Muhamed Sytari
thirrës islam
Një natë e mbushur plot kënaqësi përkushtimi dhe atmosferë
harmonie...
(Shkodër,
më 24 shtator 2008 )
Nata e
njëzetepestë e këtij Ramazani, erdhi me mirësinë dhe butësinë e
saj, duke na dhuruar njëkohësisht kënaqësi përkushtimi dhe
atmosferë harmonie, në një shoqëri të veçantë e të ndryshme nga
shoqëritë e netëve të mëparshme.
Historia e
kësaj nate të gjatë nisi me sofrën e iftarit, kaloi nga dera e
xhamisë së Tophanës, në atë të Plumbit, në atë të Pazarit dhe
përfundoi në ambientet e mrekullueshme të xhamisë së Parrucës.
Sonte kisha
të ftuar në sofrën e iftarit drejtorin e shkollës teologjike,
pranë seminarit jezuit, në Shkodër, atë Mario Imperatorin,
drejtorin e revistës papnore për studimet arabo-islame, “Islamo-Cristiana”,
në Romë, prof. Valentino Cottini. Mik i atë Marios, ishte edhe
z. Vlash Plepi, pedagog në Akademinë Teologjike Orthodhokse, në
Durrës. Sëbashku me ne, në këtë iftar ishte edhe thirrësi islam
Lavdrim Hamja dhe miku im, me banim në Itali, Adnan Zekja. Për
kënaqësinë e kësaj sofre dhe timen njëkohësisht, me ne u bashkua
edhe pronari i restorantit “Tradita”, z. Gjon Dedvukaj.
Që në
momentet e para të pragiftarit të kësaj nate, bisedat tona
sillen rreth besimit, fesë, mesazheve të Ramazanit dhe sinjaleve
të mrekullueshme që rrezaton ai në drejtim të dialogut ndërfetar,
pasi tradita e agjërimit nuk u përket vetëm muslimannëve: “O ju
që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte
obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të
bëheni të devotshëm”[1].
Fillimi i
iftarit shoqërohet me një lutje të përbashkët, në të cilën i
drejtohem Krijuesit Fuqiplotë për harmoninë e përbashkët,
forcimin e urave të dialogut dhe paqes, kudo në botë dhe
dëshirën që kjo sofër dhe ky takim të mos mbeten jetimë...
Prof.
Cottini, ësht një mesoburrë, me fytyrë të qeshur, komunikues
dhe modest. Herë pas here, në të foluren e tij, shfaqen edhe
disa fjalë arabe, me të cilat ai mundohet t’i shtojë ëmbëlsi dhe
dashamirësi njohjes së re. Bisedat tona, përveçse thellojnë
njohjen reciproke, nxjerrin në pah rëndësinë e madhe të këtyre
sofrave, në gjirin e të cilave hidhen ide qytetëruese, hapen
dyer të reja e forcohen ura të vjetra komunikimi ndërfetar e
ndrëkulturor.
Atë Mario,
me të cilin jemi njohur që para një viti, është një jezuit
zviceran, që flet një shqipe të kuptueshme dhe që është i dhënë
pas studimeve dhe letrave.
Ai, punon
vazhdimisht me studentët e tij për dialogun ndërfetar dhe hapjen
me Islamin dhe muslimanët, gjë të cilën e ka dëshmuar disa herë
duke ftuar personalitete islame të vendit tonë për të referuar
para studentëve të tij, për të shpjeguar ide dhe koncepte, mbi
dialogun ndërfetar dhe qëndrime të ndryshme të Islamit mbi
harmoninë ndërfetare.
Me z. Vlash
Plepi, njihemi nëpërmjet kësaj sofre të begatë, që ndër të tjera
shërben edhe për këtë prezantim të ri, me teologun orthodhoks.
Dhurata ime
për miqtë e këtij iftari, është libri i Dr. Ekmeluddin Ihsanoglu,
“Kultura e bashkekzistencës”, në gjuhën shqipe dhe atë angleze,
e cila mirëpritet me shumë kënaqësi nga të ftuarit e mi.
Me mbarimin
e iftarit dhe faljen e namazit të akshamit, nisemi drejt xhamisë
së Tophanës, ku të ftuarit e mi kanë dëshirë të ndjekin nga afër
kryerjen e riteve të faljes në një prej xhamive të Shkodrës.
Në xhaminë e
ndriçuar e të hijshme të Tophanës, atmosfera e këtij muaji
ndjehet në çdo cep të saj. Xhamia është e mbushur me besimtarë,
frekuentues të rregullt të namazeve, e të terevaisë në veçanti.
Në një
moment, pse jo historik për xhaminë e vogël të Tophanës, atë
Mario Imperatori, prof. Valentino Cottini dhe z. Vlash Plepi, në
shoqërinë time, janë para besimtarëve të kësaj xhamie, që ditë
pas dite po kthehet në një qendër të mirëfilltë të dialogut
ndërfetar e ndërkulturor, duke patur parasysh edhe takimet e
shumta intelektuale e besimore që zhvillohen këtu, herë pas
here.
Të gjithë
vështrojnë dhe presin me kureshtje. Pas prezantimit të të
ftuarve, fjalën e ka atë Mario, i cili, i emocionuar nga kjo
vizitë dhe pritja e ngrohtë e xhematit të Tophanës, i uron ata
përzemërsisht për muajin e Ramazanit dhe u dëshiron përkushtim
dhe lidhje të vazhdueshme me Zotin e Plotfuqishëm.
Prof.
Cottini, shpreh kënaqësinë e tij që është në mesin e muslimanëve,
në xhaminë e Tophanës. Ndër të tjera, thotë:
“Muaji
i Ramazanit është muaj i mikpritjes. Këtë e konstatova edhe në
iftarin e mrekullueshëm me hoxhën tuaj, sikurse po e shoh edhe
tani para jush. Ju uroj me zemër!”
z. Plepi,
nga ana e tij, shpreh kënaqësinë e të qenurit sëbashku me
muslimanët e xhamisë së Tophanës në lutjen e kësaj nate të
Ramazanit. Me këtë rast ai u uron atyre muajin e përkushtimit
dhe Fitër Bajramin, pas disa ditësh.
Pas
përshëndetjeve, të ftuarit zënë vend në karriga, ndërkohë që
drejtoj faljen e namazit të jacisë. Me përfundimin e tij,
përshëndetemi me xhematin e xhamisë Tophanë dhe sëbashku dalim
për të bërë një vizitë të shpejtë informuese rreth historikut të
kësaj xhamie, në ambientet e jashtme të saj. Duke vëzhguar nga
afër pjesën e vjetër të kësaj
xhamie të ndërtuar fillimisht në vitin 1617, ata
befasohen nga historia e saj dhe tjetërsimi i këtij objekti
fetar nga regjimi femohues.
Pas vizitës
në xhaminë time, largohemi drejt kibles së Islamit në vendin
ton, në xhaminë e Plumbit.
Unë mendoj
se çdo i huaj, që kërkon të vizitojë xhamitë e Shkodrës, duhet
medoemos të shkelë në xhaminë e Plumbit, për vetë pozitën e saj,
vlerat e shumta dhe elementet qytetëruese islame që ajo paraqet.
Për pak
minuta, jemi para xhamisë së lashtë, e cila që në pamje të parë
tërheqë vëmendjen e miqve të mi, që nuk ngurrojnë ta shprehin
haptas. Hyrja në ambientet e saj shoqërohet edhe me befasinë e
tyre për arkitekturën dhe madhështinë e saj.
Në xhami po
falen. Teravia i ka angazhuar njerëzit në namazin e tyre. Selami
i imamit shoqërohet me salavatin tradicional, pas së cilit,
kërkoj vëmendjen e të pranishëmve në xhaminë e Plumbit (ndonëse
të pakët në numër), për t’i prezantuar me miqtë e kësaj nate.
Ata, edhe njëherë, shprehin kënaqësinë e tyre që janë në mesin e
muslimanëve dhe i falënderojnë për mikpritjen dhe atmosferën e
xhamisë. Pasi përshëndetemi, imami, H. Mithat Myftija na
shoqëron deri në dalje. Me kërkesën e vizitorëve, ai merr të
shpjegojë për xhaminë, për kohën e themelimit të saj, për
veçoritë dhe vendin e saj për banorët e lagjes dhe mbarë
Shkodrës. Biseda e imamit, ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve,
që dëgjojnë me vëmendje dhe herë pas here nuk ngurrojnë të
pyesin e të sqarohen për ndonjë paqartësi.
