Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e pestë,
në xhaminë e fshatit Bardhej
(Shkodër,
më 4 shtator 2008)
Kjo natë e
begatë e xhumasë, do më mblidhte me vëllezërit e mi në xhaminë e
fshatit Bardhej, në sofrën e namazit të teravisë.
Vit pas
viti, xhamia e re e fshatit Bardhej, ka pësuar një evolucion të
dukshëm për sytë e mi, gjë që vihet re menjëherë pasi ke lauar
pragun e portës hyrëse në oborrin e saj, pa përmendur hyrjen në
xhami.
Sipas
dëshmive të imamit të teravisë, hatibit të kësaj xhamie, z. Ilir
Dizdari, por edhe të shumë besimtarëve të tjerë, që më rrethojnë
me përzemërsi: “Që në ditët e para të prag-Ramazanit të
sivjetshëm, djemtë e rinj[1]
dhe vajzat e xhamisë[2],
janë angazhuar maksimalisht për rregullimin e territorit të
jashtëm të saj. Me duart e tyre kanë sheshuar oborrin, e kanë
pastruar atë dhe i kanë dhënë pamjen e një kopshti të begatë që
sëbashku me frekuentuesit e tij, mezi presin ardhjen e mikut të
madh, muajit Ramazan”!
Dhe, teksa
hyn në këtë oborr “të sheshuar e të pastruar”, e prek dukshëm
realitetin e dëshmisë së tyre. Çdo gjë përreth teje flet vetë!
Edhe pemët
zbukuruese të këtij mjedisi, sikur dëshmojnë për përkushtimin
dhe dashurinë e tyre për xhaminë-faltore-shkollë të rinisë së
fshatit Bardhej!
Edhe gurët e
oborrit, sikur dëshmojnë për hapat e tyre, që kushedi sa dhjetra
e qindra herë në ditë shkelin mbi to, në hyrje e dalje nga
xhamia, në frekuentim të riteve fetare që kryhen në të!
Edhe flladet
mëshironjëse të kësaj nate, sikur dëshmojnë për entuziazmin e
tyre legjitim, me rastin e ardhjes së muajit të madhërueshëm të
mrekullisë së madhe universale, Kur’anit Famëlartë!
Çdo gjë
përreth, sikur dëshmon..!
Namazin e
teravisë e drejtoi, imami i saj, z. Ilir Dizdari (njëkohësisht
imam i xhamisë Tophanë). Në përfundim të saj, u ula në kursinë e
dersit për të folur mbi disa vlera të këtij muaji, i përqendruar
në hadithin e Ibni Abbasit (r.a), që thotë: “I dërguari i All-llahut
ishte më i miri i njerëzve dhe ishte më i mirë se asnjëherë
tjetër gjatë muajit të Ramazanit...”[3]
Hadithi i
lartpërmendur na fton që të rregullojmë diçka nga vetja jonë dhe
të japim më të mirën në ditët e tij. Thënë ndryshe, Ramazani, me
agjërimin e tij, leximin dhe kuptimin e ajeteve të Kur’anit,
namazin e teravisë (çdo natë njëzet rekatë) që kërkon vullnet
dhe durim, dhikret e vazhdueshme, veprimin e bamirësive,
kontrollimin e gjuhës, ndalimin nga thashethemet, privimin nga
shumë gjëra të lejuara jashtë tij etj., bën që njeriu
(besimtari, në këtë rast), për një muaj të tërë, të “trajnohet”
për të bërë më të mirën e mundshme me dëshirën dhe vullnetin e
tij. Pra, kompleksi hyjnor, edukativ dhe rigjenerues i vlerave
më të larta të njeriut, i quajtur: Ramazan, vjen një herë në
vit, një muaj të tërë, për t’i ofruar një mundësi të re njeriut
që të reformojë veten e tij dhe të arrijë në shkëlqimin e forcës
shpirtërore dhe mendore, për t’u kthyer në udhëzuesë solidë të
tij për një vit në vazhdim, për një jetë të tërë!
Gjatë dersit
të teravisë, në xhami prezantoi edhe imami i xhamisë së fshatit
Mes Myselim, thirrësi islam Altin Nikshiqi, që kthehej nga
shërbimi i tij fetar në xhaminë e fshatit “komshi” me Bardhejt.
Dersi u
mbyll me një lutje të gjatë në gjuhën shqipe, që lartësohej mbi
“amin-at” e të pranishëmve të përkushtuar në thelbin e
përmbajtjes së saj!
[1]
Është për t’u
theksuar se një pjesë e mirë e djemve të rinj të këtij
fshati janë nxënës shembullorë, që ndjekin me rregull
mësimet në medresenë
“Haxhi
Sheh Shamia”,
në Shkodër, duke filluar nga klasat e fillore e deri në
ato të mesme.
[2]
Njëkohësisht duhet përmendur me shumë respekt dhe
krenari se, shumë vajza të reja të këtij fshati, sikurse
dhe nënat dhe të afërmet e tyre, mbajnë me rregull
hixhabin e muslimanes, jo vetëm në ambientet e xhamisë
por edhe në jetën e përditshme!
[3]
Transmetuar nga Bukhariu.
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |




