Teravia e njëzetenëntë, në xhaminë e Tophanës

(Shkodër, më 28 shtator 2008) 

   Teravia e njëzetenëntë e këtij Ramazani, është takimi ynë i lamtumirës me namazin njëzet rekatësh, me të cilin kaluam netët e bukura e të dashura të këtij muaji të begatë.    

   Sonte është nata e lamtumirës! Sonte është nata e përshëndetjes me teravinë e dashur, e cila do të niset drejt dyerve të ndërmjetësimit me Zotin e gjithësisë, dëshmitare e përkushtimit të robëve të Tij, në ditën e gjykimit! “Agjërimi dhe Kur'ani i ndërmjetësojnë robit tek All- llahu ditën e gjykimit. Agjërimi thotë: O Zot, unë ia ndalova ushqimin dhe epshet gjatë gjithë ditës, prandaj më prano mua për të! Ndërsa Kur'ani thotë: O Zot unë ia ndalova gjumin gjatë natës, prandaj më prano mua për të dhe i ndërmjetësojnë”.[1]

   Sëbashku me thirrësin islam Lavdrim Hamja, me të cilin udhëtuam sëbashku xhami më xhami, në çdo natë prej netëve të këtij muaji, vendosëm që mbylljen e namazit të teravisë për këtë muaj të shtrenjtë, ta bënim në xhaminë e Tophanës, prej ku edhe e filluam këtë “maratonë” të begatë në shërbim të Thirrjes Islame dhe lartësimit të Fjalës së All-llahut, kudo që shkelëm e me këdo që u takuam!

   Atmosfera e kësaj nate në xhaminë e Tophanës kishte dy ngjyra; gëzimi dhe mallëngjimi! Gëzim, për mirësinë e madhe që na dha Zoti i Plotfuqishëm për të agjëruar këtë muaj e për ta adhurur me përkushtim gjatë ditëve dhe netëve të tij, në veçanti, në namazin e teravisë e pas tij në lutjet e netëve plot ahe që shoqëronin fjalët dhe shkronjat e duave të gjata në heshtje, para mihrabeve të vetmisë... Mallëngjim, për faktin se teravia e kësaj nate shënonte fundin e një hapësire të mrekullueshme adhurimesh, e cila do të na mungojë për shumë kohë...

   Sonte, ajo, teravia e fundit e këtij Ramazani, do të niset për udhëtimin e jetës së saj, pas së cilit do të mbetet një kujtim i ëmbël shoqëruar nga një nostalgji plot dashuri dhe një ndërmjetësim i shpresuar dhe i dëshiruar në Ditën e Llogarisë...

   Xhamia e Tophanës, në këtë natë, ishte e tejmbushur me frekuentuesit e saj të shumtë. Në sytë e besimtarëve vërehej qartë mallëngjimi dhe dëshira e madhe për të mos u ndarë nga adhurimi, që për rreth një muaj u kthye në virtyt të tyre; namazi i teravisë!

   Teravinë e kësaj nate do ta falnim sëbashku me thirrësin islam Lavdrim Hamja dhe teologun Alban Kali, imami që shërbeu gjatë gjithë netëve të këtij muaji në xhaminë tonë me një përkushtim të admirueshëm, duke fituar mirënjohjen e të gjithëve, dashurinë e tyre!

   Vendosëm që teravinë e fundit ta shoqëronim me një ders të shkurtër, dhikre të ndryshme, këndim salavatesh, lutjen e përnatshme në gjuhën shqipe dhe ilahi të ndryshme. E kur vjen fjala për këto të fundit, në mihrabin e mallit, shfaqet Alban Kali me zërin e tij kumbues, të ëmbël e melodioz.

   Dhe imami me zë të artë mori të këndonte... Zëri i tij ndezi zemrat tona, duke na bërë ta shoqëronim në çdo fjalë e varg të ilahisë që fillon me këto fjalë:

Kemi ardhun n’kët dynja

Për me ditë se ka All-llah

Atij me ju lutun na

La ilahe il-lall-llah

 

Hem All-llahun kush e don

Hem All-llahu at e don

Me melekë nxhennet e çon

La ilahe il-lall-llah...

   Këndimi i ilahisë dhe salavatit që e pasoi, i dha një hijeshi të veçantë kësaj nate dhe këtij tubimi përshëndetës me namazin e dashur të teravisë.

   Namazi i vitrit dhe duaja e fundit, ishte edhe momenti i mbylljes së kësaj nate, pas së cilës do të vinte dita e fundit e këtij muaji, që nisi me mbarësi dhe po mbyllet me mirësi të shumta, që i dëshmuam në çdo natë prej netëve të tij.

   Njerëzit filluan të përqafoheshin, të shtrëngonin duart, të falënderonin imamin e kësaj teravie, ta uronin atë me zemër për shërbimin e përkryer, për përkushtimin... Ishin momente emocionuese. Ishin përqafimet e teravisë së fundit të një muaji të tërë plot përulje dhe nënshtrim para duarve të Krijuesit Fuqiplotë!

   Duke u larguar nga xhamia e Tophanës, për pak çaste ktheva kokën pas. Nga dëshira dhe mallëngjimi më dukej se ishte nata e parë e teravisë. Në fakt ishte nata e saj e fundit! Sapo kishim dalur nga xhamia e Tophanës, aty ku edhe kishim nisur faljen e teravisë së parë të këtij Ramazani. Kishin kaluar plot njëzetetetë netë nga ajo natë, ku në çdonjëren prej tyre kishim lënë nga pas një derë xhamie që mbyllej pas lutjeve dhe adhurimeve tona në netët e mëdha të këtij namazi plot vlera.

   Sonte, teksa largoheshim nga xhamia e Tophanës, e dinim mirë se nata e nesërme do të ishte një natë e lumtur, por pa teravinë njëzet rekatëshe... Nesër, do të ishte natë Bajrami. Fitër Bajrami!

   Lamtumira ishte kthyer në mall për teravinë dhe shoqërinë e saj të begatë..!



[1]  Ahmedi, Tabaraniu, Hakimi dhe Bejhakiu, nga Ibni Amri (r.a).

Teravia e njëzetenëntë, në xhaminë e Tophanës
Teravia e njëzetenëntë, në xhaminë e Tophanës
Teravia e njëzetenëntë, në xhaminë e Tophanës
Teravia e njëzetenëntë, në xhaminë e Tophanës