Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e
katërt, në xhaminë e fshatit Dragoç
(Shkodër, më 3 shtator 2008)
Teksa i
afrohesh xhamisë madhështore të fshatit Dragoç, minarja 32.5
metra e gjatë, e punuar me mjeshtri dhe sipas arkitekturës
osmane, është objekti i parë që të tërheq vëmendjen dhe në një
farë mënyre të uron mirëseardhjen, me bardhësinë që e
karakterizon, në fshatin, banorët e së cilit nuk kursyen asgjë
nga fryma dhe pasuria e tyre për ndërtimin e saj.
Xhamia e
Dragoçit, sipas dëshmisë së disa burrave të këtij fshati,
muezinit të devotshëm Arif Selimi, z. Ali Fazi, z. Qamil Çela
etj., por edhe nga pllaka e vendosur në murin e jashtëm, pranë
derës së hyrjes, ka filluar me hapjen e themeleve në vitin 1994.
Kontributi i çmuar i burrave të këtij fshati është për t’u
marrë shembull. “Ka prej atyre që kanë sjellur edhe pensionin,
siç e kanë marrë”- tregon muezini i moshuar i xhamisë! “Një
emigrant i këtij fshati, në Mbretërinë e Bashkuar, ka sjellur
disa herë kontribute financiare, me të cilat është ndërtuar edhe
minarja e xhamisë. Në total, kontributi i tij arrin në rreth 20
milion lekë të vjetra!”- dëshmojnë të gjithë për të riun G. H.,
që “ka kërkuar të mos i përmendet emri, sepse e ka bërë për riza
të Zotit”! Ka edhe prej atyre që dhanë edhe frymën e fundit në
shërbim të xhamisë në ndërtim, si rasti i besimtarit Jonuz
Halili, për të cilin të gjithë gëzojnë respekt dhe nderim. Teksa
më tregojnë për momentet e fundit të jetës së tij “aty, bri
minberit duke u munduar për ta fiksuar si duhet”, të gjithë
emocionohen dhe e kujtojnë mirë atë ditë, atë orë...
E në një
moment vështirësie, teksa xhamia me përmasat 20 m x 12 m, po
shkonte drejt trupëzimit, atëherë kur punimet kishin ngecur e
askush nuk kishte më asnjë mundësi të jepte më shumë nga
ç’kishte dhënë, do të ishte bamirësi i dëshmuar, Shejkh Vehbi S.
Gavoçi që me ndërmjetësinë e thirrësit islam Lavdrim Hamja, do
të sillte plot 28 mijë dollarë, që do të kishin një ndikim të
padiskutueshëm në hovin e madh që i dha fund, dhjetë vite pas
fillimit të saj, ndërtimit të xhamisë që nderon jo vetëm
Dragoçin e Postribën, por edhe Shkodrën e krejt Shqipërinë!
Në vitin
2004, xhamia e Dragoçit[1]
do të hapte dyert për të pritur deri në 600 frekuentues
njëherazi, të cilët kishin pritur rreth një dekadë për të ulur
kokën në sexhde, në tokën e begatë të xhamisë së tyre, me të
cilën kishin pse të mburreshin para kujtdo, me plot krenari
besimi, sakrifice, përkushtimi!
Sonte, në
këtë natë të qetë të kësaj teravie (e katërta e këtij muaji),
sëbashku me thirrësin islam Lavdrim Hamja, erdhëm të faleshim në
xhaminë e hijshme, prezenca e së cilës na lidh me kujtimin dhe
dashurinë e hoxhës tonë, H. Vehbi S. Gavoçi..!
Hyrja në
këtë xhami, për mua që e shkelja për herë të parë, ishte
befasuese! Pastërti, ndriçim, rregull, safe të mbushura me një
miksim moshash, ku të mbushet syri me të rinj të shumtë, mobilim
thuajse perfekt i ambientit të brendshëm, ngjyra të ëmbla, me të
cilat janë lyer muret e saj, tapeti i shtruar i përzgjedhur me
shumë finesë e shije, tavani prej dërrase, i punuar me mjeshtri
dhe përkushtim, vendi i faljes së grave, i gjerë, i rrethuar
hijshëm dhe i mbuluar me perde të holla e, në ballë të xhamisë,
mbi kokën e mihrabit: “All-llahu ekber”, përkthyer: “Zoti është
më i madhi”, ishin detajet e para që më mbushën jo vetëm syrin,
por më dhanë një kënaqësi të madhe në zemër, që shumë shpejt u
kthye në një kredo, në këtë kontakt të parë me këtë xhami të
rrallë!
Hyrjen tonë
në xhami e shoqëruan sytë e të pranishëmve, që na pritën me një
dashamirësi e ngrohtësi të veçantë. Buzëqeshjet e tyre u
paraprinin duarve që zgjateshin për t’u shtrënguar në shenjë
miqësie e vëllazërie dashamire islame.
Në mihrabin
e xhamisë qëndronte një djalë i ri, imami i kësaj teravie Ervis
Hoxhaj, nga Rrash-Vorfa. Tetë rekatet e para të namazit njëzet
rekatësh i drejtoi ai, duke na dëshmuar ëmbëlsinë e zërit,
rregullat e texhvidit të mësuara në kursin e Kur’anit të kryer
në Sauk të Tiranës, e hera-herës edhe mekamin e Ebu Bekër
Shatiriut, kënduesit të famshëm të Kur’anit Famëlartë.
Imamin e ri
e karakterizonte qetësia. Ishte fjalëpak dhe i sjellshëm.
Dashamirë që me sjelljen dhe përkushtimin e tij, dëshmonte ura
komunikimi të shëndosha me xhematin e xhamisë së këtij fshati.
Në përfundim
të lutjes së bërë me xhemat, në gjuhën shqipe, teksa u
shtrëngoja duart burrave, të moshuarve dhe të rinjve që
afroheshin për të përsëritur, si të gjithë: “Zoti ta pranoftë!
Zoti ta baftë kabull!”, ndjeja një kënaqësi të veçantë, të
paparashikuar, që vinte natyrshëm si rezultat i kënaqësisë së
përjetuar sonte, në këtë tubim ramazanor.
Me një pjesë
të këshillit të xhamisë, qëndruam edhe më gjatë, pasi xhamia
kishte nisur të zbrazej. Me përkushtim dëgjoja prej tyre
historinë dhjetë vjeçare të xhamisë së re. Peripeci të shumta,
pengesa, vështirësi e hera-herës edhe momente ankthi, i kishin
shoqëruar në këtë maratonë të gjatë, në ndërtimin e saj.
Ata flisnin
me shumë pathos për xhaminë e tyre. Dukej qartë se ajo ishte
kthyer në një pjesë të rëndësishme në jetën e secilit prej tyre.
Nuk e mendonin atë pa xhaminë e tyre. Me të mburreshin. Me të
krenoheshin. Me të gëzoheshin. Prej saj merrnin imdad për të
vazhduar rrugën e bamirësisë e optimizmit! Prej saj merrnin
energji e vullnet për t’u përballur me vështirësitë e jetës!
Ishte xhamia e jetës së tyre!
Xhamia e
Dragoçit, të cilën u përpoqa ta përshkruaj e ta rrëfej në këto
pak rreshta të kësaj nate, ishte aty, para syve të mi. Teksa e
shikoja (duke mos u ngopur me bukurinë dhe hijeshinë e saj), me
zemër lutesha për të gjithë banorët e këtij fshati, dëshira dhe
vullneti i të cilëve, për të patur një xhami madhështore, nuk i
pengoi në asnjë ditë prej ditëve të dhjetë viteve mundë e
përkushtim, për të arritur në këtë ditë të shumëdëshiruar..!
Muhamed Sytari
[1]
Në lidhje me këtë fakt, Artur Halili, ndër të tjera, do
të shkruante: “Me datë 11 qershor 2004 u bë përurimi i
xhamisë së fshatit Dragoç. Me këtë rast u bë edhe
këndimi i Mevludit. … ndërtimi i së cilës kërkoi një
punë 10- vjeçare në periudhën 1994-2004, kostoja e së
cilës arriti në 110 milionë lekë të vjetra… Një ndihmesë
të madhe dhanë edhe bijtë dhe bijat emigrantë të këtij
fshati dhe të fshatrave përreth… Nga i gjithë ky
kontribut u arrit ndërtimi i kësaj xhamie … një ndër
xhamitë më të bukura të rrethit të Shkodrës…” – (Kronika
me titull: “U përurua xhamia e fshatit Dragoç”, në
gazetën “Udha Islame”, nr. 22, korrik 2004, fq. 11).
Paradoksalisht, përveç kronikës së lartpërmendur, asnjë
shkrim i detajuar për madhështinë e kësaj xhamie dhe
sakrificën e banorëve të këtij fshati për ndërtimin e
saj, nuk ekziston. Jo vetëm kaq, por asnjëherë, asnjë
foto e kësaj xhamie nuk është publikuar në shtypin islam
të kohës e në vijim!? Paradoksalisht, ndodh edhe
kështu!?
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |






