Teuhidi në vargjet e Hafiz Jusuf Këlmendit
(Hafiz Jusuf Këlmendi (1876-1943))
[“Ilahina shqip”- Rreshtue prej Haxhi Hafiz Jusuf Këlmendit,
Imami xhamis Perashit poshtëm, n’ Shkodër]. Kështu shkruhet mbi
broshurën e shtypur në 32 faqe, pa vit e vend botimi. Ajo
përbëhet nga pesë ilahi në gjuhën shqipe me shkrim arab, nga
Haxhi Hafiz Jusuf Këlmendi (1876-1943) (sikurse sqarohet edhe në
kokën e saj) dhe përmban 343 vargje, të ndara në 171 strofa dhe
një varg.
Në dy strofat e para të ilahisë së parë të veprës së tij, autori
(prej dijetarëve të shquar të Shkodrës), tërheq vëmendjen e
lexuesit drejt teuhidit. Ato bëjnë fjalë për Njësinë e Zotit, si
baza kryesore e besimit islam. Ja si shprehet ai në këto vargje:
Elif- I pari n’sharte turqnís
Zotit imân mej prû
Nji, ka ardh pej Perendís
me Kur’an na asht kallxu
Be- Bytyn[1]
xhin e insân
me kyt emër[2] jan urdhnu
Me bâ tasdík me kemâl
hem me njôh me bisedu
Për këtë autori tërheq vëmendjen e lexuesit duke i treguar se
argumentimi i thënieve të tij bazohet në Kuranin Famëlartë.
Në këtë pikë referimi, ajetet kur’anore që vërtetojnë Njësinë e
All-llahut dhe bëjnë fjalë për të, janë të shumta, sikurse dhe
hadithet e ndryshme të Resulull-llahit (a.s). Duke bërë një
vështrim serioz rreth kësaj teme në Librin e All-llahut, do të
gjejmë fakte të shumta që tërheqin vëmendjen e njerëzisë drejt
Njësisë së Krijuesit të gjithësisë. Le të përmendim disa prej
tyre:
- “Zoti juaj është një Zot i vetëm!”[3]
- “All-llahu është vetëm një Zot – qoftë lavdëruar Ai! Ai është
tepër i lartësuar për të pasur fëmijë.”[4]
- “Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “All-llahu është
njëri prej Trinisë!” Nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë!”[5]
- “Ky (Kur’an) është shpallje e qartë për njerëzit, me qëllim
që ata të marrin paralajmërim nëpërmjet tij, që ta dinë se All-llahu
është Një Zot i vetëm dhe që të këshillohen njerëzit e mençur!”[6]
- “Zoti juaj është një Zot i vetëm”[7]
- [All-llahu ka thënë: “Mos adhuroni dy zotëra, sepse Ai është
një Zot i vetëm, prandaj frikësohuni vetëm prej Meje!”][8]
- “... më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i vetëm.”[9]
- [Thuaj: “Mua më është shpallur që Zoti juaj është një Zot i
vetëm; pra, a jeni muslimanë[10]?”][11]
- “Zoti juaj është një Zot i vetëm, prandaj vetëm Atij
përuljuni”[12]
- [Thuaj (o Muhammed!): ”Në të vërtetë, unë jam një njeri si
ju. Mua më është shpallur që Zoti juaj është një Zot i vetëm,
andaj ecni në rrugën e drejtë që të çon tek Ai dhe kërkoni falje
prej Tij!”][13]
Përfundimisht, duke u bazuar në Kur’anin Famëlartë, ne si
muslimanë besojmë se Zoti i gjithësisë është Një, i Vetëm, pa
shok, pa partner, pa bir e bijë, që nuk ka lindur prej kujt as
ka lindur kush prej Tij!
“All-llahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan
edhe melekët e dijetarët dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë.
Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit e të Urtit”.[14]
Nga këtu themi se njësimi i All-llahut, teuhidi, është baza
kryesore mbi të cilën ngrihet besimi dhe feja islame. Dijetarët
e akides islame, teuhidin (njësimin), e kanë përkufizuar si: “Njësimi
i të adhuruarit me adhurim, me besimin dhe bindjen në njësinë e
Tij dhe vërtetimin e tij (njësimit), substancialisht, cilësisht
dhe me vepra”.[15]
“Për njësinë e All-llahut themi se me të vërtetë All-llahu është
Një, nuk ka shok, nuk ka send si Ai, nuk ka asgjë që mund ta
pengojë Atë dhe nuk ka Zot tjetër pos Tij. Ai është i përhershëm,
pa fillim dhe pa mbarim. Nuk zhduket dhe as asgjësohet. Nuk mund
të ndodhë tjetërgjë, përveç ç’dëshiron Ai. Atë nuk mund ta
përkthejë dot imagjinata dhe as që mund të arrijë ta kuptojë
mendja e njerëzve sesi është Ai...”.[16]
“Ai është Një, nuk ka lindur prej dikujt dhe as ka lindur kënd.
