Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e shtatë,
në xhaminë e fshatit Drisht
(Shkodër,
më 6 shtator 2008 )
“Katundi i Drishtit – dikur qytet në
zâ – qi âsht nji nga mâ të mëdhajat katunde të Postrribës,
fillon ç’prej urës së Mesit fill për të gjatë rruge bregu Kiri
gjith kund, n’e rrmaktë, deri në Rrasek e mandej në të dy
brigjet e shkon deri sosë Amaraj, deri aty ku ky lum rrëxohet,
përtej urës së Vizit...
Shumica e këtij vêndi âsht shkamb, gurishtë, rreshpe e
bokë e kuqe...”[1]
Ky është një përshkrim i shkurtër, bërë shumë kohë më
parë për fshatin e Drishtit, drejt së cilit jemi nisur sonte, në
kërkim të kënaqësisë hyjnore, namazit të teravisë, dhikreve,
lutjeve e takimit me vëllezërit tanë atje.
Teksa kalonim mbi urën e Mesit, errësirës që dominonte
përreth i jepte dritë, me dritën e saj, hëna e re e këtij muaji
të madhërueshëm, që kishte hyrë në natën e saj të shtatë. Ajo,
me shkëlqimin rrezatues që e karakterizon, përveç kënaqësisë së
vështrimit drejt saj, na bëhej edhe shoqëruese e sjellshme, në
rrugëtimin tonë drejt xhamisë së Drishtit, për të falur teravinë
me besimtarët atje.
Nga aty, rruga drejt fshatit Drisht është shumë e
vështirë. Kushedi qysh kur nuk është vënë dorë mbi të?! Kushedi
kur u është bërë premtimi i fundit banorëve të kësaj zone për
miradi e mrekulli, nga ndonjë sharlatan mashtrues, vjedhës
votash?!
Kudo errësirë, rrugë të shkatërruara, gurë, pluhur, erë
varfërie e nëpërkëmbje! Ah, shqiptarët e ngratë dhe mjerimi i
tyre që i ndjek kudo, hap pas hapi, qeveri pas qeverie, deputet
pas deputeti, zgjedhje pas zgjedhjesh! Shqipëria evropiane?!
Me dritat e makinës, arrijmë të orientohemi disi dhe bri
një lokali të mbyllur, marrim kthesën për të hyrë në një
qorrsokak, në të majtë të së cilit ndodhet xhamia e vjetër e
fshatit Drisht.
Xhamia e këtij fshati është e moçme[2]
dhe thuajse përdhese, ndonëse aty-këtu shihet dora e meremetimit
nga banorët e këtij fshati. Shihet tavani prej dërrase, muret e
brendshme të veshura poashtu me dërrasë etj. Por, gjithësesi,
ajo mbetet në
gjendje të varfër e me shumë nevoja për të qenë një xhami
shumëfunksionale e një qendër e mirëfilltë bashkëkohore për
besimtarët frekuentues të saj, ndonëse pasuritë vakëf nuk i
mungojnë! Edhe pse e pasur në pamje të parë, tokat e xhamisë
duken të zaptuara e të tjetërsuara, si shumica e vakëfeve në
vendin tonë, ku gjurmët famëkeqe të murtajës femohuese komuniste
nuk ka shi qytetërues që t’i fshijë!? A u merret qira
tjetërsuesve të tokave vakëf të kësaj xhamie? Nëse po, a
shfrytëzohen ato të ardhura për restaurimin dhe mirëmbajtjen e
këtij institucioni islam me vlera historike (duke parë edhe
lashtësinë e saj)? E nëse jo, deri kur?
Këto janë disa pyetje dhe reflektime që të vijnë vetvetiu
teksa merr të hysh në xhaminë e vjetër të Drishtit, në murin
ballor të së cilës varet një foto e Marubit të famshëm, që
tregon mjaft qartë e bukur hijeshinë dhe madhështinë e minares
së gurtë të kësaj xhamie, kohë më parë..!
Në hyrje të xhamisë, në krah të majtë, është improvizuar
një abdeshane, me disa çezme që i shërbejnë kujtdo që ka nevojë
të pajiset me abdes, para faljes së namazit. Faltorja, disa hapa
më tutje, përbëhet nga mihrabi, i punuar thjeshtë dhe i
zbukuruar me dy perde me ngjyrë të gjelbërt e të kuqe. Minberi,
është një punim dërrase, i thjeshtë, me disa këmbë shkallë. Bri
tij janë varur disa peshqirë, që kushedi se pse janë lënë aty,
sepse vetëm aty nuk është vendi i tyre!
Në krahun tjetër të minberit ndodhet një raft i vogël, në
këmbë, në brendësi të së cilit janë vendosur disa libra. Ai,
kryen edhe funksionet e një minibiblioteke që i ofron
besimtarëve prej “mirësive” të saj, saherë kanë nevojë. Ky fakt,
padyshim që duhet përshëndetur dhe inkurajuar për mirë, sepse
mbart në vetëvete elementë qytetërues, që e kanë burimin te
xhamia!
Megjithëse nuk i mungon elektrifikimi, muret e xhamisë së
Drishtit janë të veshura edhe me kandilë me pasqyrë, që me
siguri janë pjesë e traditës së lashtë të kësaj xhamie. Ata, në
njëfarë mënyre, janë urë lidhëse e bashkëkohores me traditën dhe
gjurmët e lashtësisë së “xhamisë së Hebibajve”, siç quhej
ndryshe kjo xhami.
Xhamia e Drishtit është e shtruar me tapeta shumëngjyrësh
e rrypina të ndryshme, që e zbukurojnë atë dhe njëkohësisht i
vijnë në ndihmë xhematit në momentin e rreshtimit për namaz.
Ndonëse me një xhemat jo të pakët në numër, xhamia e
Drishtit është e qetë, e paqtë. Dominon butësia e kësaj nate
plot mëshirë. Teksa hyjmë në ambientin e faltores, më të vjetrit
ngrihen në këmbë dhe me urime e lutje dashamire vijnë drejt nesh
duke na shtrënguar duart e duke na përqafuar. Janë të kënaqur që
xhaminë e tyre nuk e kanë harruar në këtë Ramazan, ndonëse
realiteti i përgjithshëm i saj dëshmon të kundërtën..! Edhe
xhamia e Drishtit, si shumë xhami të tjera të Shkodrës, ka kohë
që është lënë në harresë dhe vazhdon..!
Megjithatë, ky fakt nuk i ka penguar më të rinjtë e
përkushtuar të kësaj xhamie që të lexojnë e të fitojnë dituri,
për t’ia përcjellur më pas vëllezërve të tyre në xhami. Këtë, e
pamë edhe në xhaminë e Drishtit, ku në momentet e hyrjes tonë,
pranë mihrabit ishte ulur një i ri, që me shumë përkushtim po u
lexonte hadithe të përzgjedhura besimtarëve të pranishëm. E
falënderova me zemër “vaizin” e ri të kësaj xhamie, për
iniciativën e tij, në shërbim të fjalëve të të dërguarit të All-llahut
(a.s)!
Falja e namazit të jacisë, pasuar nga teravia, paraprirë
nga një ders mbi vlerat dhe dobitë e agjërimit, ta shtojnë edhe
më tepër dëshirën për të qëndruar sa më gjatë në këtë xhami të
thjeshtë, thuajse përdhese, por me njerëz të mirë, të dashur,
bujarë, besimtarë!
Pas përfundimit të riteve fetare dhe lutjes së gjatë në
gjuhën shqipe, sëbashku me thirrësin islam Lavdrim Hamja,
përqafohemi ngrohtë me xhematin e xhamisë së Drishtit me
dëshirën e mirë të ritakimit dhe marrim të largohemi, prej nga
kemi ardhur.
Teksa dalim nga xhamia e Drishtit, errësirën e natës, e
thyen drita e largët e yjeve të panumërt që qëndrojnë mbi kokat
tona. Teksa i sheh, vëren harmoni! Ata ngjajnë me fenerë
ndriçues, shumë larg e shumë lart mbi ne. Aq larg e lart, sa
distanca e realitetit të kësaj xhamie e kësaj zone me
vërtetësitë e dëshirave dhe lutjeve të sinqerta, për mirëqenie
dhe begati të saj!
[1]
Hashim Koplikaj,
“Postrriba”,
në revistën “Cirka”, viti II, nr. 26, 18.7.1937, fq.
175.
[2]
Në lidhje me vjetërsinë e saj, kam
gjetur të shkruar se:
“Xhamija,
qi
âsht me nji minare latue për bukuri, me sarrafe prej
hekurash kafazlí, me gjith se âsht andej ure e prroni,
mban êmnin e kësaj lagje:
Xhamija Hebibaj”-
Shih:
Hashim Koplikaj,
“Postrriba”, në revistën “Cirka”, viti II, nr. 27,
1.8.1937, fq. 195..
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |







