Teravia e shtatëmbëdhjetë, në xhaminë e fshatit Melgushë

(Shkodër, më 16 shtator 2008)  

   Rrugës për në xhaminë e fshatit Melgushë, po mendoja rreth mrekullisë së këtij muaji dhe sesi ai i bën njerëzit më energjikë, më dobiprurës, më të angazhuar drejt mirësive e punëve në shërbim të komunitetit.

   Këtë e vërteton edhe fakti se në të shumtën e rasteve, gjatë një sondazhi të lirë që kam zhvilluar me besimtarë të xhamive të vizituara, por edhe me ata që më rrethojnë çdo ditë, vërej se angazhimi i tyre është më produktiv, dita më e qetë e, shqetësimi kryesor i të sëmurëve të shoqërisë tonë “barku bosh”, inekzistent!

   Tjetër fakt interesant, që i jep ngjyresa mrekullie këtij muaji, është pikërisht sofra e iftarit me begatitë e saj. Në netët e Ramazanit, kjo sofër është mundësi e madhe për çdo shtresë të shoqërisë për të shijuar mirësitë dhe begatitë prezente të këtij muaji në atmosferën tonë! “Bereqet, bereqet”, thonë më të moshuarit, gjë që e vërejmë dhe e  prekim dita-ditës, pa asnjë dyshim, duke filluar me kohën, aktivitetin ditor, marrëdhëniet me të tjerët e duke përfunduar te sofra e bukës..!

   Sofrat e iftarit mbledhin njerëz të largët, afrojnë zemrat e të ftuarve dhe njëkohësisht janë mundësi e mirë njohjeje me njerëz që nuk i kemi njohur më parë. Ato, i japin mundësi të zotëve të qëllimeve të larta e fisnike në shoqëri, thirrësve islamë, për të shërbyer në sofrat e begatisë ramazanore nga menuja e fesë, nëpërmjet përshëndetjeve, lutjeve të ndryshme, pa neglizhuar faktin se vetë ftesa e iftarit është një mjet i rëndësishëm që i shërben Thirrjes Islame, pavarësisht rrethanave të tjera plotësuese të saj!

   Sonte, sëbashku me disa prej vëllezërve, organizuam një iftar, ku ishin ftuar edhe disa nga pjesëtarët e rregullt të xhematit të xhamisë Tophanë, por jo vetëm.

   E veçanta e sofrës, ishte harmonia, bisedat e frytshme, lutjet e përbashkëta, njohjet e reja, urimet për të mirën e xhamisë tonë etj. Ishte një sofër, ndryshe nga sofrat e tjera! Ndryshe nga çdo sofër..!

   Rrugës për në xhaminë e Melgushës, drita e hënës, më e plotë se asnjëherë tjetër, është udhërrëfyese. Pak pa mbërritur te pikëreferimi ynë, dritat e minares 15 metërshe, bëjnë shenjë nga vetja...

   Në hyrje të xhamisë gjejmë ca djem të rinj, të cilët presin thirrjen e ezanit për të hyrë në xhami për kryerjen e faljes. Selami i afron pranë nesh. Përshëndetemi dhe hyjmë sëbashku në xhami. Në mihrabin e saj, me fytyrë nga xhemati, imami i kësaj xhamie, studenti Leonard Terziu, nga Peshkopia po këndon sëbashku me të pranishmit, suret e fundit dhe lutjen e hatmes. Ulemi dhe marrim pjesë në këtë këndim të dobishëm dhe bëhemi pjesë e tij. Imami kërkon që të bëj lutjen dhe.., te gjithë thonë “Amin!”, pas çdo fjalie, pas çdo lutjeje në gjuhën shqipe, që disa i bën të hapin sytë me kureshtje. Ndoshta nuk kanë dëgjuar më parë lutje në shqip..?! Ndoshta, po. Sidoqoftë, lutja me gjuhën që të ka dhënë Vetë Zoti, është fisnikëri dhe njëkohësisht mirënjohje ndaj Krijuesit Fuqiplotë për atë që të ka dhënë!

   Momenti i ezanit afrohet dhe një dëshirë e brendshme më nxit të marr mikrofonin dhe të bëhem muezin i jacisë së shtatëmbëdhjetë të këtij Ramazani, në xhaminë e Melgushit.

   Namaziin e jacisë, tervinë dhe vitrin e ndajmë sëbashku me imamin dhe thirrësin islam Lavdrim Hamja.

   Dersi i teravisë dhe lutja pas tij, janë hiseja e të pranishëmve, në këtë natë.

   Në përfundim, përqafohemi, shtrëngohemi duarsh dhe sëbashku ndajmë kënaqësinë e të jetuarit me namazin e natës së Ramazanit!

    Është natë. Teksa kthehemi për në Shkodër, hëna sërish del në skenë dhe shfaqet në të djathtën tonë. Duket e mbushur me kënaqësi dhe rrezaton dritën e bardhë të kësaj nate plot dritë... Është nata e shtatëmbëdhjetë e këtij Ramazani, që avash – avash, merr t’i lërë vendin një dite të re, plot agjërim, adhurime, lutje...

  

Iftari i 17, me xhematin e Tophanes
Iftari i 17, me xhematin e Tophanes
Iftari i 17, me xhematin e Tophanes
Teravia e shtatëmbëdhjetë, në xhaminë e fshatit Melgushë
Teravia e shtatëmbëdhjetë, në xhaminë e fshatit Melgushë
Teravia e shtatëmbëdhjetë, në xhaminë e fshatit Melgushë
Teravia e shtatëmbëdhjetë, në xhaminë e fshatit Melgushë