Teravia e dytë, në xhaminë e Plumbit

(Shkodër, më 1 shtator 2008) 

   Rruga për në xhaminë e Plumbit, kam parasysh hyrjen drejt kalasë së qytetit, i përngjet vendeve, ku mjerimi, varfëria dhe neglizhenca qëndrojnë mbi fronin e mendjes dhe ndërgjegjes shoqërore!

   Duke patur parasysh se zona prej ku fillon kjo rrugë e deri te xhamia e lashtë, është e mbushur me ndalesa historike, kulturore e vlera kombëtare që nuk u përkasin vetëm muslimanëve, por një kombi të tërë, gjendja në të cilën ndodhet të çon vetëm në një përfundim: degjenerim!

   Ndoshta kjo fjalë, në këtë natë të begatë të këtij muaji të madhërueshëm nuk tingëllon si duhet, por “ai që hesht para së vërtetës, është shejtan i shurdhët”! E, duke e parë realitetin në sy, duke llogaritur rreth 18 vite të shkuara e duke kaluar para syve deklaratat e bujshme të politikanëve shumëngjyrësh e ligjëratat e fushatave të ndryshme e tubimeve masive të ndodhura në këtë qytet rreth përmirësimit të infrastrukturës së tij, mbrojtjes së vlerave kulturore kombëtare etj, degjenerimi është fjala më e përshtatshme që mund të gjendet duke gërmuar në labirinthet e leksikut shqiptar!

   Kush duhet ta mbajë këtë turp të madh në ndërgjegjen e tij? Ndonjë politikan a deputet i pa ndërgjegjshëm për realitetet e shoqërisë që e votoi për të qenë ku është? Apo ndonjë drejtues institucioni, që krekoset pandërgjegjshmërisht, duke harruar detyrimet dhe obligimet që ka ndaj këtij realiteti me të cilin është i lidhur ngushtë? Apo ndonjë myftini e varfër dhe e reckosur, e padenjë për të mbajtur mbi supe sfida të mëdha që lidhin interesin e komunitetit, vlerat kombëtare dhe qytetërimin islam me kompetenca drejtuesish sehirxhinjë e frikacakë? Apo ndonjë shoqëri islame e palidhur dhe e pakonsoliduar, e pa interesuar për vlerat e institucioneve dhe relikteve historike të besimit të saj, që si justifikim të një realiteti pasiv ka institucionin e myftinisë, që vetëm kur përmenden kësi rastesh është institucioni i saj?! Apo, kush?

   Para jo më shumë se një dekade, në lagjen e Tabakëve (ish- bajrak i parë i Shkodrës[1]), digjej një ndër bibliotekat më të rëndësishme të kulturës tonë kombëtare dhe islame, ajo e Hasan ef. Këllyçit, Jusuf ef. Tabakut dhe hafiz Esat ef. Myftisë! Asnjë veprim! Asnjë reagim! Asnjë përgjegjës, përveç një defekti elektrik!?

   Pak më tutje, çinarit të madh shekullor të xhamisë së Tabakut po i shkurtohet jeta dita-ditës nga dora e papërgjegjshme e injorancës tonë qytetare, dorës së antivlerave! Asnjë veprim! Asnjë reagim! Asnjë përgjegjës, përveç faktit se në dimër, ndonjë copë e tij mund të mbajë gjallë për orë të tëra ndonjë shporet me dru!?

   Xhamia e Plumbit, me një pronë shumë të madhe vakëf, akoma nuk e ka asnjë rrethim serioz (por, as edhe një jo të tillë)! Akoma nuk e ka një kënd sportiv për fëmijët e lagjes (minimalisht), e përtej kësaj, dita-ditës po shkon drejt parcelizimit nga njerëz-gramë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje as me qytetërimin, as me besimin, as me vlerat dhe kulturën tonë kombëtare e islame!? Sërish, asnjë veprim! Asnjë reagim! Asnjë përgjegjës, përveç neglizhencës individuale dhe se kushdo sot, bëhet zot edhe i diçkaje që nuk është e tija, por e një komuniteti pasiv e të hutuar ecejakeve për të fituar një kafshatë bukë!? Jo më kot është thënë: “Varfëria, desh u bë femohim!”

   Sëbashku me thirrësin islam Lavdrim Hamja, vendosëm që natën e dytë të kësaj teravie, ta falnim në xhaminë-kible të Islamit në Shqipëri.

