Teravia e nëntëmbëdhjetë, në xhaminë e fshatit Mjedë

(Shkodër, më 18 shtator 2008) 

   “Es-selamu aljekum!”- ishte përshëndetja më e veçantë që kisha dëgjuar gjatë këtyre netëve të këtij Ramazani, jo për vetë përshëndetjen, sesa për mënyrën dhe momentin e saj, gjatë hyrjes në oborrin e xhamisë që kishim planifikuar të vizitonim në këtë natë me dritë hëne, plotësia e së cilës kishte nisur rrugën drejt “trajtës së harkut”[1]...

   Po hynim në xhaminë e fshatit Mjedë, kur një grup prej pesë-gjashtë të rinjsh, të ulur në safallekun e saj, sapo na panë, u ngritën në këmbë dhe njëzëri na pritën me përshëndetjen e ngrohtë të paqes e të mirësisë. Nuk kishte sesi të ishte më bukur e më ëmbël, më vëllazërore e miqësore hyrja e parë në këtë xhami.

   Nga brenda, xhamia e Mjedës ishte e gjerë dhe me një frymëmarrje të ndjeshme. Ndonëse Ramazani, po shkon drejt dhjetëditëshit të fundit, këtu, ende vazhdojnë punimet për rregullimin dhe perfeksionimin e ambienteve të brendshme. P.sh., vendi i faljes së grave, po modifikohej, duke u pajisur me një hyrje më vete, të ndarë nga ajo e burrave, për lehtësimin e qarkullimit në ditë festash, si për bajrame, mevlude etj.

   Prej veçorive të kësaj xhamie ishte edhe mihrabi i saj, i ndërtuar në formën e një aneksi, në cep të së cilit ishte vendosur edhe një poltronë, për të shërbyer në rast dersesh a ceremonishë fetare.

   Teksa hynim në xhami, dëgjuam zërin e imamit, Asllan Babaj, teksa drejtonte xhematin në rekatet e kësaj nate.

   Namazi i teravisë kaloi shpejt, i pasuar nga vitri i jacisë, në përfundim të së cilit bëra lutjen në gjuhën shqipe dhe dersin e pas teravisë.

   Në përgjithësi, xhemati i kësaj xhamie ishin të moshuar, ku nuk mungonin edhe të rinjtë (dy prej të cilëve mësojnë në medresenë e Shkodrës “Haxhi Sheh Shamia”), të cilët gjatë kohës që qëndruam aty, dukeshin të dhënë edhe pas argëtimit në ambientet e saj.

   Në përfundim të lutjeve të kësaj nate, u përqafuam përzemërsisht me besimtarët e pranishëm në xhaminë e fshatit Mjedë dhe imamin e saj. Ishte nata më shkurtër e këtij Ramazani, në prehrin e së cilës, adhurimet dhe lutjet kishin kënaqësinë e papërsëritshme të një nate që mori rrugën për të mos u kthyer më...



[1] Kur’ani: 36:39.

Teravia e nëntëmbëdhjetë, në xhaminë e fshatit Mjedë
Teravia e nëntëmbëdhjetë, në xhaminë e fshatit Mjedë
Teravia e nëntëmbëdhjetë, në xhaminë e fshatit Mjedë
Teravia e nëntëmbëdhjetë, në xhaminë e fshatit Mjedë