Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e njëzetekatërt,
në xhaminë e Parrucës
(Shkodër,
më 23 shtator 2008 )
Ja ku jam,
sërish në xhaminë e Parrucës. Sërish para madhështisë së saj,
historisë së gjatë, vlerave dhe mesazheve qytetëruese që ajo
përcjell, për çdo kalimtar pranë dyerve të saj, për çdo
frekuentues në gjirin e saj.
Ja ku jam,
sërish në xhaminë e Parrucës, në këtë natë të njëzetekatërt të
këtij Ramazani duarplot, me begati vizitash e begati takimesh
besimtare!
Ja ku jam,
sërish në xhaminë e Parrucës! Këtë radhë, jo thjesht për të bërë
një vështrim në ambientet e saj plot gjallëri teravie e harmoni
Ramazani në mesin e besimtarëve.
Përballë të
pranishëmve që qëndrojnë aty, para syve të mi, në këtë dalje të
parë para tyre që nga hapja e xhamisë së re e madhështore,
emocionet e një vasi të munguar e të vonuar në kohë, nuk mund të
fshihen. Koha, mikja jonë e shtrenjtë, nuk lejon ndalesa
emocionale, realiteti është ai që ka rëndësi!
Çfarë t’u
them sonte, në këtë natë, afër mesit të dhjetëditëshit të fundit
të këtij muaji? Çfarë t’i këshilloj? Dhe para syve më vjen nëna
e dashur e bujare me dijen dhe përkushtimin e saj, zonja Aishe (r.a),
të cilën, një ditë, e pyeti tabiiu Atâ: Më trego për diçka të
veçantë nga veprimet e Resulull-llahit (a.s). Ajo ia ktheu: “E
çfarë nuk ka qenë e veçantë nga Resulull-llahi (a.s)? Për
shembull, një natë, erdhi në shtrat dhe më tha: “Më lejo ta
adhuroj Zotin tim” dhe u ngrit, mori abdest dhe u ngrit të
falej. Nisi të qante derisa lotët i rrodhën mbi gjoksin e tij.
Pastaj ra në ruku dhe qau, pastaj ra në sexhde dhe qau. Pastaj e
ngriti kokën e tij dhe vazhdoi të qante dhe vazhdoi kështu
derisa erdhi Bilali ta lajmëronte për namazin e sabahut. E
pyeta: O i dërguar i All-llahut, përse qan kaq shumë, ndërkohë
që All-llahu të ka falur çdo gjë, të bërë e të pabërë? Tha: “A
nuk duhet të jem rob mirënjohës? E si të mos e bëj këtë, kur
sonte më zbriti ajeti: “Në krijimin e qiejve e të tokës, në
ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata
që kanë arsye dhe intelekt”[1]...”[2]
Përkushtimi
i Resulull-llahit (a.s) është busull orientimi për ne, të cilin
e prekim më shumë se kurrë në ditët dhe netët e këtij muaji të
madhnueshëm, ku secili prej nesh mundohet të jetë më njerëzor,
më bamirës, më i ruajtur, më fjalëpak, më i gjerë me tjetrin, më
mistik në raport me fenë dhe praktikat e saj, më altruist, më i
gatshëm për të sakrifikuar e për të duruar në rrugën e besimit.
E teksa
flisja, sytë e të pranishëmve, të mbushur me dritë nga drita e
Resulull-llahit, Robit mirënjohës, më ndiqnin me vëmendje dhe me
pohimet e tyre me kokë, miratonin atë çfarë ishte paracaktuar
për të qenë hiseja e tyre prej këshillave fetare të kësaj nate
plot qetësi besimi.
Me kërkesën
e imamit të xhamisë, teologut Naim Drijaj, drejtova faljen e
jacisë. Teravia, nën drejtimin e tij, kaloi shpejt. Tre
salavatet pas faljes së tetë rekateve të para dhe në përfundim
të saj, sikur ia shtuan hijeshinë dhe përshpirtësinë njëzetë
rekateve të teravisë së njëzetekatërt.
Lutja në
gjuhën shqipe shoqëruar me “amin-at” e të pranishëmve ishte
fundi i këtij tubimi të mbarë, për këtë natë, në xhaminë e
Parrucës.
