Teravia e njëzetetetë, në xhaminë e fshatit Bushat

(Shkodër, më 27 shtator 2008) 

   Mbrëmja e kësaj nate filloi me iftarin e këndshëm me nxënësit e klasës së VII b të medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, në një prej restoranteve të qytetit të Shkodrës. Atmosfera e kësaj sofre ishte shumë e gëzueshme dhe e paqtë, si bota e fëmijëve tanë, të cilët kishin ardhur në iftarin e tyre me shumë dëshirë, të shoqëruar nga prindërit e të afërm të tyre. Sëbashku me ne prezantonte edhe drejtori i medresesë, z. Kujtim Dervishi dhe thirrësi islam Lavdrim Hamja. Përshëndetjet dhe urimet e tyre, ia shtuan edhe më shumë bukurinë dhe vlerat këtij iftari.

   Pas faljes së namazit të akshamit, u drejtuam për faljen e namazit të teravisë

   Në xhaminë e fshatit Bushat, mbërritëm disa minuta para ezanit të namazit të jacisë. Te dera e hyrjes, një djalë i ri, me fesin blu në kokë, na shoqëroi drejt një zyre, ku ndodhej drejtori i Qendrës Islame të Bushatit, njëkohësisht imam i kësaj xhamie, Hafiz Shukri Kapllan.

   Bisedat e përzemërta rreth muajit të madhërueshëm dhe aktiviteteve që zhvillohen në të, ishin kryefjala e kësaj pritje të ngrohtë, në zyrën e hafizit, që shërben nga shumë kohë në vendin tonë për pasurimin e jetës fetare nëpër xhamitë e ndryshme të rrethit etj.

   Xhemati i xhamisë së fshatit Bushat, janë njerëz mikpritës, besimtarë, dashamirë e të përkushtuar. Realiteti i xhamisë në këtë natë ishte dëshmitari më i mirë i këtij pohimi. Më të moshuarit kishin sjellur me vete më të rinjtë duke krijuar në këtë mënyrë një mozaik moshash, që në safet e namazit rreshtoheshin të barabartë, me fytyrat e tyre nga kibla e përbashkët, drejt një bote të pastër e të bardhë, plot dritë tekbiri, tehlili, tahmidi, tesbihi...

   Ezani i jacisë, me zërin mistik të hafizit, ftoi ëmbël zemrat tona drejt namazit. Jacia dhe teravia, pas saj, që u drejtuan nga imami i xhamisë, reflektonin tërheqje të pastra sufiste, nëpërmjet të cilave të pasurohet realiteti i brendshëm shpirtëror i secilit prej xhematlinjve.

   Në përfundim të namazeve të kësaj nate, imami i xhamisë prezantoi para xhematit dy miqtë e kësaj nate dhe më pas më ftoi për të mbajtur një vasë para tyre.

   Në netët e fundit të Ramazanit, temat e derseve kryesisht sillen rreth mirësive të Natës së Kadrit, dobive të saj, mundësive që i jepen pjestarëve të ymetit islam për të mbushur duart plot shpërblime hyjnore, me kryerjen e veprave të mira e bamirësive të ndryshme në këtë hapësirë kohore të rrethuar nga paqja: “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.[1]

   Në përfundim të dersit të kësaj nate, lutja në gjuhën shqipe ishte mbyllja më e mirë, me shpresën e madhe të përgjigjes, me mëshirën dhe butësinë e All-llahut ndaj nesh.

   Duke u larguar nga xhamia e Bushatit, e kuptonim fare mirë se teravisë po i afrohej fundi. Asaj nuk i kishte mbetur përveçse edhe një natë, e nesërmja, pas së cilës ajo do të largohej prej nesh drejt dyerve të ndërmjetësimit hyjnor.

   Kënaqësia e kësaj nate shoqërohej edhe me emocionet e pritjes së një nate të madhe, pas së cilës orët e këtij Ramazan, do të vlenin më shumë se floriri...                                                   



[1] Kur’ani: 97:3-5.

  

Iftari me klasen e VII-b, 27 Ramazan
Teravia e njëzetetetë, në xhaminë e fshatit Bushat
Teravia e njëzetetetë, në xhaminë e fshatit Bushat
Teravia e njëzetetetë, në xhaminë e fshatit Bushat
Teravia e njëzetetetë, në xhaminë e fshatit Bushat
Teravia e njëzetetetë, në xhaminë e fshatit Bushat