Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e
nëntë, në xhaminë e Rusit
(Shkodër,
më 8 shtator 2008 )
Xhamia e
Rusit, në këtë Ramazan duket më e rinuar, më e bukur, më
tërheqëse. Kudo dominon pastërtia, duke filluar nga oborri e
deri në çdo cep të faltores. Edhe ajo duket se e përjeton
atmosferën e muajit të mirësive! Edhe ajo duket se “agjëron” dhe
mbushet me dritë adhurimesh të sinqerta, ditë për ditë, orë pas
ore, në këtë stinë të përvitshme përkushtimi.
Në xhaminë e
Rusit, gjatë muajit Ramazan, shërben hoxha turk me prejardhje
shqiptare, Hafiz Zijaudin Mert. Ndonëse mban mbi supe 80 vite
jetë ai është mjat energjik dhe punëtor. Duket se gjallëria e
tij buron nga ajetet kur’anore që i lexon me një mekam të dashur
për zemrën e shumë të ëmbël. Teksa e dëgjon me vëmendje, ai të
fton të meditosh e të bëhet sikur të merr për dore në lulishtat
e ajeteve që i dalin nga zemra... Në xhaminë e Rusit, të gjithë
e duan. Ka vite që ai e kalon Ramazanin në shërbimin e tyre. Ka
vite, që në periudhën e Ramazanit ai ulet me ta ditë për ditë, u
mëson Kur’an, u flet për rregullat e tij, i shpjegon ajetet dhe
u shton dije mbi urtësinë dhe vlerat e Librit të fundit të
zbritur nga lartësitë e qiellit.
Edhe ata e
duan dhe e respektojnë hoxhën e moshuar, me të cilin kanë një
jetë që falen e luten, Ramazan pas Ramazani.
Hafizi, me
mjekër të bardhë e fytyrë të qeshur qëndron në mihrab. Ka një
lidhje të pandashme me mihrabin. Edhe mihrabi gëzon, me Hafizin
e moçëm përbri. Ka mall hoxhallarësh e nostalgji hafizësh..! Ka
të drejtë mihrabi i xhamisë së Rusit, kur bri tij ulet Hafiz
Zijaudini me mjekër të bardhë, me çallmën rrumbullake e xhyben
bojë qumësht...
Me lejen e
tij ulem në kursinë e dersit dhe filloj t’u flas të pranishëmve,
në këtë natë të re të muajit më të madhërueshëm e më të dashur
për të gjithë.
Xhemati i
kësaj xhamie, burra e gra, janë të një moshe relativisht të
madhe. Të gjithë dëgjojnë me vëmendje hadithin e të dërguarit (a.s),
i cili porosiste që çdo natë para fjetjes, muslimani duhet të
lexojë këtë lutje: “All-llahumme, unë të jam dorëzuar me krejt
qenien time, kam dorëzuar çështjet e mia para duarve Tua dhe kam
mbështetur forcat e mia në Ty...”[1]
Prej
veçorive të dersit, është se ai të jep liri dhe elasticitet në
marrëdhënie me njerëzit që ke para duarve. Të jep mundësi të
manovrosh e të komunikosh lirshëm me ta. Të jep mundësi të hysh
në dyert e hadithit, urtësisë, hikajeteve të vjetra, shembijve
nga jeta konkrete e, sërish të kthehesh te pikënisja jote. Me
pak fjalë, të jep mundësinë “të shëtisësh” në degë të ndryshme
të dijes, duke rrethuar me begatinë e tyre mexhlisin e
përqendruar në sytë e tu, në lëvizjet dhe shkathtësinë tënde për
t’i mundësuar atyre të shijojnë nga burimet e asaj dije që u ke
vënë para duarve.
Hafizi më
kërkon të drejtoj namazin e jacisë. Pas saj, ai ulet në mihrab
dhe bëhemi gati për teravinë njëzet rekatëshe. Pas tij, ajo
kalon si pa u ndjerë! Këndon ëmbël dhe me ajetet e goditura, na
dhuron një përshpirtësi kur’anore, që përjetohet pranë atyre që
e kanë një besë të fortë me Librin e Zotit! Me botën e tyre, ai
të merr për dore në kohërat e Hz. Nuhit (a.s), Hz. Hudit (a.s),
Hz. Salihit (a.s), Hz. Ibrahimit (a.s), Hz. Musait (a.s), Hz.
Harunit (a.s) etj. Shëtisim në xhennetet e premtuara dhe
shijojmë bukuritë dhe kënaqësitë e tyre. Është bukur të falesh
pas Hoxhës së moshuar, me zemër rinore e me zërin e tij
karakteristik, melodioz e miqësor që të dhuron përherë diçka të
re, të nevojshme për zemrën dhe shpirtin tënd..!
Pas namazit
të teravisë, ai lutet për pranimin e faljes tonë dhe na drejton
nga dyert e vitrit të jacisë. Tre rekatet e tij kalojnë shpejt,
si çdo moment i bukur në shoqërinë e njerëzve tëmirë e të
devotshëm, si Hafizi turko-shqiptar i xhamisë së Rusit!
Duke u
përshëndetur, Hafizi na “mbulon” me lutjet e tij të dashura që i
burojnë nga zemra dhe na uron çdo të mirë, agjërim të pranueshëm,
adhurim të lehtë!
Duke dalë nga xhamia e Rusit, teksa dikush tregon orën, e kuptoj sesa e begatshme ishte kjo natë, minutat e së cilës u kthyen në orë kënaqësie, përfitimi, nostalgjie... Ora e njerëzve të devotshëm, me mjekra të bardha, me çallma rrumbullake, besnikë të Kur’anit!
[1]
Transmetuar nga Muslimi.
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |




