Teravia e tetëmbëdhjetë, në faltoren e Haxhi Ilir Mujës

(Shkodër, më 17 shtator 2008)  

   Surpriza më e këndshme e këtij Ramazani, deri më sonte, natën e tetëmbëdhjetë të tij, ishte falja e namazit të jacisë shoqëruar me teravinë e kësaj nate në një faltore, ndryshe nga të tjerat e qytetit tonë, ndërtuar në katin e dytë të fabrikës së drurit “Iliria”, me pronar, bamirësin islam, z. Ilir Muja, i dëshmuar për angazhimet e tij të shumta në shërbim të Thirrjes Islame.

   Faltorja në fjalë, në këtë takim të parë me të, është mjaft mikpritëse. Ajo ka një sipërfaqe të konsiderueshme dhe është e pajisur me orenditë e duhura për një vend që pret çdo ditë njerëz që i falen Zotit dhe i luten në paqe. Salla e faljes, është e ndarë në dy pjesë, me një perde jeshile, duke i ofruar mundësinë edhe motrave muslimane të asaj zone për të kryer adhurimet dhe ritet fetare në kohë të ndryshme. Faltorja, ka një mihrab modest dhe minberin e punuar me material druri. E veçanta e këtij kompleksi islam (kështu kam dëshirë ta quaj faltoren e Ilir Mujës), është se ai është i pajisur edhe me tri klasa, ku sipas z. Muja, “shërbejnë për kurse të ndryshme fetare për fëmijët e zonës, të cilat zhvillohen me rregull dhe kanë një frekuentim të konsiderueshëm”. Jo vetëm kaq, por në shërbim të besimtarëve që vijnë për namaz, në katin e parë të faltores, është ndërtuar edhe një abdeshane, me kushte optimale, bashkëkohore.

   Sipas bamirësit, në tokën e të cilit është ndërtuar ky kompleks islam (ku ndodhet edhe shtëpia e banimit të tij), punimet për ta zgjeruar më tej, vijojnë me intensitet, për ta pajisur edhe me anekse të tjera të rëndësishme e të nevojshme për një qendër islame bashkokohore, në periferi të qytetit më të madhe verior.

   Namazi i kësaj nate, në këtë faltore të veçantë, kishte ruhanijet të lartë, kënaqësi të veçantë, prehje namazesh me huzur!

   Frekuentuesit e saj, ndonëse jo të shumtë në numër (sëbashku ishim rreth njëzet burra), vinin çdo natë me kënaqësi dhe të sigurt për kryerjen e faljes së namazit në mënyrën e duhur. Kjo, edhe për faktin se z. Muja, ishte interesuar për të patur një imam të qëndrueshëm për këtë muaj, në faltoren e tij. Imami, një djalë i ri, fjalëpak e fytyrë qeshur, quhej Bajram Shehu. Ishte nga Peshkopia dhe shërbente si kujdestar në Qendrën Islame të Draçinit, që administrohet nga Vakfi Islam Turk. Ndonëse distanca nga vendqëndrimi i tij deri në faltoren e Haxhi Ilir Mujës ishte e madhe, ai, me plot përkushtim vinte çdo natë në kohën e duhur dhe u shërbente me shumë devocion besimtarëve të pranishëm.

   Në përfundim të namazit të teravisë, që si zakonisht, e ndamë me thirrësin islam Lavdrim Hamja, pas lutjes së bërë, iu drejtova të pranishëmve me një këshillë të kalifit të drejtë emevit Omer ibn Abdelaziz, që thotë: “Po munde, behu i ditur! Nëse jo, nxënës i dijes! Nëse jo, duaji ata! Nëse jo, mos i urre!”[1]

   Me komentimin e kësaj fjale të urtë e me shumë kuptim, nata e kësaj teravie, nuk kishte si të mbyllej më mirë.

   Me zemër, e falënderova bamirësin islam Ilir Muja për këtë kontribut të vyer, shpërblimi i të cilit nis nga harfet e para të ajetit kur’anor: “E drejtë e përkujdesjes së xhamive të All-llahut është vetëm e atij që i ka besuar All-llahut dhe ditës së mbramë e që e falë namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos All-llahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë)”[2] dhe kalon nëpër rrugët e haditheve profetike: “Kush ndërton një xhami për hir të All-llahut, do t’i ndërtojë All-llahu një si soji i saj në xhennet”[3] dhe “Kush ndërton një xhami, do t’i ndërtojë All-llahu një më të gjerë se ajo në xhennet”[4]!

   I lumi ai për bamirësinë e tij!



[1] Nedhir Muhammed Mektebi, Safahatun mushrika min hajatis-sabikine”, botimi III, 1996, Bejrut, Liban, fq. 155.

[2] Kur’ani: 9:18.  

[3] Ahmedi, Bukhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Ibni Maxheh,  nga Osmani (r.a).

[4] Tabaraniu, nga Ebu Umame (r.a).

Teravia e tetëmbëdhjetë, në faltoren e Haxhi Ilir Mujës
Teravia e tetëmbëdhjetë, në faltoren e Haxhi Ilir Mujës
Teravia e tetëmbëdhjetë, në faltoren e Haxhi Ilir Mujës
Teravia e tetëmbëdhjetë, në faltoren e Haxhi Ilir Mujës
Teravia e tetëmbëdhjetë, në faltoren e Haxhi Ilir Mujës
Teravia e tetëmbëdhjetë, në faltoren e Haxhi Ilir Mujës
Teravia e tetëmbëdhjetë, në faltoren e Haxhi Ilir Mujës