Ai nuk ka partner dhe Atij nuk mund t’i bëhet rival askush në
krijimin dhe sundimin e Tij”.[17]
Transmetohet nga sahabiu Beride (r.a), se profeti (a.s) dëgjoi
një ditë një burrë duke u lutur: “All-llahumme, unë të lutem Ty
duke dëshmuar se Ti je All-llahu, nuk ka Zot tjetër pos Teje, i
Vetmi, i Përjetshmi, që nuk ka lindur prej kujt, as ka lindur
kush prej Tij, dhe askush nuk është i barabartë me Të” dhe tha:
“Pasha Atë që ka shpirtin tim në dorën e Tij, i është lutur All-llahut
me emrin e Tij më të madhërishëm, me të cilin po t’i lutet,
përgjigjet dhe po t’i kërkohet, jep!”[18]
“Besimi në All-llahun e çliron njeriun nga zinxhirët e
materializmit. Ai lartësohet mbi pasionet dhe nuk pyet për
interesat personale a të kundërtën e tyre! Njeriu besimtar punon
për veten, ymetin dhe mbarë njerëzinë, brenda ligjeve të së
vërtetës dhe traditave të bamirësisë”[19]
Besimi në All-llahun është garancia më e mirë për njeriun në
jetën e tij nga çdo pasiguri e pengesë. Si jo, kur: “All-llahu
është mbikqyrës i atyre që besuan, i nxjerr ata prej errësirave
në dritë. E kujdestarë të atyre që nuk besuan janë djajtë që i
nxjerrin ata prej drite e i hudhin në errësira. Ata janë banorë
të zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë”[20]
Imam Muhamed SYTARI
[1]BYTÝN ndf. Veri, Jugë, Kosovë; në
Dibër e Kukës tue palatalizue të dy y- të bitím dhe bitín: krejt
të tanë, shqim, mbarë, unjí, “del tutto, totalmente” në fjalorët
e Junggut... Erdhën si kjenë bytyn. Sahat e qostek, bytyn florí:
krejt prej arit. Etj. – Tahir N. Dizdari, “Fjalor i
orientalizmave në gjuhën shqipe”, Tiranë 2005, fq. 134.
[2]EMËR-I m. kudo, por në fushën
djalektore (në Korçë sidomos) edhe me përdorim të -b- si element
epentetik mbas buzores hundore, embër: porosi e dhanun nga ana e
nji eprori, që duhet të zbatohet me doemos, urdhën, komandë...
Si të më japin emër ashtu do të veproj. Etj. – Tahir N. Dizdari,
“Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe”, Tiranë 2005, fq.
252.
[3]Kur’ani, Bekare, 163.
[4]Kur’ani, Nisa, 171.
[5]Kur’ani, Maide, 73.
[6]Kur’ani, Ibrahim, 52.
[7]Kur’ani, Nahl, 22.
[8]Kur’ani, Nahl, 51.
[9]Kur’ani, Kehf, 110.
[10]D.m.th. të përulur para Zotit.
[11]Kur’ani, Enbija, 108.
[12]Kur’ani, Haxhxh, 34.
[13]Kur’ani, Fussilet, 6.
[14]Kur’ani, Ali Imran, 18.
[15]Abdulkerim Tetan dhe Muhammed Edib
el-Kejlani, “Sherhu xheuheretit-teuhid”, botimi I, Damask, 1994,
vëllimi I, fq. 92.
[16]Vehbi S. Gavoçi, “Nyja e besimit
sipas Tahaviut”, Prishtinë, 1995, fq. 9.
[17]Vehbi S. Gavoçi, “Degët e besimit”,
Prishtinë, 2005, fq. 18.
[18]Transmetuar nga Ebu Davudi,
Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibni Maxheh.
[19]Afif Abdulfettah Tabara, “Ruhud-dinil-islami”,
botimi i 30-të, Liban, gusht 1995, fq. 250.
[20]Kur’ani, Bekare, 257.