Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e njëzetegjashtë,
në xhaminë e fshatit Vukatanë
(Shkodër,
më 25 shtator 2008 )
Rrugës drejt
fshatit Vukatanë, shenjat e skamjes, varfërisë dhe mjerimit në
realitetet e ndryshme shqiptare, duken gjithandej. Rruga, mbi të
cilën lëvizim, është personifikimi më i mirë e më kokëfortë i
këtij realiteti. Nuk e di, gjatë fushatave të shumta elektorale,
kandidatët e ndryshëm që kërkojnë vota, nga do të vijnë vallë në
këtë fshat? Nga kjo rrugë? E nga tjetër?!
Xhamia e
fshatit Vukatanë është e vjetër, e teksa pyes për moshën e saj,
më të moshuarit, më thonë njëzëri: “Askush nga ne nuk e di me
saktësi datën dhe vitin e ndërtimit të xhamisë, vetëm Zoti e di
se kur e kush e ka ndërtuar”!
Duke pyetur
për elementë të ndryshëm të faltores së moçme, disa prej tyre
tregojnë: “Dritaret aktuale të xhamisë, kanë qenë shumë më të
larta sesa
duken, por me kalimin e viteve lëvizjet e tokës kanë luajtur
rolin e tyre në këtë fenomen tjetërsues të përmasave origjinale
të tyre”.
Në xhaminë e
këtij fshati, gjatë muajit të Ramazanit, shërben ish-medresisti,
Fatjon Hamzi (sot student në Universitetin e Shkodrës), banor i
këtij fshati, fjalëpak, fytyrëqeshur dhe i përkushtuar në
shërbimet e tij fetare në xhaminë e fshatit të tij.
Para
namazit, iu drejtova të pranishëmve, pjesa më e madhe e të
cilëve janë në moshë të re, rreth angazhimit për të përfituar sa
më shumë nga ditët e mbetura të këtij muaji, që me sonte ka
kaluar gjysmën e dhjetëditëshit të tij të fundit. (Nuk mund të
lë pa përmendur rregullin dhe qetësinë e admirueshme për çdo
xhami, që gjetëm në xhaminë e fshatit Vukatanë, nga xhemati i ri
në moshë i saj)
Rekatet e
para të teravisë, me kërkesën tonë i drejton ish-nxënësi im,
imami i kësaj xhamie. Rekatet pasuese i lënë vendin
njëra-tjetrës e vitri i jacisë, vjen shumë shpejt. Pas tij,
lutja me xhemat, të cilën e drejton thirrësi islam Lavdrim
Hamja, mbyll aktivitetin fetar të kësaj nate.
Prej
veçorive të kësaj xhamie, është edhe çinari i madh e i moçëm, që
qëndron përballë derës së saj. Asnjeri nuk e di me saktësi
moshën e tij, por secili prej banorëve të këtij fshati dhe
frekuentuesve të kësaj xhamie duhet të ndjejë mburrje legjitime
për ruajtjen e tij, gjatë gjithë këtyre viteve të gjata, në
ambientet e xhamisë. Me siguri, lashtësia e tij është e lidhur
ngusht me moshën e vërtetë të xhamisë së vjetër të fshatit
Vukatanë.
Xhamia e
vjetër, rrethohet edhe nga varrezat e saj, të cilat, në të
shumtën e rasteve i përkasin kohërave të shkuara, për ç‘ka edhe
karakterizohen nga elementë të një kulture e një qytetërimi
shumë të lashtë e përherë bashkëkohor! Për efekt të kohës,
mundësia për t’i vizituar nga afër është e vogël, por dëshira
dhe kureshtja, kthehen në shtysa serioze për t’u kthyer sërish
në këtë xhami të moçme.
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|