Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e pesëmbëdhjetë,
në xhaminë e fshatit Zogaj
( Shkodër,
më 14 shtator 2008 )
Pastërti,
rregull, ndriçim, qetësi, shije! Këto janë pesë cilësi dhe
veçori, me të cilat mund të mburret fare thjeshtë xhamia e
fshatit Zogaj, buzë liqenit të madh të Shkodrës.
E lyer me të
bardhë nga jashtë, e rrethuar me një derë të hekurt, me punim
dekorativ, e ndriçuar
nga një prozhektor i madh në ballë të hyrjes dhe nga dritat
përreth ballkonit të minares, xhamia e Zogajve të fton që në
momentin e parë të kontaktit me të për ta vizituar e për t’u
falur në të.
Nga brenda,
xhamia është e mirëmbajtur, e pastër, tërheqëse, e ndriçuar
mjaft mirë dhe e gatshme të të dhurojë prehje dhe butësi
shpirtërore, të cilat nuk mungon t’i ndjeshë me të hedhur hapin
e parë në brendësi të saj.
Teravinë e
kësaj nate erdhëm ta falim pikërisht në xhaminë buzë liqenit, ku
kënaqësia gjatë faljes së namazit dhe prehja na u bënë
bashkëudhëtarë!
Ambienti i
faltores ishte i pajisur me të gjitha orenditë e nevojshme për
një xhami të vogël e mikpritëse.
Mihrabi, i
punuar me dekoracione orientale, kishte ndriçim të bollshëm, që
reflektonte ëmbëlsisht mbi ngjyrat e gjalla, që i shtonin
bukuri. Në ballë të tij ishte shkruar ajeti kur’anor: “Dhe (mua
më shpallet) se vërtet xhamitë janë veçant për ta adhuruar All-llahun,
e mos adhuroni në to askë tjetër me All-llahun!”[1],
e pak më poshtë, mbi kokën e tij, mbi pllakat e qeramikës, një
pjesë e ajetit kur’anor: “Pra, kthehu anës së xhamisë së shenjtë
(Qabes)”[2].
Minberi
ishte punuar me shumë delikatesë dhe shije, me dekoracione të
këndshme dhe qetësuese për syrin. Përballë tij, qëndronte një
minibibliotekë, në raftet e së cilës qëndronin sëbashku,
Mus’hafi Sherifë, librat e dijetarëve të shquar dhe ilmihalët e
ndryshëm me rregullat e abdestit, faljes etj. Pranë vendit të
imamit, në cepin e majtë të mihrabit, ishin vendosur dy
mikrofonë që shërbenin për të përcjellur zërin e prijësit të
namazit në ambientin e brendshëm, në minare e përreth xhamisë.
Xhamia ishte
e shtruar me parket, me tavan dërrase dhe veshje druri për
anësoret e mureve të saj.
Në xhaminë e
Zogajve, gjetëm imamin e saj, vëllanë e dashur, teologun Ylber
Rupa, me të cilin kam kaluar disa vite studimi në Damask të
Sirisë. Ai, i përket gjeneratës së parë të studentëve shkodranë
të dërguar për studime teologjike në Damask. Kur kam shkuar
atje, në fillim-shtatorin e vitit 1993, ai sapo kishte kryer
vitin e parë të Institutit të Gjuhës Arabe për joarabët dhe
vazhdonte të dytin. Në konviktin, ku jetonim sëbashku me
studentë nga 52 shtete, nga e gjithë bota, kemi lënë kujtime e
mbresa të paharrueshme, plot dashamirësi, përkushtim human,
ndihmë, sakrificë e harmoni.
Pas faljes
së jacisë, nën drejtimin e tij, teravia kaloi shumë ëmbël, me
një prehje shpirtërore e qetësi të pakrahasueshme. Ishte nata e
parë që drejtoja i vetëm njëzet rekatet e teravisë dhe vitrin e
jacisë, ndryshe nga netët e tjera, ku këtë e bënte thirrësi
islam Lavdrim Hamja, ose të dy sëbashku, duke e ndarë “hisen” e
rekateve në dy pjesë.
Pas lutjes
në gjuhën shqipe, në përfundim të virdit, kisha dëshirë të
shprehja kënaqësinë dhe qetësinë shpirtërore që gjeta në këtë
xhami e që m’u bë dhuratë në këtë natë të madhe. Isha i lumtur,
se përtej streseve të ditëve tona, thatësirës së realitetit të
përditshëm shqiptar e atij shkodran, egërsisë dhe arrogancës
rutine në rrugët e qytetit plot tymnajë djegjesh e smog
papërgjegjshmërie qytetare e shoqërore, kisha gjetur pak çaste
qetësie e visali, në prehërin e xhamisë së Zogajve, në skajin më
të largët të qytetit, atje, buzë liqenit, ku bashkohen pastëria
atmosferike, me dlirësinë e qiellit dhe freskia e ajrit me
transparencën e ujit që rrjedh i lirë në një botë të pafund e të
kaltërt..!
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|