Në mes
përqafimesh të ngrohta, largohemi nga xhamia e Plumbit drejt
faltores më të veçantë të qytetit tonë, asaj që duhet të tërheqë
vëmendjen e të gjithëve për shumë arsye, tek të cilat nuk duhet
të ndalem tani...
Në hyrje të
xhamisë së Pazarit, dëgjohen tekbiret e namazlinjve, të cilët
sapo kanë kryer teravinë dhe po bëjnë mbylljen e një hatmeje të
Kur’anit.
Para tyre,
vizitorët mbeten pa fjalë! Mikpritja dhe përzemërsia e tyre
është mahnitëse. Të gjithë na presin me dorë në zemër e të
buzëqeshur, vështrojnë drejt nesh. Lutemi sëbashku dhe marrim
prej tyre ëmbëlsi besimi që rrezaton kulturë e qytetari. Miqtë,
marrin të përshëndesin njëri pas tjetrit. Atë Mario, u drejtohet
edhe me këto fjalë: “Përtej vështirësive të jetës, duhet të
kuptojmë se Zoti na do të gjithëve!”, ndërsa profesor Cottini,
pasi shpreh mirënjohjen e tij për pritjen e ngrohtë, u
drejtohet: “Ashtu sikurse ky muaj është muaji i mikpritjes, që
po e gjej edhe në mesin tuaj, edhe unë ju them me zemër se jeni
të mirëpritur në zemrën time!”
Teksa dalim
nga xhamia e Pazarit, imami dhe kujdestari i saj, z. Bahri Ymeri,
nuk ngurron të nxjerrë nga xhepi i tij një shishe të vogël
parfumi me të cilën na lyen duart. Veprimi i tij i befason edhe
më shumë vizitorët, të cilët teksa e falënderojnë shprehin edhe
befasimin e tyre për këtë veprim të thjeshtë, dashamirë e human.
Pas xhamisë
së Pazarit, vijmë në xhaminë e Parrucës. Koha ka ecur e namazi i
teravisë sapo ka përfunduar dhe njerëzit janë shpërndarë nëpër
shtëpitë dhe vendtubimet e tyre. Megjithatë, hyjmë në ambientet
e brendshme të xhamisë së mrekullueshme të qendrës së Shkodrës.
Vizitorët,
mahniten nga bukuria e saj, nga shkrimet e shumta e të rralla,
ku në mesin e tyre, prof. Cottini, lexon me zë të lartë: “Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim”.
Vizita në
xhaminë e Parrucës, shoqërohet me historikun e saj, me vlerat që
ka kjo xhami edhe për faktin se ndërtuesi i saj nuk është as
arab, as turk, por një biznesmen musliman shqiptar, i cili me
veprën e tij, dha një shembull të mrekullueshëm të një
ringjalljeje islame shqiptare edhe pas kolerës vrastare
komuniste, edhe pas vërshimeve tjetërsuese të identitetit islam
të shqiptarëve, në ditët e para e në ato që pasuan, periudhën e
zezë ateiste!
Vizita në
xhaminë e Parrucës (që zgjat më shumë se vizitat e tjera),
sinjalizon edhe fundin e takimit tonë të përzemërt që filloi me
iftarin e kësaj dite, me namazin e jacisë në xhaminë e Tophanës,
vizitën në xhaminë e lashtë të Plumbit, në faltoren e veçantë të
Pazarit dhe në xhaminë më të re shqiptare, të Parrucës.
Profesor
Cottini, Atë Mario dhe teologu orthodhoks Vlash Plepi, janë
shumë të kënaqur nga takimi ynë dhe vizitat e kësaj nate
duarplot.
Teksa
përqafohemi, ata shprehin kënaqësinë e madhe për momentet e
bukura dhe të gëzueshme në mesin e muslimanëve.
Ishte një
natë e gjatë, e mbushur plot kënaqësi përkushtimi dhe atmosferë
harmonie.
Ishte nata e
njëzetepestë e këtij Ramazani plot mirësi e begati hyjnore!
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|