Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e njëzetë,
në xhaminë e Kryepazarit
(Ulqin,
më 19 shtator 2008 )
Qyteti i Ulqinit, ndonëse i vogël, është mjaft i
gjallë dhe i mbushur përherë me njerëz që shkojnë e vijnë në
kërkim të diçkaje. Aty, ka përherë vizitorë që vijnë nga jashtë,
shqiptarë të diasporës, që kthehen për të kaluar muajin e
Ramazanit me të afërmit e dashamirët, me të cilët, jeta i ka
ndarë cep më cep të botës...
Ramazani është edhe muaji i të ftuarve të ndryshëm të Bashkësisë
Islame të këtij
qyteti, hoxhallarë, dijetarë, studiues, e personalitete të
spikatura të Thirrjes Islame në trevat tona, që vijnë aty gjatë
këtyre ditëve, për të pasuruar jetën islame në qytetin e vogël
bregdetar. Dhe është kjo traditë e bukur dhe e domosdoshme për
gjallërinë e Thirrjes Islame në një vend, që i jep vlera
tradicionale dhe bashkëkohore kësaj Thirrje të lashtë në këtë
qytet me vlera e traditë!
Sonte, në këtë natë të njëzetë, në mbyllje të dhjetëditëshit të
dytë të këtij muaji, sëbashku me thirrësin islam Lavdrim Hamja,
erdhëm për t’u falur në Ulqin.
Nga
një vështrim i shpejtë në këto orë të para të kësaj nate të re,
qyteti nuk ka ndonjë ndryshim të madh me ditët e netët e tjera
jashtë Ramazanit, përveç ndonjë afisheje të varur në mur,
tek-tuk, nëpërmjet së cilës urohen besimtarët me rastin e këtij
muaji të begatë dhe urimeve të përzemërta që dëgjon nga e
djathta dhe e majta, me rastin e këtij muaji.
Atmosfera e kësaj nate teravie në xhaminë e Kryepazarit, ku
drejton teologu i nderuar, miku im, Rifat ef. Jusufi, është e
këndshme dhe në harmoni me atmosferën e vetë muajit. Te dera e
jashtme e saj, në krahun e djathtë, në pllakën e mermertë që
qëndron si adresë e kësaj xhamie, shënohet: “Xhamia e
Kryepazarit. E ndërtoi Nuradin begu, 1749”.
Nga
brenda, xhamia e moçme, është e zbukuruar me shkrime të shumta
kur’anore, lutje, fjala e Njësisë, deklamime të ndryshme islame
etj, që duke i shtuar edhe llojet e kaligrafive arabe me të
cilat janë kryer këto shkrime dhe ngjyrat e tyre, e bëjnë atë
një xhami të veçantë e mjaft tërheqëse për këdo që e viziton dhe
bëhet pjesë e xhematit të saj, qoftë edhe për një namaz.
Në
ballinë të xhamisë, në të djathtë të mihrabit të zbukuruar me
ajetet e kibles, me një shkrim naziq, lexohet ajeti kur’anor:
“All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të
mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre”[1].
Në krahun e djathtë të mihrabit, në njërin cep, është shkruar
sureja “Keuther” e përballë saj, në formën e një varke shpëtimi,
kushtet e besimit islam (amentu bil-lahi, ve melaiketihi, ve
kutubihi, ve rusulihi, vel-jeumil-ahiri...).
Xhamia e Kryepazarit është e ndriçuar nga jashtë e nga brenda,
sikurse është e pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme për
kryerjen e ceremonive të ndryshme fetare. Në dalje të xhamisë,
afër derës, qëndron një arkë e vogël, në adresë të së cilës
shënohet: “Sadaka”. Është një gjetje interesante, që fton këdo
për të kontribuar për xhaminë dhe nevojat e saj, duke ndjerë
njëkohësisht edhe vlerën e sadekasë së dobishme.
Disa minuta para se të hynte koha e jacisë, me kërkesën
dashamire të imamit të xhamisë, mbajta një vasë në lidhje me
mirësinë e madhe që na është bërë si besimtarë, mundësia për të
agjëruar muajin e madhërueshëm të Ramazanit, që njëkohësisht
është edhe stinë e mëshirës, faljes dhe bamirësive të pakufi.
Ndër të tjera fola edhe për madhështinë e mëshirës së All-llahut
(xh.sh.) për krijesat e Tij dhe se si Ai e ka lënë të hapur
derën e pendimit për ata që vrapojnë drejt saj, deri në momentet
e fundit të jetës së tyre, duke iu referuar ajetit kur’anor:
“Kush bën ndonjë të keqe ose e ngarkon veten, pastaj kërkon
falje tek All-llahu, ai e gjen All-llahun Falës dhe Mëshirues”[2].
Namazin e jacisë dhe teravinë e drejtoi imami i ri Safet
Resulbegu, një djalë i hajthëm, dashamirë në pamje të parë dhe
komunikues. Me zërin e tij karakteristik, të fortë e të ëmbël,
na dhuron kënaqësinë e përjetimit të çdo ajeti që lexon në
njëzet rekatet e teravisë, pa përmendur jacinë me vitrin e saj.
Në
përfundim të virdit, përqafimet e ngrohta hapin dyert e njohjeve
të reja për mua, në xhaminë e Kryepazarit, në Ulqin. Imami i
xhamisë, Rifat efendiu, më prezanton me imamin e Qendrës Islame
Shqiptare Amerikane, në Kuins të Nju Jorkut (ShBA), z. Jusuf
Bolaj, i cili ka ardhur nga shumë larg për të kaluar Ramazanin e
këtij viti me të afërmit e miqtë e tij në Ulqin.
Pas
prezantimit të parë, biseda jonë sillet rreth aktiviteteve të
Qendrës Islame atje, themelimit të saj, kontributit për tubimin
e shqiptarëve atje dhe të tjera çështje që lidhen me përparimin
e Thirrjes Islame në qendrat tona të banimit e të veprimtarisë
thirrëse.
Nata e njëzetë e këtij Ramazani në Ulqin, ishte si një
frymëmarrje e re për ne, edhe për faktin e takimit me disa prej
hoxhallarëve të nderuar të këtij qytetit, njohjen me imamin
shqiptar me aktivitet në Nju Jork, vasin para xhematit ulqinak,
këmbimin e eksperiencave personale në shërbim të Thirrjes Islame
etj.
Kthimi për në Shkodër, ndonëse në një orë të vonë, shoqërohet
nga qetësia e mesnatës, drita e hënës që rrezaton ëmbël mbi ne,
freskia e vjeshtës e zëri i ëmbël i Gamidiut, që me ajetet e
Librit, i shton kësaj nate të begatë përshpirtësi dhe prehje...
Në
orët e para të një dite të re që është nisur drejt nesh, Shkodra
është thuajse e përgjumur. Sheshi para xhamisë së Parrucës
prehet në paqe. Me siguri, edhe ai ka kaluar një ditë të
lodhshme (iftarin e madh të shtruar në mes të sheshit, nga
minibashkia “Bajram Pasha” e Stambollit), por të këndshme,
sikurse edhe ne, përtej kufirit...
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|