Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e dymbëdhjetë,
në xhaminë e fshatit Oblikë
(Shkodër,
më 11 shtator 2008 )
“Lavdi
t’Madhit Zot”! Kjo është emblema
xhamisë së Oblikës, e shkruar me germa të mëdha në
ballinë të fasadës së jashtme të saj. Në një farë mënyre është
një thirrje e sinqertë, e pastër, e qartë që tërheqë vëmendjen e
çdo kalimtari bri saj drejt një realiteti dhe një vërtetësie
absolute, të patjetërsueshme rreth së cilës sillet gjithësia me
çdo të lëvizshme e të ngurtë në të!
Kjo është
thirrja që duhet të zgjojë në ndërgjegjen e secilit prej nesh,
vullnetin dhe forcën për të mbajtur të pathyeshme përballë
sprovave dhe sfidave të femohimit, besën e All-llahut: “Ne ua
ofruam amanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk
deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, atë e
mori mbi vete njeriu... (Njeriu e mori përsipër) Ashtu që
All-llahu të ndëshkojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe
idhujtaret, e t'u falë besimtarëve dhe besimtareve. All-llahu
është Ai që falë shumë dhe është mëshirues.”[1]
Kjo është
thirrja që sa herë e lexon, sikur të thotë: “Ji musliman, të
mjafton krenari në mes njerëzve! Ji musliman, të mjafton pasuri
të Zoti! Ji musliman!”
Duke hyrë në
xhaminë e fshatit Oblikë, të pranishmit na presin me përqafime
të përzemërta dhe na urojnë për muajin e madhërueshëm të
Ramazanit.
Nga kursija
e dersit marr të flas për vlerën e dhjetëditëshit të dytë të
Ramazanit, faljes së All-llahut. Dersi na merr drejt Resulull-llahit
(a.s) e, papritur, xhamia mbushet me nurin e tij. Gjithçka
përreth nesh dëshmon dërgesën e tij profetike. Gjithçka përreth
nesh dëshmon dashurinë e tij, alejhis-selam!
Me lutjen në
gjuhën shqipe, drejtohemi nga namazi i jacisë dhe teravia,
tradita më e bukur dhe më e veçantë e këtij muaji.
Hafiz Musa
Hoxha, imami i moshuar i xhamisë, dëshiron që namazet e kësaj
nate t’i drejtojmë ne. Me lejen dhe dëshirën e tij, sëbashku me
thirrësin islam Lavdrim Hamja, kryejmë shërbimet fetare të kësaj
nate.
Fraksionet
katër rekatëshe të teravisë, në xhaminë e Oblikës, shoqërohen me
salavatin mbi Resulull-llahin (a.s). Zërat e fortë e kumbues të
Hafiz Musa Hoxhës e kujdestarit të xhamisë, z. Shaban Malja,
mbushin atmosferën me nota të këndshme salavatesh e lutjesh të
sinqerta për Zotërinë e bijve të Ademit.
Në përfundim
të virdit të namazit të fundit të kësaj nate, imami i xhamisë,
na falënderon përzemërsisht në mes të xhematit. “Kur hyra në
xhami dhe pashë se këta dy zotni na kishin urdhnu e nderu
xhaminë tonë, gati sa s’qava nga gëzimi. Zoti i madhnueshëm, i
shpërbleftë për shërbimin e tyne dhe për respektin që kanë tregu
ndaj nesh, duke mos na harru në këtë natë të madhe Ramazani”-
ishin disa nga fjalët me të cilat, imami 82 vjeçar i xhamisë
Oblikë, Hafiz Musa Hoxha, uli siparin e këtij tubimi të begatë,
në natën e dymbëdhjetë të Ramazanit.
Në dalje, të
gjithë na urojnë me zemër. Një zotëri i moshuar, duke më kërkuar
në vete, me shumë dashamiërsi, më thotë: “Të shtunën, kam
thirrur Hoxhën për iftar. A do më kishit nderu edhe zotnia
juaj?”, duke na shprehur në këtë mënyrë shpirtin e madh e
bujarinë e besimtarëve të kësaj zone e kësaj xhamie.
Duke u
larguar nga xhamia e fshatit Oblikë, hëna, e cila tashmë shkon
drejt plotësimit të ciklit të parë të gjysmës së muajit, me
dritën e saj ndriçon horizontet. Duket se çdo gjë dritëson me
dritën e saj të bardhë...
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|