Teravia e tetë, në xhaminë e fshatit Trush

(Shkodër, më 7 shtator 2008)  

   Për herë të parë xhaminë e fshatit Trush e kam vizituar shumë kohë më parë, diku në muajin shtator të vitit 1992 (rebiul-evvel, 1413 hixhri). Ato ditë, sëbashku me shumë të rinj të tjerë besimtarë shkodranë, bënim pjesë në korin e xhamisë (myftinisë Shkodër). Në aktivitetin e Mevludit Sherifë që ajo organizonte (nën drejtimin e myftiut, Haxhi Faik Hoxha), shkonim xhami më xhami për të kënduar ilahi, pjesë mevludi, salavate etj. Kujtoj se në grupin ku bëja pjesë, ishte edhe Alban Kali, Bledar Tukaj, Didmar Faja e shumë bashkëmoshatarë të mi, që sëbashku përbënim korin shoqërues të kënduesve të Mevludit, në krye të të cilëve qëndronte H. Faik Zaganjori, që kur merrte të këndonte duanë e Mevludit, “Aman ja Rabb mbi gjynahqarë ban qerem...”, nuk kishte nevojë për mikrofon!

   Që nga ajo kohë e deri më sot, xhamia e Trushit (e ngritur në vitin 1991 mbi themelet e xhamisë së vjetër, rreth treqind vjeçare, siç pohojnë të moshuarit e saj) ka pësuar ndryshime të shumta. Është restauruar, është pajisur me orendi që ndihmojnë në kryerjen e duhur të riteve fetare, është pasuruar me aksesorë të nevojshëm për mbarëvajtjen e jetës islame në të etj. E megjithatë, nga një vështrim i përgjithshëm, duket se ajo akoma ka nevojë për një “dorë ndihme”, për merimetime të tjera, për ta bërë atë sa më funksionale e bashkëkohore.

   Xhamia e Trushit, në këtë natë të tetë të këtij muaji plot dritë e mirësi, kishte mbledhur në gjirin e saj, me dhjetra të rinj të këtij fshati, frekuentues të rregullt të namazit të teravisë. Vetëm ky fakt mjafton për ta mbushur zemrën me optimizëm e sihariq. Fakti tjetër, që e bën këtë xhami të jetë shembull për çdo vendtubim fetar, është qetësia dhe serioziteti i tyre, me të hyrë në xhami. Ata dinin t’i ruanin xhamisë madhështinë dhe seriozitetin e saj! Ata dinin të përkujdeseshin për harmoninë e saj! Ata, dinin se kur duhej e kur nuk duhej folur, qeshur, komunikuar etj, në ambientet e brendshme të xhamisë së tyre!

   Pa dyshim, kjo është meritë edhe imamit të ri të kësaj xhamie (që nga janari i vitit 2007), Jetmir Bracaj, i cili, siç pohojnë edhe disa të moshuar të xhematit, “ka kontribuar pozitivisht në afrimin dhe mësimin e të rinjve të fshatit me rregullat fetare, namazin, lutjet e ndryshme etj.”

   Nga ana e tij, imami i xhamisë së Trushit, është një djalë i ri, i qeshur, i thjeshtë, komunikues. Që në momentin e parë të takimit tonë na mirëpret dhe na përgëzon për vizitën. Pasi përqafohemi ngohtësisht, ai bën me shenjë nga mihrabi dhe ulet në rreshtin e parë, me pjestarët e tjerë të xhematit. Na tregon se në xhaminë e këtij fshati është rregull që para ezanit të jacisë të mbahet vasë e më pas të vazhdohet me faljen e namazit të fundit të kësaj dite, teravisë dhe vitrit.

   Në dersin e kësaj nate, u shpjegova të pranishëmve disa nga kuptimet dhe mësimet që dalin nga hadithi i Ebu Hurejrës (r.a), i cili thoshte se i dërguari i All-llahut (a.s), ka thënë: “Çdo pune të mirë të birit të Ademit i shumëzohet për dhjetë deri në shtatëqind të mira. All-llahu thotë: “Përveç agjërimit! Ai është Imi dhe Unë e jap shpërblimin e duhur për të! Njeriu lë epshet, pasionet dhe ushqimin për hatrin Tim!” Agjëruesi ka dy gëzime, njërin kur bën iftar dhe tjetrin ditën kur do të takohet me Zotin e tij...”[1]

   Teksa flet, vëren dukshëm se të gjithë të ndjekin me vëmendje dhe vërejnë çdo lëvizje tënden. Të gjithë janë të dhënë pas fjalës së pejgamberit (a.s). Buzëqeshin, pohojnë me kokë, përloten, sërish pohojnë me kokë e herë pas here shohin njëri-tjetrin në sy, si për të vërtetuar përqendrimin e tyre para fjalës së të dërguarit (a.s).

   Duaja në shqip, menjëherë pas dersit, është si një kurorë mbarësie në fund të tij. Duaja ka një efekt të veçantë në zemrat e të pranishëmve. “Amin, amin!”, i ndjen teksa përcjellin me zemër çdo lutje e çdo fjali të saj! Jo më kot i dërguari i All-llahut (a.s), na ka mësuar se: “Lutja është truri i adhurimit”!

   Namazin e jacisë e drejton imami i xhamisë. Pas tij, para mihrabit vendoset thirrësi islam Lavdrim Hamja. 20 rekatet e teravisë pas tij kalojnë shpejt, plot kënaqësi e njëkohësisht të dhurojnë sirret e çdo rekati prej rekateve të kësaj nate.

   Në përfundim të virdit, pasi përqafohemi, shtrëngojmë duart dhe bëhemi gati të dalim, të gjithë na urojnë dhe me lutjet e tyre na përcjellin me ngrohtësi duke na kërkuar që mos ta harrojmë xhaminë e tyre edhe pas kësaj nate.

   Duke u larguar nga xhamia e Trushit, diku në sfond, hëna e kësaj nate, që ka nisur “të rritet”, ka zënë vend pranë minares. Duke i dhënë ndriçim asaj, edhe ajo sikur lutet për ne dhe na uron me zemër...

   Rrugës drejt qytetit, shumë shpejt momentet e këndshme të kaluara në shoqërinë e xhematit të xhamisë së fshatit Trush kthehen në kujtime të mira e të paharruara. Në kujtime që ia vlen të mbeten në letër e të lexohen edhe pas kësaj nate...



[1] Transmetuar nga Muslimi.

  

Teravia e tetë, në fshatin Trush
Teravia e tetë, në fshatin Trush
Teravia e tetë, në fshatin Trush
Teravia e tetë, në fshatin Trush
Teravia e tetë, në fshatin Trush
Teravia e tetë, në fshatin Trush