Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e trembëdhjetë,
në xhaminë e fshatit Kullaj
(Shkodër,
më 12 shtator 2008 )
Rrugës drejt
xhamisë së fshatit Kullaj, është e pamundur të mos kalosh pranë
xhamisë së Boksit dhe asaj të Dragoçit. Në horizontet e kësaj
zone, zërat e imamëve dhe muezinëve përzihen në një harmoni
netësh Ramazani, duke të dhuruar kënaqësinë e dëgjimit të një
këshille fetare, një ajeti kur’anor, një ezani të ëmbël. Drejt
tyre shihen të rinj e të reja që shpejtojnë. Të rejat e fshatit
Boks, me veshjen e tyre karakteristike, hixhabin e besimit,
përshpejtojnë drejt xhamisë me dëshirën për të dëgjuar një vasë
të re, për të mësuar diçka më shumë për fenë e tyre, për të
shtuar dituri e përkushtim.
Xhamia e
fshatit Kullaj, qëndron në majën e një kodre, në shpinë të së
cilës duket mali Maranaj. Për t’u shkuar drej saj duhet të
ngjesësh 54 shkallët e mëdha prej betoni, në anë të së cilave
shkëmbinjtë dhe shkurrishtat krijojnë mozaikun e një zone me
tiparet, të veçantat e karakteristikat e veta.
Nga poshtë
vërejmë muezinin e kësaj xhamie, që nga maja e minares, me
megafon në dorë lajmëron hyrjen e kohës së jacisë. Kishte kohë
që nuk kisha parë një muezin
në maje të minares. Kushedi qysh kur nuk kisha shijuar
një pamje të tillë!
Në mihrabin
e xhamisë ndodhet imami i saj, Kujtim Cufaj, që me siguri nuk e
ka menduar se sonte do të na kishte miq. Ai drejton namazin e
jacisë e më pas, nën drejtimin e thirrësit islam Lavdrim Hamja,
falim sëbashku njëzet rekatet e teravisë së trembëdhjetë të
këtij Ramazani.
Pas lutjes
së bërë në gjuhën shqipe, mbajta një vasë rreth urtësisë së
faljes së All-llahut (xh.sh) dhe hapësirat e mëdha që Ai i ka
krijuar njeriut për të gjetur rrugët e pendimit, faljes,
përuljes para Tij, me përkushtim e sinqeritet.
Fatihaja, në
heshtje, është ëmbëlsira e këtij tubimi e kësaj nate, me
besimtarët muslimanë, në xhaminë e fshatit Kullaj.
Në një pamje
të përgjithshme, xhamia e fshatit Kullaj, ndonëse e vogël, është
shumë e këndshme dhe e zbukuruar me shije. E veçantë e dukshme e
kësaj xhamie është se në muret e brendshme të saj, janë shkruar
ajete të ndryshme kur’anore. Edhe pse kaligrafia arabe e
realizuar mbi to lë shumë për të dëshiruar, mesazhet që ata
përcjellin janë të rëndësishme e të përshtatshme për një ambient
të tillë.
Në zemër të
mihrabit, është shkruar emri i madhëruar i Krijuesit të
gjithësisë: “All-llah”. Mbi harkun e tij, si një kurorë,
shkruhet sureja “Ihlas”: “Thuaj:
Ai, All-llahu është Një! All-llahu është Ai që çdo krijesë i
drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. As s'ka lindur kë, as
nuk është i lindur. Atij askush nuk i është i barabartë”[1]
e, mbi mkurorën e mihrabit, shkruhet: “Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim”.
Në ballë të
xhamisë, në të djathtë të mihrabit shkruhet ajeti kur’anor:
“Namazi është obligim i caktuar për besimtarët!”[2]
e, në të majtë të tij: “E Ne nuk të dërguam ty (Muhammed) vetëm
se mëshirë për të gjitha krijesat”.[3]
Poashtu, nga ana e djathtë e mihrabit, në gjuhën arabe dhe
shqipe, shkruhet: “Me të vërtetë besimtarët e All-llahut do të
jenë fitimtarë”, e në të majtë të tij : ”Kujdes! Për të dashurit
e All-llahut nuk ka frikë e as që do të pendohen!”.
Duke u
përshëndetur me të pranishmit, një i moshuar 88 vjeçar, Dul
Idrizi, më afrohet dhe teksa më uron me zemër, më thotë: “Ma ka
ba Zoti të lehtë ninimin e Ramazanit t’sivjetshëm. Përveç ditës
së parë që kam pasë pak vështirsi, ditë e tjerta më kanë shku si
jo ma mir, shyqyr t’Madhit Zot! Tanë jetën kam ninu, por si ky
Ramazan, kaq i lehtë e kaq i bereqetshëm, nuk kam pa!”
Sigurisht, dëshmia e plakut të Kullajve, me qeleshe të bardhë
mbi kokë, ka një domethënie të madhe, një mesazh të rëndësishëm,
një vlerë të madhe shpirtërore.
Duke u
larguar nga fshati Kullaj, kalojmë sërish pranë xhamisë së
fshatit Dragoç e, pak më tutje pranë xhamisë së fshatit Boks.
Megjithëse nata me heshtjen e saj ka mbuluar me pelerinën e saj
zonën e Postribës, dritat e ndezura mbi minaret e këtyre
xhamive, e thyejnë disi errësirën e saj, duke u bërë si fare
udhërrëfyese edhe për udhëtarët e natës...
|
|
|
|
|
|
|
|