   Errësirën e e neglizhencës institucionale, e mbulon drita udhëzuese e yjeve të qiellit. Edhe ata, në heshtjen e tyre, shohin me dhembje realitetin e kësaj xhamie, realitetin e lagjes së vjetër të eulijave e salihinëve, dijetarëve e eruditëve të shquar shqiptarë, që dita-ditës po u humbet emri e gjurma, vlerat e kontributet në shërbim të besimit e kombit të tyre, në një formë a një tjetër!?

   Freskia e kësaj nate, përpiqet të na sejdisë, duke na marrë për dore drejt hyrjes së xhamisë, ku sapo hedh hapin e parë në brendësi të ambienteve të saj, prehja, qetësia dhe ruhanijeti shumëshekullor, preken dukshëm e bëhen shoqëruesit më të mirë në një natë si kjo, plot prehje, qetësi e ruhanijet Ramazani.

   Besimtarët e pranishëm në xhami janë të pakët. Janë banorë të lagjes, që i qëndrojnë përherë besnikë xhamisë së tyre. Në fakt janë besnikët e kibles së Islamit në Shqipëri! Rreth tyre sillen edhe ca nipër e mbesa. Në të shumtën e rasteve, ata nuk e dijnë tamam se çfarë është xhamia dhe për çfarë shërben. Në botën e tyre, ata sillen përreth saj, luajnë në ambientet e shumta që ka, hera-herës imitojnë më të mëdhenjtë duke u falur si ata, ndonjërin e zë edhe gjumi në prehrin e saj, duke i dhuruar xhamisë së lashtë copëza kohe, nga koha e tyre..!

   Namazit të jacisë i parapriu një bisedë fetare nga teologu Arben Halluni, që sikurse ne, kishte ardhur sonte për t’u takuar me amanetin e kësaj xhamie.

   Në bisedën që pasoi, u fola të pranishëmve për realitetin e lagjes së tyre, për atë që kisha menduar gjatë gjithë rrugës drejt xhamisë. U tërhoqa vëmendjen se prej mirësive të Ramazanit është se ai vjen edhe për të na motivuar edhe më shumë për t’i dalë për zot xhamive tona, ambieneteve të tyre, kulturës dhe vlerave tona besimore.

   U thashë se në një prej xhumave të Ramazanit, sëbashku me xhematin e xhamisë së Tophanës, do të vijmë të falemi në këtë xhami, për të sensibilizuar opinionin e përgjithshëm dhe drejtuesit lokalë të këtij qyteti, për rëndësinë e kësaj lagjeje islame me vlera të paçmuara kombëtare!

   Kam qenë i mendimit dhe besoj se nëse na mungon iniciativa dhe mundësitë për t’u ngritur në kërkim të asaj që duhet për fenë tonë, për besimin dhe vlerat shpirtërore e qytetëruese të tij, nuk duhet të na vijë e papritur neglizhenca e të tjerëve ndaj tyre, ndaj nesh! Në fund të fundit, ai që nuk interesohet për çështjen e muslimanëve, nuk është prej tyre!

   Pas përfundimit të namazit të teravisë, drejtuar nga thirrësi islam Lavdrim Hamja, imami i xhamisë, z. Mit’hat Myftija, falënderoi para xhematit të kësaj xhamie hoxhallarët e nderuar për prezantimin e tyre dhe interesimin e vazhdueshëm për mbarësinë e xhamisë së Plumbit.

   Nata e dytë e këtij muaji, tashmë kishte ulur siparin. Duke u larguar nga xhamia e Plumbit, qetësia e lagjes së vjetër, heshtja e natës dhe drita e yjeve në qiellin e kthjellët të kësaj nate ishin kthyer në shoqërues të sinqertë e dashamirë. Në vetëvete, reflektonin mëshirën e dhjetë ditëve të parë të Ramazanit, plot begati.



[1] “Bajrak i parë në Shkodër, deri me ardhjen në fuqi të Bushatlinjve, qe Tabaku…”, sipas studiuesit Hamdi Bushati, “Shkodra dhe motet”, Shkodër, 2005, vëllimi i parë, botimi II, fq. 65.

  

Teravia e dytë, në xhaminë e Plumbit
Teravia e dytë, në xhaminë e Plumbit
Teravia e dytë, në xhaminë e Plumbit
Teravia e dytë, në xhaminë e Plumbit