Takim vëllazëror në xhaminë e Tophanës...

(E xhuma, më 1 shkurt 2008) 

 

   E xhumaja e parë e muajit shkurt 2008, do të mbahet mend gjatë në zemrat e besimtarëve të shumtë të xhamisë së Tohpanës. Pjesëmarrës në këtë ceremoni të përjavshme ishte edhe një delegacion me studiues dhe specialistë të teologjisë islame nga Turkia, në përbërje të të cilit ishin editori i revistës “Shebnem”, z. Omer Faruk Demireshik, shoqëruar nga zonja e tij Halime Demireshik, specialiste e historisë islame, Nurdan Ihtibar, specialiste e tefsirit dhe e hadithit dhe Sena Kabakxhë, specialiste e edukatës islame. Ata ishin miqtë e nderuar që prezantuan në mesin e vëllezërve dhe motrave muslimanë të kësaj xhamie.

   Nëpërmjet minberit të xhumasë, hatibi i kësaj xhamie, thirrësi islam Muhamed Sytari i uroi mirëseardhjen miqve të dashur dhe njëkohësisht ftoi z. Demireshik për të përshëndetuar xhematin e kësaj xhamie në përfundim të faljes së xhumasë.

   Pas faljes, miku nga Turkia falënderoi të pranishmit për atmosferën vëllazërore dhe uroi që urat e vëllazërisë islame në zemrat e këtyre besimtarëve të forcohen dita-ditës, “për të jetuar në hijen e mëshirës së Krijuesit Fuqiplotë vëllezër të dashur e në mirëkuptim të plotë me njëri-tjetrin”.

   Në përfundim të bisedës së tij të ngrohtë, thirrësi islam Muhamed Sytari, në emër të xhematit të kësaj xhamie i dhuroi z. Demireshik një punim në dru të xhamisë së Plumbit dhe pasaportën e Resulull-llahit (a.s), në të cilën janë përmbledhur me imtësi detajet më të rëndësishme të jetës së Vulës së të Dërguarve të All-llahut.

   Përqafimet e përzemërta dhe urimet vëllazërore sinjalizuan përfundimin e kësaj xhumaje të veçantë për besimtarët e kësaj xhamie.

Ilir Dizdari, imam i xhamisë Tophanë