Thirrësi islam Muhamed Sytari, mysafir i B.I. Ulqin

(Ulqin, e enjte, më 20 mars 2008) 

 

Me ftesë të Bashkësisë Islame të Ulqinit, thirrësi islam Muhamed Sytari ka marrë pjesë në ceremoninë e përvitshme të organizuar në xhaminë e Mezjahut, në qendër të Ulqinit, me rastin e përkujtimit të ditës së lindjes së hazreti Muhammedit (a.s), Mevludi Sherifë.

Pas faljes së namazit të iqindisë, kryeimami i Ulqinit, H. Rexhep ef. Lika, ka prezantuar të ftuarin e Bashkësisë Islame në këtë aktivitet duke theksuar se: “Duke filluar me këtë aktivitet, Bashkësia Islame e Ulqinit, ka vendosur që për çdo muaj do të ketë nga një të ftuar për të folur mbi vlerat dhe mesazhet e fesë tonë”.

Në ligjëratën e tij, thirrësi islam Muhamed Sytari, ka folur mbi dashurinë dhe respektin që duhet të shprehë secili musliman për të dërguarin e All-llahut. Ai ka nxitur ndjekjen dhe pasimin e traditës muhamedane, si rrugë shembullore e të jetuarit të jetës me besim e dashuri.

Pas ligjëratës së të ftuarit nga Shkodra, është kënduar Mevludi Sherifë dhe është bërë duaja e kësaj ceremonie.

Në këtë aktivitet binte në sy pjesëmarrja e dendur e hoxhallarëve të kësaj zone, të cilët ishin edhe pjesëmarrës në këndimin e pjesëve të ndryshme të mevludit.

I gjithë aktiviteti është regjistruar nga kamerat e tv teuta, për t’u transmetuar më pas në një program special të tij.

 

Lavdrim Hamja