Muhamed Sytari
thirrës islam
Teravia e dhjetë, në xhaminë e fshatit Kosmaç
(Shkodër,
më 9 shtator 2008 )
Hyrja në
oborrin e xhamisë së Kosmaçit të jep një kënaqësi të veçantë,
për faktin se kudo mbizotëron gjelbërimi, ndërkohë që pemët e
shumta në lloj e sasi, qëndrojnë në këmbë para syve të tu, teksa
kalon pranë tyre drejt hyrjes së faltores. Buzë derës së metaltë
të oborrit, qëndron një shelqe e madhe, degët e së cilës bien
mbi derë duke të përkëdhelur me butësi që në hapin e parë në
hyrje të tij.
Xhamia e
këtij fshati është e rregullt, e plotë, e hijshme dhe me një
strukturë ndërtimi të ngjashme me xhaminë e Perashit, në qytetin
e Shkodrës.
Në ballë të
hyrjes qëndron mihrabi i lyer me ngjyrë të jeshile. Në të djathë,
minberi i punuar me dërrasë, është veshur i tëri me një copë të
kuqe. Përballë tij, në krah të majtë ndodhet kursija e dersit.
Xhamia është e mobiluar me qendër zëri, elektrifikim të rregullt
dhe është shtruar me tapeta shumëngjyrësh e shumë llojesh.
Dritaret e saj, me perde ngjyrë blu, përveçse i shtojnë bukuri
pamjes së brendshme të xhamisë, bëjnë që gama e gjerë e ngjyrave
të krijojë një ylber të këndshëm, i cili të dhuron qetësi e
prehje.
Kjo natë
është e qetë dhe freskët. Era ka filluar të lëvizë dhe
fëshfëritjet e gjetheve në pemët e shumta duket sikur bien
salavate mbi të Dashurin, ndërsa muezini i xhamisë është ngritur
për të lajmëruar hyrjen e kohës së jacisë.
Nga brenda,
xhamia e Kosmaçit, është e pastër, e mirëmbajtur dhe kudo
dominon qetësia e natyrshme e një faltoreje, në prag të
përgatitjes për lutjen e ezanit dhe namazet vijuese.
Rreth 90 % e
xhematit të kësaj xhamie, sonte, janë moshë e re. Më të vjetrit
e pranishëm, thonë se një pjesë e xhematit kanë shkuar të falen
në xhaminë e Mjedës e përreth. “Pothuajse për çdo natë teravie,
një pjesë e xhematit, shkon të falet në xhamitë përreth tonës. E
kemi si zakon dhe e bëjmë me radhë”- thonë ata, si për të “justifikuar”
mungesën e pjesës tjetër të xhematit të moshuar.
Imami i
xhamisë, Bujar Hoxhani, është njeri mikpritës dhe i
respektueshëm. Në pamje të parë duket se në mes tij dhe xhematit
të kësaj xhamie ekziston një lidhje e fortë, e ndërtuar mbi
respektin e ndërsjelltë, dashamirësinë reciproke, përkushtimin,
dëshirën dhe vullnetin për të kontribuar në rrugën e gjatë të
udhëzimit dhe Thirrjes Islame.
Të rinjtë e
kësaj xhamie janë njerëz të urtë e të qetë. Me gjunjë të thyer,
ata dëgjojnë me heshtjen e kërkuesit të diturisë dersin e kësaj
nate. Teksa flas për urtësinë e ndarjes së muajit të Ramazanit
në tri etapa dhjetë ditore (mëshirë, falje, largim nga ndëshkimi
hyjnor), në të cilat duhet të përfitojmë sa më shumë, për të
shtuar veprat e mira, për të pakësuar të keqen e vetes e, për të
ndryshuar diçka nga natyra e jashtë Ramazanit, ata dëgjojnë me
vëmendje, të përqendruar.
Dersin e
shoqëron edhe era e freskët e kësaj nate, që nëpërmjet dritareve
të hapura hyn me butësi në mes tonë, për t’u ulur në gjunjë,
bashkë me pjesën tjetër të xhematit. Edhe era e freskët e kësaj
nate kthehet në xhemat, në xhaminë e Kosmaçit. Me prezencën e
saj, ajo lajmëron shenjat e para të një vjeshte të re në rrugë
drejt nesh...
Namazi i
teravisë nuk vonon dhe na merr në një botë të gjerë e të pafund
të mbushur me rrugëtime shpirtërore në kërkim të lidhjes së
sinqertë, mëshirës, faljes, kënaqësisë hyjnore, në hapësirën
njëzet rekatëshe të miraxhit ramazanor të kësaj nate.
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |





