ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Namazi i teravisë në xhaminë e fshatit Bardhej

(Shkodër, më 22 gusht 2009) 

Me rastin e fillimit të muajit të madhërueshëm të Ramazanit, thirrësi islam Muhamed Sytari ka vizituar sonte xhaminë e fshatit Bardhej, ku ka kryer edhe faljen e namazit të teravisë së tretë të këtij muaji të bekuar.

Në vasin e tij të mbajtur para besimtarëve të kësaj xhamie, ai ka vënë theksin te domosdoshmëria e mbrojtjes së agjërimit, në mjediset ku jetojmë e punojmë.

“Kohëve të fundit, është bërë zakon tek ne që muslimanët me emër, ata që nuk agjërojnë se “u dhemb koka, barku, i merr etja, kanë për të pirë ilaçe të ndryshme” e të tjera justifikime njerëzish me vullnet të dobët besimor, nisin e bëjnë “propagandën” e tyre kundër agjërimit dhe agjëruesve! Mos u vini veshin dhe njëkohësisht mos toleroni që askush të nëpërkëmbë agjërimin tuaj! Ne agjërojmë me bindje dhe besim tek All-llahu, Krijuesi ynë, jo për hatrin e njërit e tjetrit! Mos toleroni me heshtjen tuaj, përballë atyre që krrokasin poshtë e përpjetë kundër agjërimit, flisni dhe ngrijeni lart zërin e besimit!”- ka thënë ndër të tjera Sytari në bisedën e tij para të pranishëmve.

Më pas ai ka përmendur edhe fjalën e urtë që thotë: “Nëse teuhidi qëndron në derë të shtëpisë dhe shirku brenda saj, kjo është vetë hipokrizia!”, duke tërhequr vëmendjen drejt përkushtimit të vazhdueshëm në rrugën e perfeksionimit të besimit dhe thellimit të tij në jetën e përditshem dhe marrëdhëniet me të tjerët!

“Ka vite që në Shqipëri, këmbanat degjeneruese për tjetërsimin e identitetit fetar të shqiptarëve dhe çrrënjosjes së Islamit nga jeta e tyre e përditshme, bien pa pushim. Mos lejoni që kjo të ndodhë në familjet tuaja, në fiset tuaj, në rrethet miqësore, në shoqërinë ku jetoni e punoni! Mbrojeni Islamin me kurajo, tregojeni imazhin e tij qytetërues, dashamirë, paqësor, dituror! Shfaqeni pa ndrojtje harmoninë që Islami na nxit për të, me jomuslimanët, në emër të Islamit! Përhapeni mesazhin e pastërtisë, ruajtjes së mjedisit, higjienës personale! Dëshmoni se Islami është feja e jonë, me të cilën mburremi dhe ndjehemi krenarë”- ka theksuar ai.

Namazi i teravisë u drejtua nga imami i kësaj xhamie, z. Ilir Dizdari.

Më pas, thirrësi islam Muhamed Sytari, në shoqërinë e thirrësve islamë Lavdrim Hamja dhe Altin Nikshiqi dhe imamit të xhamisë Bardhej, ka bërë një vizitë në shtëpinë e njërit prej besimtarëve dhe kontribuuesve të njohur të kësaj xhamie.

 

 

V. Mehmeti