Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e parë në xhaminë e Tophanës
(Shkodër, më 31 gusht 2008)
Ramazan 1429/2008
... Dhe
kthehet kjo hënë e re në mes nesh! Dhe kthehet ky muaj i
madhërueshëm i Ramazanit me begatitë, mirësitë dhe
ruhanijetin e tij! Dhe kthehet teravia e përkushtimit për të
ftuar besimtarët drejt mihrabeve të lutjes, adhurimit, faljes..!
Hyrja në
xhaminë e Tophanës, për namazin e teravisë sonte, shoqërohej
edhe me një gëzim tjetër, pos atij të fillim-Ramazanit të
sivjetshëm. Mesditën e sotme, xhamia jonë u pajis me tapet të
ri, i cili filloi të shtrohej pas namazit të iqindisë. E, teksa
besimtarët hynin në xhami për faljen e teravisë, habia nga pamja
e re dhe gëzimi legjitim, lexohej dukshëm në fytyrën e secilit
prej tyre. Si të thuash, xhamia kishte ndryshuar pamje, ishte më
e re, më e ëmbël, më e dritshme, më e zbukuruar me stolitë e
këtij muaji të madhërueshëm, nata e parë e së cilit i solli
xhamisë së Tophanës jo pak mbarësi!
Xhaminë,
fillimet e së cilës datojnë në vitin 1617, e kishte mbuluar një
dritë e bardhë, ëmbëlsia e së cilës të bënte të strukeshe në
gjirin e saj, plot dashuri dhe mall. Ishte dashuri bardhësishë
dhe mall për netët e këtij muaji, hëna e të cilit u shfaq sonte
mbi qiellin e njerëzimit, si një dhunti rabbanite plot
mëshirë, falje dhe amnesti hyjnore.
Xhaminë e
Tophanës sonte, e kishin mbuluar dritat e natës së parë të një
Ramazani të mbarë e të begatë. Njerëzit përqafoheshin paqshëm në
mes tyre. Uronin muajin, këtë natë dhe.., nuk hezitonin me “elhamdu
lil-lah” në gojë të shtrëngonin duart edhe për pamjen e re,
tapetin e faljes që i shtonte xhamisë madhështi mbi madhështinë
e saj!
Thirrjes së
ezanit të jacisë i parapriu një ders i shkurtër, në të cilin
tërhoqa vëmendjen e besimtarëve të pranishëm drejt mirësive të
shumta, me të cilat All-llahu Mëshirëplotë na drejtohet e na
fton nga besimi dhe adhurimi i Tij. Përmenda me radhë,
ndryshimet e mëdha që ka pësuar kjo xhami në këto katër vite të
fundit, restaurimet e ndryshme, modifikimet në ambientin e
faljes e deri te risia më e re e saj, tapeti jeshil, dhurata më
e këndshme e këtij Ramazani për të.
Pastaj
prezantova para xhematit, imamin e teravisë, për krejt muajin e
Librit me harfe të nurta, teologun e nderuar Alban Kali,
bilbilin e Kur’anit, të cilin e ka veçuar All-llahu me dhuntinë
e këndimit të rrjedhshëm dhe me një zë tipik oriental, të Fjalës
së Tij.
Ai këndoi
edhe ezanin e jacisë së parë të këtij muaji. Me zërin e tij
kumbues na emocionoi të gjithëve. Nuk kishte sesi të fillonte më
mirë kjo natë e parë e teravisë së re të Ramazanit 1429, në
xhaminë e Tophanës.
Namazin e
jacisë e drejtoi thirrësi islam Lavdrim Hamja, i cili kthehej në
xhaminë e Tophanës pas një shërbimi shumë fisnik gjatë gjithë
sezonit veror në faltoren e improvizuar për pushuesit e plazhit
të Velipojës, në hotel “Argenti”.
Kjo natë e
begatë kishte mbledhur në sofrën e saj hoxhallarë të nderuar,
teologë punëtorë, njerëz të përkushtuar në shërbim të Thirrjes
Islame.
Muhamed Sytari
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |




