Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e njëzetetretë,
në xhaminë e fshatit Gur i Zi
(Shkodër,
më 22 shtator 2008 )
Rrugës për në fshatin Gur i Zi, na shoqëron një shi i lehtë, të
cilin e përplasë për xhamat e makinës tonë një erë e fortë, e
rebeluar, zëri i së cilës buçet gjithandej në hapësirat thuajse
të errësuara drejt fshatit të vogël.
Errësirës i shtohen edhe shtëllungat e dendura e të çmendura të
tymnajës së madhe që mbulon çdo ditë Shkodrën, nga djegia e
çoroditur e plehrave të një qyteti të mbushur me mbeturina e me
realitete që bien erë djegie...
Xhamia e fshatit Gur i Zi, qëndron mbi një kodrinë, duke bërë me
shenjë nga larg, me minaren e saj 13 metërshe. Ca drita qorre,
në ngjyrë kandili, ndriçojnë safallekun e saj, prej nga duket
një person në këmbë, i cili duket se pret. Kushedi se çfarë, a
kë pret..? Minarja e xhamisë, sonte është e fikur. Kushedi, pse?
Ndoshta nga varfëria e fshatit, ndoshta nga ndjenja e kursimit
e, ndoshta...
Në
oborrin e xhamisë vërehet një gur i madh varri, mbi të cilin
lexohet qartë “Merhumi Kasem, i biri i Husejnit – El-Fatiha” dhe
data “1278 hixhri”. Ngjitur me të, qëndron një kokë e madhe
varri që tregon se i zoti
i tij, duhet të ketë qenë një njeri i ditur a me pozitë
shtetërore.
Në
hyrjen e saj, xhamia e këtij fshati, ka edhe adresën egdhendur
mbi një pllakë mermeri, ku në gjuhën arabe shkruhet: “Bismil-lahirr-rrahmanir-rrahim.
Fondacioni i Ringjalljes së Traditës Islame realizoi xhaminë e
Amina Rashid dhe Taha Husejn. 2/96, Gur i Zi - Shkodër”.
Në
brendësi të saj xhamia e fshatit Gur i Zi ka disa të përbashkëta
me xhaminë e fshatit Mjedë, duke filluar me pjesën e mihrabit,
në formën e një aneksi të madh, gjerësinë e faltores, pjesën e
jashtme të safallekut etj.
Xhamia, ndonëse në përmasa optimale për veprimtarinë fetare të
këtij fshati, në këtë natë teravie duket e boshatisur. Një i
moshuar, thotë se imami është ftuar për iftar në një fshat
tjetër, ndërsa muezini ka një rast familjar. Xhemati i pakët,
pjesa më e madhe e të cilit janë fëmijë, duket se akoma nuk
është ambientuar si e sa duhet me etikën e xhamisë dhe edukatën
e të qëndruarit në të. Ndonëse, mirësia dhe elementë të tjerë të
sinqertë besimi duken qartë në përkushtimin e tyre për të
qëndruar besnikë t namazit të teravisë njëzet rekatëshe,
besnikë të xhamisë së tyre!
Namazin e jacisë dhe rekatet e kësaj nate i ndajmë sëbashku me
thirrësin islam Lavdrim Hamja, i cili nuk heziton herë pas here,
të japë këshillat e tij të ngrohta për të rinjtë e xhamisë.
Në
përfundim të vitrit të jacisë dhe virdit të kësaj nate, një
këshillë fetare, është e domosdoshme, pa përmendur faktin e
kthimit të saj në traditë të bukur e me vlera, në netët e këtij
muaji.
Teksa flas para tyre, mbushem me emocione legjitime, që krijohen
në tubime të tilla, ku forca e besimit dominon mbi realitete
varfërie, ku dëshira për të ditur, kapërcen pengesat e
injorancës, ku përkushtimi ndaj All-llahut, mundë tendencat
xhahile të një realiteti province!
Sëbashku me të rinjtë e xhamisë, nuk ngurojmë të bëjmë edhe pak
humor, brenda etikës së Ramazanit dhe harmonisë me vendin e
xhamisë.
Duke u larguar nga ky fshat, përshëndetemi përzemërsisht me
xhematin e tij dhe lutemi me zemër për përmirësimin e realitetit
të kësaj xhamie dhe nivelit të xhematit frekuentues të saj.
Duke u larguar nga fshati Gur i Zi, lutemi me zemër që
mirëqenia, begatia dhe mëshira e All-llahut, t’i përfshijë këta
njerëz dhe tokën e tyre, me shpresën se lutjet që dalin nga
zemra, sidomos në netë Ramazani, gjejnë dyer të hapura
përgjigjesh...
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|