësirave, më pranë luleve e ngjyrave të forta të tyre… Ndoshta…, ndoshta…

Një fllad pranveror, që atë ditë dukej si i tërbuar, i vërsulej mbi flokët e tij të gjatë duke bërë që ai, herë pas here, t'i rregullonte me dorën e tij të rrudhur e plot damare të dala si kroje të nëndheshme, thinjat e bardha, e të shikonte drejt horizonteve me një buzëqeshje të thinjur…

Atë njeri, thonin se e njihnin të gjithë… Në fakt, atë s'e njihte njeri… Ndoshta ai vetë ishte çdonjëri prej atyre që thonin se e njihnin… Thonin, ç'nuk thonin për të…

Thonin, se kishte qenë një punëtor i thjeshtë, shumë i zellshëm e durimtar. Fatkeqësia e tij, thonin, kishte qenë brigadieri, një brigadier i paaftë e fodull, që desh ia kishte thyer kurrizin nga inati se ai, jo vetëm që e realizonte normën e punës, por edhe e tejkalonte përherë atë nga zelli e dëshira për punën, që e karakterizonte. Thonin se brigadieri frikësohej se mos ky njeri ia zinte vendin e punës.

Thonin, se kishte qenë mësues në një fshat, ku banorët e tij shquheshin për kultivimin e hardhive dhe të pjeshkëve. Të gjithë e njihnin si të dashur me fëmijët, skrupuloz në detyra e të pastër në karakter. Fatkeqësia e tij, thonin, kishte qenë nëndrejtori, një njeri që e karakterizonte një lloj harbutie në komunikim me njerëzit, që jo vetëm e nënvleftësonte atë si njeri, por talentin dhe mjeshtrinë e tij si mësues, specialist e human, e vinte mbi vilat e rrushit e pjeshkët pushore, që ia sillnin njerëzit-servilë të atij kolektivi, me të cilët mburrej e mbahej si shkolla më e mirë e katundeve të asaj zone…

Thonin, se kishte qenë këngëtar i muzikës së lehtë. Miqtë e afërt të tij e krahasonin me Claudio Villa-n. Kuptohet, këtë e thonin nën zë, a kur ndonjëherë mblidheshin te njëri-tjetri, e pasi që kishin mbyllur perdet e dritareve kryesore, kishin larguar gratë e fëmijët, merrnin të flisnin edhe ca nga "bisedat e ndaluara", ku kryefjala e tyre ishte "Sanremo", ndonjë serial televiziv me grupin e dyshit, etj. … Fatkeqësia e tij, thonin, kishte qenë një paditës (zanat i modës në atë kohë)… Kishte bërë një gjest gjatë provave gjenerale për një shfaqje të madhe, për të cilin ishte akuzuar për agjitacion e propagandë… Shumë vite burgu kishte vuajtur për atë gjest…

Thonin… E ç'nuk thuhej për të…

Në realitet ai ishte një njeri, të cilit ia kishin djegur rininë, e që në moshën e tij të thyer mbante shoqëri vetëm me trëndafilat e kuq, të cilët i shtrëngonte fort (ndoshta kishte frikë se edhe ato ia merrnin e ia digjnin..?!), e herë pas here u merrte erë… Ndoshta këtë e bënte për të shtyrë kohën e tij të vrarë, i zhgënjyer nga "miqësitë" e vjetra, që kohën e tij të shtrenjtë ia vodhën, ia përdhunuan, ia dogjën… Ndoshta, se nuk i kishte mbetur asgjë tjetër në jetë përveç trëndafilit të kuq, erëmirë… Ndoshta…

Ai vazhdonte të sillej sa para e prapa mbi tarracën e lokalit, me trëndafilin e tij në dorë, ndërkohë që kalimtarët, sa herë që e shihnin, diçka thonin për të… Thonin e ç'nuk thonin, kur e shihnin atë njeri … 

Ndoshta, sepse ai simbolizonte një brez të tërë njerëzish me kohë të djegur, me rini të humbur, me shpresë të mbytur…

Ndoshta, Zoti i madh e kishte bërë ashtu, me flokë të bardhë, me kostum të vjetër gri e me trëndafil të kuq në dorë, që njerëzit, sidomos të rinjtë, të mësonin diçka nga e kaluara e zezë e brezave pa të kaluar..!

Çuditërisht thonin, se shumë të rinj sot argëtoheshin me pamjen e tij dhe premtonin se vendin e ecejakeve të tij mbi terracën e lokalit, do ta zinte ndonjë nga soji i tyre…

Thonin, se këta të rinj ishin trashëgimtarët e brigadierit, nëndrejtorit e të atij që paditi për një gjest…

Thonin. E ç'nuk thonin e vazhdonin të thonin për të…!

Edhe unë e takova një ditë atë njeri. U takuam nëpërmjet vështrimeve. Atij akoma i qeshnin sytë, ndonëse vitet ia kishin humbur rininë. Sytë e tij sikur thonin diçka… Edhe ata thonin. E ç'nuk thonin sytë e tij… ndryshe nga ç’thonin...

 

Shkodër, më 09. 05. 2006