Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e gjashtë, në xhaminë e Parrucës
(Shkodër,
më 5 shtator 2008)
Vështrim
Hyrja në oborrin e xhamisë së Parrucës, në qendër të qytetit, në
këtë natë të gjashtë të këtij Ramazani, ka një ndjesi
interesante e të veçantë. Kjo është teravia ime e parë për këtë
vit, në xhaminë e lagjes time! Është Ramazani i dytë në xhaminë
e re, që hapi dyert e saj ditën e xhuma, më 23 mars 2007, atë
ditë të paharrueshme jo vetëm për ne, por për mbarë Shkodrën,
Shqipërinë, ymetin islam..!
Oborrin e xhamisë e kanë “pushtuar” biçikletat e shumta dhe
motoçikletat e ndryshme të frekuentuesve të saj, të rinjve të
shumtë që vijnë grupe-grupe për të falur namazin e fundit të një
dite të gjatë, plot agjërim, lexim Kur’ani, namaz xhumaje,
dhikre, bamirësi...
Në
brendësi të saj, xhamia e Parrucës të magjeps me pamjen
tërheqëse, me të cilën veçohet nga të gjitha xhamitë e tjera të
Shkodrës, pse jo edhe përtej kufijve të saj! Ndoshta është
efekti i ndriçimit të sallës së faljes, ndoshta qeramika dhe
ajetet e shumta kur’anore që zbukurojnë muret e saj, ndoshta
elementet mjeshtrore të një qytetërimi të tërë arabo-islam të
vendosura në çdo cep të mureve të saj. Ndoshta është vetë pamja
komplekse, me të gjitha këto copëza mozaiku që sëbashku krijojnë
imazhin e një xhamie të madhe e të frekuentuar, plot gjallëri e
jetë!
Xhamia e Parrucës në këtë natë Ramazani, gumëzhin. Grupe të
rinjsh që takohen me njëri-tjetrin, flasin, qeshin, shtrëngojnë
duart e përqafohen përzemërsisht. Është pamja origjinale e një
vëllazërie pa artificializma, të natyrshme e humane. Diku tutje,
një i ri me fesin e bardhë në kokë i uron vëllezërve të tij:
“All-llahu ju pranoftë ninimin e sotëm” e, duke u afruar me ta
merr t’i tregojë ndonjë të veçantë të kësaj dite plot adhurim e
përkushtim të sinqertë!
Ndërkohë, muezini lajmëron fillimin e namazit dhe.., për pak, të
gjithë bëhen gati, drejtohen nga kibla, rregullojnë rreshtat dhe
me: “All-llahu ekber” në gojë fillojnë namazin e jacisë së kësaj
nate të re.
Namazi i teravisë nuk vonon. E drejton Hafiz Nuredin Demir, me
prejardhje shqiptare nga Prishtina, i ardhur nga Turqia. Kjo
është hera e parë që viziton një tokë shqiptare, por duke parë
mënyrën sesi komunikon me xhematin, thua me bindje se është
familjarizuar me të gjithë. Nuk heziton, nëpërmjet mikrofonit të
shqiptojë: “Reguloni reshtat, mani qetsi, po falim namazin”! Dhe
hafizi jabanxhi, na merr drejt një bote plot dritë adhurimi e
shpresë lutjesh...
Rekatet e teravisë shkojnë njëra pas tjetrës. Salavati me
xhemat, të cilit i prin muezini me zërin e tij të fortë,
sinjalizon mbarimin e një njësie prej katër rekatësh. Me
përfundimin e katër rekatëve të dyta, shumë prej të pranishëmve
marrin të dalin jashtë, të mjaftuar me kaq, ndërkohë që pjesa
tjetër e xhematit, pasi këndon në grup salavatin tradicional mbi
të dërguarin e All-llahut, vazhdon plotësimin e njëzet rekateve,
synet i fortë, të teravisë!
Në
tërësinë e tij xhemati i ri i xhamisë së Parrucës, është i dhënë
pas besimit dhe fesë, gjë që dëshmohet me praktikimin e riteve
fetare, edhe në ambientet e kësaj xhamie. Nga një vështrim i
përgjithshëm, elementet thelbësore të ilmihalit, ose
njohurive elementare për kryerjen e namazit, në tërësinë e tyre,
duket se nuk janë përvetësuar ende si duhet. Kjo shfaqet në
mënyrën e qëndrimit në namaz, lëvizjet e tepërta pa justifikim,
etika e qëndrimit pas namazit etj. Por, kjo mungesë kalimtare,
nuk e zbeh aspak vlerën dhe peshën që i japin këta të rinj
xhamisë, cilësdo xhami. Në fund të fundit, plotësimi i mangësive
në fjalë e të tjera të ngjashme me to, duhet të jetë edhe
angazhim i imamëve dhe prijësve fetarë që kanë për detyrë të
zgjerojnë metodat dhe sistemin e predikimit dhe mësimit fetar
brenda mureve të xhamisë dhe jashtë tyre! Vetëm atëherë kur
pjekuria institucionale e bashkësisë së muslimanëve të arrijë në
nivele bashkëkohore e të duhura, elementë të tillë të
mospërvetësimit të njohurive fetare (por edhe më tej se kaq), do
të jenë thuajse inekzistentë në komunitetin tonë! E, kjo nuk
mund të ndodhë përderisa vetë protagonistët e kësaj thirrjeje të
jenë neglizhentë (joqëllimisht) ndaj faktorëve të jashtëm e të
huaj që instalohen paditurisht në trupin e bashkësisë tonë
islame, duke ia deformuar imazhin e një bashkësie të ditur e të
përkushtuar!
Realitetet e jetës islame, ato që nuk na pëlqejnë e që nuk duhet
të jenë pasqyrë e shfaqjes së Islamit në shoqërinë tonë, mund të
ndryshojnë për mirë, vetëm atëherë kur duke filluar nga myftiu i
vendit (cilido myfti, i cilitdo vend), imami i xhamisë (cilido
imam, i cilësdo xhami) të mos mjaftohen vetëm me daljen në
xhami, thjeshtë për faljen e namazit dhe kryerjen e virdit në
heshtje, duke ruajtur nderin e medh’hebit e duke propaganduar me
me të madhe një hanefizëm të thatë e të përkufizuar në dobi,
vlera e largpamësi, materiale e shpirtërore! Kur hoxha (me
prezencën dhe imazhin e tij) të kthehet të jetë hoxhë, i nderuar
dhe i respektuar, fillimisht nga institucioni i tij fetar e
bashkësia përreth, jo model paradash e njeri i nëpërkëmbur! Me
pak fjalë, kur Thirrja Islame të kthehet e të jetë angazhim
serioz i të gjithëve, duke vendosur secili aftësitë dhe
mundësitë e tij në shërbim të saj, duke përvetësuar “rregullat e
lojës” së saj, ku ndër më primaret është urtësia, aftësia dhe
durimi për të punuar në grup për të mirën e përbashkët!
Duke dalë nga xhamia e Parrucës, disa të rinj këshillojnë
njëri-tjetrin. Dikush përmend një ajet. Dikush një hadith.
Dikush dëgjon e, dikush tund kokën në shenjë pohimi. Pak më
tutje, një grup besimtarësh më të moshuar, urohen në mes vete
për namazin e kësaj nate, teksa më tutje disa të tjerë marrin
rrugën për të pirë një kafe, kafenë e teravisë.
Është, si të thuash, një larmi realitetesh e nivelesh, qytetare
e besimore, ku mbi gjithçka qëndron besimi dhe dashuria për të
qenë sa më të përkushtuar e të kënaqur me Zotin!
Jo
më kot, ky muaj është quajtur “muaji i përkushtimit” dhe jo më
kot është cilësuar si “shkollë tridhjetë ditore”!
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |




