Takim me intelektualë të Ulqinit

(Ulqin, e enjte, më 20 mars 2008) 

Në ambientet e hotel “Dolcino”, kryesia e Bashkësisë Islame të Ulqinit, ka organizuar një takim me elitën e intelektualëve dhe biznesmenëve të Ulqinit. Në këtë takim të ngrohtë, i ftuar nderi ka qenë thirrësi islam Muhamed Sytari, i cili ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e Mevludit Sherifë të organizuar pas namazit të iqindisë së ditës së sotme në xhaminë e Mezjahut.

Në fjalën e tij hyrëse, z. Avdo Gorani, kryetar i porsazgjedhur i Bashkësisë Islame të Ulqinit ka përshëndetur pjesëmarrësit dhe njëkohësisht ka falënderuar gatishmërinë e tyre për të qenë sëbashku në këtë mbrëmje të veçantë. Më pas ai ka prezantuar edhe mikun e mbrëmjes, të ftuarin nga Shkodra, thirrësin islam Muhamed Sytari.

Në fjalën e tij, miku nga Shkodra është ndalur te haku i Resulull-llahit (a.s) në veten e secilit musliman, duke marrë shkak edhe nga data e përkujtimit të lindjes së zotërisë së bijve të Ademit, Muhammedit (a.s). Ai ka nxitur të pranishmit për të kontribuar në çdo kohë për të mirën e fesë islame dhe harmonisë së saj me shoqërinë.

Njëkohësisht ai ka përshëndetur projektet e shumta të Bashkësisë Islame të Ulqinit, të bëra publike nga kryeimami i Ulqinit, H. Rexhep ef. Lika, gjatë ceremonisë së pasdites në xhaminë e Mezjahut.

Takimi është përshëndetur edhe nga kryetari i komunës së Ulqinit, z. Gëzim Hajdinaga, kryeimami i Ulqinit, H. Rexhep ef. Lika, dr. Gani Karamanaga, studiuesi Ismet Karamanaga e shumë intelektualë të tjerë të pranishëm.

Të pranishëmve në këtë takim i është shpërndarë edhe monografia: “Hafiz Qamil Tresi- në gjurmët e një biblioteke që sfidon heshtjen e kohës...”, të thirrësit islam Muhamed Sytari.

Në fund të diskutimeve, nga të pranishmit janë drejtuar pyetje të shumta për mikun nga Shkodra.

 

www.muhamedsytari.net