Teravia e njëzetedytë, në faltoren e Pazarit

(Shkodër, 21 shtator 2008) 

   Ditën e xhuma, pas përfundimit të hytbes, namazit dhe virdit të fundjavës, në xhaminë e Tophanës, z. Bahri Ymeri më kërkoi që në një prej netëve të mbetura të këtij muaji të shkoja për të falur teravinë në faltoren e Pazarit, me xhematin e saj. Dhe kërkesa e tij u plotësua me mbarësinë e All-llahut!

   Sonte, në këtë natë të re të këtij muaji që tashmë ka hyrë në etapën e tij të tretë dhe të fundit, erdhëm të falemi në “xhaminë e Pazarit”, siç shkruhet edhe te dera e jashtme e kësaj faltoreje të radhë, që në të vërtetë është një hyrje shtëpie, një dhomë dhe një kuzhinë, që shërben për muslimanët e kësaj lagjeje si xhami e vend adhurimi.

   Atmosfera e këtij muaji ndjehet edhe në rrugicën e ngushtë që të çon te xhamia e kësaj lagjeje. Ajo është e pastër, e ndriçuar dhe nga të dyja anët e saj ka besimtarë që na përshëndesin me selam.

   Brenda saj, faltorja është shembull në pastërti, rregull, ndriçim e harmoni. Frekuentuesit e saj, banorë të lagjes, vijnë njëri pas tjetrit dhe gëzueshëm përshëndeten dhe ulen për të pritur ezanin e jacisë për të nisur kështu një natë të re adhurimi e lutjesh ramazanore.

   Namazin e jacisë së kësaj nate dhe teravinë e plotë, pata kënaqësinë e veçantë t’i drejtoja vetë. Në të vërtetë, ndjeja kënaqësi të madhe që isha në mesin e këtyre besimtarëve, sakrifikues për besimin e tyre, të përkushtuar në rrugën e namazit e agjërimit! Ndjeja kënaqësi, saherë këndonim sëbashku “All-llahumme sal-li ala sejjidina Muhammedinin-nebbijjil-ummiji ve ala alihi ve sahbihi ve sel-lim”, në përfundim të çdo katër rekatë teravie. Të gjithë këndonin. Të gjithë përpiqeshin ta rregullonin zërin në salavatin e dashurisë për Resulull-llahin (a.s). E zëri i secilit kthehej në fllad dashurie që lidhte natën tonë me Medinen e ndriçuar, duke na bërë të përjetonim momente vërtetë speciale në shoqërinë e salavatit sherifë.

   Teravia, kur shoqërohet me të tilla ndjesi, ndonëse njëzet rekatë, kalon aq shpejt sa, të duket çudi kur muezini lajmëron përgatitjen për faljen e vitrit të jacisë! Kështu ndodhi edhe sonte. “Vitër namazi nijet”, tha dikush dhe më bëri të kthej kokën nga pas, për t’i liruar vendin e drejtuesit thirrësit islam Lavdrim Hamja, që buzëqeshte teksa më shihte në kënaqësinë time të kësaj nate.

   Shumë shpejt, vitri i jacisë i la vendin virdit dhe lutjes së kësaj nate. “Amin-at” e tyre, teksa lutesha në gjuhën shqipe, më hapnin horizonte të reja kërkesash e lutjesh për ta, për realitetin e tyre, për gjendjen e varfër ekonomike e për shumë gjëra të tjera, që vinin si lutje të sinqerta, drejtuar Atij që dëgjon e sheh dhe i jep secilit me drejtësinë, mëshirën dhe butësinë e Tij (xh.sh).

   Pas përfundimit të namazit dhe lutjes, u ulëm sëbashku këmbëturqisht, duke ndarë kënaqësinë e tubimit të kësaj nate. Bujaria e tyre, ndonëse në varfëri të tejskajshme është për t’u admiruar. Një tabaka me gota të shumta ulet në tokë dhe pijet freskuese mbushen para syve tanë, si për të na sinjalizuar shenjat e para të mikpritjes së ngrohtë në faltoren e Pazarit.

   Sëbashku, ndajmë kënaqësinë e një nate të paharrueshme. Dikush uron me zemër, dikush tjetër miraton me një “amin” të ngrohtë e, dikush nuk ngurron të kërkojë përsëritjen e kësaj vizite në një prej netëve të mbetura të këtij Ramazani.

   Kujtimet e kësaj nate janë të shumta. Shkrimi nuk do t’i përfshinte, jo për sasinë e tyre, sesa për shpirtin e pastër e të sinqertë me të cilin qenë rrethuar!

   U larguam nga xhamia-faltore e Pazarit duke marrë me vete një kënaqësi të madhe të papërjetuar më parë në vizitat e shumta të bëra deri më sonte.

 

  

Teravia e njëzetedytë, në faltoren e Pazarit 
Teravia e njëzetedytë, në faltoren e Pazarit 
Teravia e njëzetedytë, në faltoren e Pazarit 
Teravia e njëzetedytë, në faltoren e Pazarit 
Teravia e njëzetedytë, në faltoren e Pazarit 
Teravia e njëzetedytë, në faltoren e Pazarit