ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Monografia “Themelet e një medreseje” para duarve të lexuesit

(...fakte dhe argumente të bollshme, dëshmi dhe kujtime nga më të ndryshmet...) 

Këto ditë doli në qarkullim monografia e titulluar: “Themelet e një medreseje”, me autorë z. Eljaz Kraja dhe z. Ahmet Osja, kushtuar fillimeve të medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, Shkodër.

Në 230 faqet e librit të tyre, autorët kanë vendosur para duarve të lexuesit përpjekjet e para për themelimin dhe hapjen e medresesë së parë në Shkodër dhe Shqipëri, pas rënies së komunizmit.

Sikurse shkruhet edhe në përkushtimin e këtij libri, ai i kushtohet: “ngritjes  dhe fillimit të veprimtarisë së medresesë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, mësuesve dhe nxënësve të saj”.

Në brendësi të kësaj monografie, lexuesi do të ndeshet me fakte dhe argumente të bollshme, dëshmi dhe kujtime nga më të ndryshmet, që reflektojnë vështirësitë, pengesat, arritjet, frytet e punës dhe sakrificës së nismëtarëve dhe protagonistëve të katër viteve të para të medresesë së re të Shkodrës.

Idetë dhe objektivat, personazhet kryesore, organizimi i medresesë, arritjet dhe rezultatet e nxënësve, përpjekjet për mbijetesë, bashkëpunimi me institucionet simotra jashtë vendit, lidhjet me drejtorinë arsimore dhe shkollat e tjera, projektet e ndryshme, botimet e nxënësve etj, shoqëruar me fotografi të shumta të botuara ekskluzivisht për faqet e këtij libri, lexuesi do të ketë mundësi t’i gjejë në këtë botim të ri.

Monografia “Themelet e një medreseje”, është botim i shtëpisë botuese “Camaj - Pipa”, Shkodër.

 

www.muhamedsytari.net