Teravia e njëzetenjëtë, në xhaminë e fshatit Barbullush

(Shkodër, më 20 shtator 2008)  

   Xhamia e fshatit Barbullush, për nga dimensionet e saj dhe përmasat e saj, është më e madhja xhami që kam parë gjatë vizitave të bëra gjatë këtij muaji, në faltoret e shumta të rrethit të Shkodrës.

   Në pamje të parë, sapo hyn në ambientet e saj, të duket se para syve ke tri faltore të bashkuara në një xhami të vetme, me ndarjet me harqe në mes tyre.

   Në hyrjen time të parë në këtë xhami konstatova dy fakte kontradiktore me njëra-tjetrën, që duhet të bien në vesh të çdo muslimani xheloz për fenë e tij e, në fund të fundit, në vesh të institucioneve jofunksionale e të përgjumura përreth nesh!

   Xhamia e këtij fshati, është ndër më të mëdhatë dhe më të përshtatshmet për t’u zhvilluar dhe pajisur me një qendër kulturore, me klasa për zhvillimin e kurseve, me një dhomë të posaçme për imamin e saj, me bibliotekën e shumëdëshiruar për çdo xhami e të tjera ambiente të domosdoshme për një qendër të mirëfilltë islame bashkëkohore. Nga ana tjetër, kjo xhami është ndër më të varfërat dhe më të dëmtuarat që kam parë deri më sot, përsa i përket ambienteve të saj! Çudi, si nuk ia ka vrarë syrin askujt gjendja e saj deri më sot?! Çudi, si nuk është shkruar asgjë për hallet e dertet” e saj?! Çudi, si nuk është hapur asnjë fjalë për varfërinë shkatërruese të realitetit të saj?! Vallë, kush është përgjegjës për të? Kujt i përket kjo xhami? Kush duhet të japë llogari, që deri më sot, nga rreth nëntëmbëdhjetë vite jetë të kësaj faltoreje me përmasa të admirueshme, 30m x 20m, nuk i është dhënë asnjë dorë ndihme, mbështetje financiare, rikonstruksion etj., all-llahumme, përveç kontributit të banorëve të këtij fshati për përmirësimin e disa prej dëmtimeve më serioze të saj, kohë më parë? Kush?

   Më të vjetrit e kësaj xhamie, si muezini i saj Qazim Kasemi, plaku i urtë 84 vjeçar Rasim Xhelë Bregu etj., teksa tregojnë për të dhe realitetin në të cilin gjendet, me mure që duket sikur po bien nga vjetërsia e lodhja (xhamia e fshatit Barbullush, para viteve ’90 ka shërbyer si vatër kulture), iu shëndrisin sytë nga djegia e zemrës. Ata kanë të drejtë, por...

   Namazin e teravisë së kësaj nate, sëbashku me thirrësin islam Lavdrim Hamja, të përkushtuar e besnik ndaj shërbesave të këtij muaji në çdo xhami që kemi vizituar, natë për natë, vendosëm ta falnim pikërisht në xhaminë e fshatit Barbullush.

   Nuk mund ta fsheh kënaqësinë e të falurit pas imamit të saj, Ervis Molla, zërin e të cilit e karakterizon një mekam mistik me nuanca turke, saqë, për pak, më bën të mendohem e të besoj se ka ardhur nga lag për të shërbyer në këtë xhami. Këndimi i tij i ëmbël dhe i rregullt të merr për dore drejt kohërave ku është Mevlana i madh, poeti i shqauar i sufizmit të pastër islam, nga zemra të cilit dalin vargjet e mëposhtme:

   Shpirti që nuk ka si simbol të tij dashurinë e vërtetë është më mirë të mos ekzistojë, pasi ekzistenca e tij kështu, është vetëm turp!

   Ji i mbushur me dashuri, pasi krejt gjithësia është dashuri dhe pa bashkëpunuar me dashurinë nuk mund të arrihet tek i dashuri. Thonë çfarë është dashuria? Thuaj: Të heqësh dorë nga vullneti! Dhe ai që nuk heqë dorë nga vullneti i tij, është njeri pa vullnet!

   I dashuri është mbret ndërsa botrat pluhur para këmbëve të tij! Mbreti asnjëherë nuk e sjellë kokën nga ajo që është hedhur para këmbëve të tij!

   Dashuria dhe i dashuri do të jenë deri në përjetësi, prandaj mos e lidh zemrën tënde me diçka tjetër pos tyre, sepse do të jetë një shfaqje me fund![1]

   Kënaqësia e të falurit pas tij, të bën të harrosh për pak çaste dhembjet e xhamisë, mbi tokën e së cilës po falemi e, njëkohësisht të bën të përjetosh momente e çaste të papërsëritshme miraxhesh, që të dhurohen në çdo fraksion të namazit të kësaj nate...

   Pas namazit të teravisë, iu drejtova të pranishëmve me një këshillë fetare, me qëllimin e mirë të përfitimit dhe të dobisë, fundi i së cilës u kurorëzua me duanë në gjuhën shqipe, siç e bëra traditë për çdo natë, në çdo xhami.

   Përzemërsia e xhematit të xhamisë së fshatit Barbullush, na bëri të rrimë sëbashku edhe pas namazit dhe lutjeve të tij. Natyrshëm, kryefjala e bisedës tonë ishte xhamia, gjendja e saj, vizitat e titullarëve të ndryshëm që harrojnë të kthehen për herë të dytë, dëshirat e tyre për të, premtimet e pambajtura të ndokujt etj.

   Në mes përqafimesh të ngrohta dhe lutjesh të përzemërta u larguam nga fshati Barbullush, me dhembjen e xhamisë së tij dhe kënaqësinë e faljes së namazit me një qetësi e prehje të veçantë.

   Tashmë atmosfera përreth nesh ka hyrë në dhjetë ditët e netët e fundit të këtij muaji. Frymërat dhe flladet e Natës së Kadrit fryjnë gjithandej. Selami i Natës më të madhnueshme, ndjehet nga larg e shijohet shumë afër. Ndoshta edhe bereqetet e kësaj nate ishin një reflektim i atij selami, që “pushton” mbarë botën me paqe, qetësi e mirëqenie... Selami i Natës së Kadrit..!



[1] Dr. Muhammed Abdusselam Kefafi, “Methnevi Xhelaluddin er-Rûmi”, përkthyer në arabisht, shpjeguar dhe studiuar, vëllimi I, Bejrut, 1966, fq. 31- 35. Përktheu në shqip dhe përshtati nga arabishtja, Muhamed Sytari.

Teravia e njëzetenjëtë, në xhaminë e fshatit Barbullush
Teravia e njëzetenjëtë, në xhaminë e fshatit Barbullush
Teravia e njëzetenjëtë, në xhaminë e fshatit Barbullush
Teravia e njëzetenjëtë, në xhaminë e fshatit Barbullush
Teravia e njëzetenjëtë, në xhaminë e fshatit Barbullush