Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e njëmbëdhjetë
në xhaminë e fshatit Shkjezë
(Shkodër,
më 10 shtator 2008 )
Xhamia e
fshatit Shkjezë qëndron krenare mbi kodrën, maja më e lartë e së
cilës është minarja 20 metër e saj. Kodra, mbi të cilën qëndron
xhamia, është e rrethuar me shtëpi banimi. Nga lart, të duket se
shtëpitë e këtij fshati sillen, si në tavaf, rreth xhamisë së
tyre, duke marrë prej saj mirësi, paqe, siguri!
Natën e
parëtë dhjetëditëshit të dytë të këtij Ramazani, sëbashku më
thirrësin islam Lavdrim Hamja, erdhëm ta falnim në xhaminë e re
të këtij fshati, e filluar me kontributin vullnetar të
muslimanëve të këtij vendi, në vitin 2003[1]
dhe e përfunduar pas katër muajsh, siç na tregon kryetari i
këshillit të xhamisë, Bajram Zagani.
Në ballë të
xhamisë së Shkjezës, 13 m x 6.70 m, qëndron një mihrab i
thjeshtë, i vogël, ku janë varur disa lutje dhe sure të shkurtra
kur’anore. Minberi, me pak këmbë shkallë, është punim druri,
hyrja e të cilit është zbukuruar me një perde jeshile. Nga të dy
anët e mureve të brendshme, xhamia ka nga gjashtë dritare, që e
ndihmojnë për të “marrë frymë” si duhet.
Imami i
xhamisë, Dritan Cukali, është një djalë i qeshur e dashamirë. Me
shumë mirësi na falënderon për vizitën e kësaj xhamie dhe
pjesëmarrjen në faljen e teravisë së kësaj nate.
Kjo natë e
begatë, më kishte rezervuar edhe një kënaqësi më shumë, nga çdo
natë tjetër, në xhamitë e vizituara gjatë këtij muaji. Në
xhaminë e Shkjezës, para nesh kishin ardhur edhe tre besimtarë
frekuentues të rregullt të xhamisë së Tophanës. Takimi i tyre
ishte një befasi e këndshme dhe një reflektim i papritur i një
prej vlerave të mëdha të këtij muaji; mundësia për të vizituar
xhami dhe xhemate të tjera, në forcim të harmonisë dhe
vëllazërisë islame. Veprimi i tyre ishte shumë domethënës! Kjo
vizitë e tyre në xhaminë e Shkjezës, përveç shpërblimeve hyjnore
për nijetin e mirë, ishte edhe një dëshmi e qartë e larmisë së
jetës në Ramazan dhe kënaqësisë së të jetuarit me adhurimin e
Zotit, kudo në shtëpitë e Tij.
Rekatet e
teravisë kaluan shumë shpejt. Teksa falesha imam, në mihrabin e
xhamisësë Shlkjezës, përveç kënaqësisë që më dhuronte çdo
fraksion i namazit, isha i lumtur se pas meje ishte edhe një
pjesë e xhematit tophanali. Ishte si të thuash një xhemat i
miksuar, por shumë solid i dashur në mes vete. Reflektonte
shpirt nga shpirti i këtij muaji.
Duke u
larguar nga xhamia e Shkjezës, kuptuam se sa nevojë ka xhamia
shqiptare sot për konsolidimin e xhemateve, për harmoninë në mes
tyre, për vizitat e ndërsjellta, për fuqizimin e urave të
komunikimit në shërbim të fuqizimit të vetë muslimanëve
shqiptarë dhe shfaqjes së tyre në shoqëri, me elementët e
besimit dhe qytetërimit islam!
[1]
Në lidhje me përurimin e xhamisë së re të Shkjezës, në
gazetën
“Udha
Islame”,
viti I, nr. 10, korrik 2003, fq. 8, në një kronikë pa
emër autori, ndër të tjera shënohet: “Shkjezë-
Ditëne martë, 10 qershor 2003, ditë e bukur dhe ditë
gëzimi që u kurorëzua me hapjen e xhamisë së re dhe
këndimin e mevludit... Mbas ceremonisë së hapjes, xhamia
u mbush mbi kapacitetin e saj dhe shumë të tjerë
qëndruan përreth për të dëgjuar ligjëratën që mbajti
myftiu i Shkodrës, Haxhi Faik Hoxha... Gjithashtu, ai
falënderoi banorët e këtij fshati, të cilët shpenzuan 13
milion lekë të vjetra për ndërtimin e xhamisë
krejtësisht me investimet e tyre”.
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|