Duke dalur
nga xhamia, u ndala dhe hodha sytë përreth. Mu kujtua ajo ditë e
lumtur e 23 marsit 2007, kur të gjithë pritnin momentin fatlum
të përurimit të xhamisë së famshe të Parrucës. Më erdhi ndër
mend, ai përjetim që kisha kaluar në momentet e para të atij
mëngjesi, të cilin, më pas e kisha hedhur mbi letër: “Ezani i
sabahut të ditës së xhuma, 23 mars 2007, sinjalizoi fillimin e
emocioneve të mëdha të një dite, që do të mbahet mend gjatë në
kujtesën e besimtarëve muslimanë dhe qytetarëve shkodranë...
Emocionet e kësaj dite janë të lidhura me historinë, me të
shkuarën, me të tashmen, me të ardhmen e këtyre besimtarëve, me
Shkodrën dhe me brezat, që pasojnë njëri-tjetrin. Emocionet e
kësaj dite janë të lidhura me gëzimin e madh të përurimit të
xhamisë së re të Parrucës, në qendrën e qytetit të Shkodrës.
Me një pamje
të shpejtë të mjedisit, dukej se gjithçka përreth sheshit të
Parrucës, ishte veshur me petkun festiv të një bajrami të
veçantë, që kishte kohë që kishte filluar...
Nga
lartësitë qiellore, kishte ditë që rreshjet mëshironjëse nuk
ndalonin. Ato, sikur kishin një detyrë të paracaktuar... ato,
ishin kthyer në një dorë ndihme, për ata dhjetra djem të rinj e
burra besimtarë, që kishin ditë të tëra që përgatiteshin për të
pritur këtë ditë të lumtur e të shënuar në jetën e tyre... Pemët
e gjelbëruara, nuk ndiheshin... Heshtja e përuljes përpara
madhështisë së Krijuesit të tyre, i kishte pushtuar dhe
njëkohësisht i kishte dhuruar bukurinë që marrin krijesat në
ditë festash të tilla...
Nga të katër
anët e qytetit, vërshonin njerëz me fytyra të qeshura, të rinj
të gëzuar, të moshuar pothuajse të përlotur, njerëz të shumtë që
kishin një pikë referimi, sheshin e bajramit të madh, sheshin e
xhamisë së Parrucës, të famshmes xhami e Parrucës.
Vetë xhamia
e re, ishte stolisur e zbukuruar, si asnjëherë tjetër më parë.
Nga minaret e saj të larta, lexohej dukshëm: “Xhamia simbol
uniteti”, që ia shtonte edhe më shumë hijeshinë e
madhështinë e saj. Si një vello bukurie mbi kokë, i kishin
hedhur flamurin kombëtar, që sëbashku me shkrimin në mes të dy
minareve, përkthenin qartas mesazhet hyjnore e kombëtare, që
rrezaton xhamia e re e Parrucës. Të shumtë ishin ata, që ishin
shtangur duke shikuar këto pamje mahnitëse të xhamisë simbol të
unitetit dhe të harmonisë kombëtare e fetare njëkohësisht... dhe
kishin të drejtë..!
Ora 10.30,
hapi siparin e fillimit të ceremonisë së përurimit të xhamisë së
Parrucës. Me dhjetra mijëra të pranishëm, kishin mbushur
sheshin. Të gjithë prisnin...”
Sesi mu
kujtua ai moment i mbushur me emocion, kureshtje, krenari e
frymëmarrje besimi. Sesi mu kujtua ajo ditë, kur xhamia e
Parrucës ishte kthyer në kiblen e muslimanëve shkodranë e
shqiptarë (në të gjitha trevat e tyre). Kur xhamia e Parrucës na
mblidhte të gjithëve, si një familje e madhe, më e fortë se
kurrë, më solide se asnjëherë, më pranë dëshirës për të besuar e
për të qenë të përkushtuar..!
Duke marrë
frymë thellë, para madhështisë së xhamisë së Parrucës, u luta me
zemër që pozicioni i saj, si institucion i pavarur nga dëshirat
dhe emocionet, të qëndrojë i paprekshëm, i qëndrueshëm, në
pozitat e një kibleje të mirëfilltë uniteti islam dhe
përkushtimi ndaj Thirrjes Islame!
[1]
Kur’ani:
3:190.
[2]
Transmetuar nga Abd ibn Hamid, Ibn Ebi Dunja në
“Kitabut-tefkir”, Ibn Hibban në “Sahih”, Ibn Merdevejh
dhe Asbahani në “Tergib ve terhib” dhe Ibn Asakir, nga
Atâ. Shih: Nedhir Muhammed Mektebi, “Safahatun
mushrika min hajatis-sabikine”,
botimi III, 1996, Bejrut, Liban, fq. 29.
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|