Muhamed Sytari
thirrës islam
Stacione malli...
(Përjetim i një vizite në shtëpinë e hoxhës tim Vehbi S. Gavoçi, në Damask)
Muhamed Sytari , thirrës islam
Damask, 24
dhjetor 2007. Namazi i akshamit ka ulur siparin, e lutjet e një
nate të re janë ngritur lartësive të bardha, në pritje të
përgjigjeve. Përgjigjja e lutjes time qëndron para meje e
natyrshëm shkoj drejt saj...
Trokita në derë. Momentet e pritjes deri në hapjen e saj
janë aq të gjata, sa të shkurtra kur para teje shfaqet i
dashuri... Pritja, që nuk i kaloi sekondat e një minuti,
shoqërohej me një emocion të veçantë. Kishte kohë që nuk kishte
kaluar nga zemra ime...
Dera u
hap. Momenti kur syri të bie në ato dy sy të bukur të
atij njeriu të bardhë, me shfaqjen e të cilit shfaqet një botë e
tërë rrezatimesh historike plot nur dijetarësh e njerëzish të
përkushtuar ndaj kësaj feje dhe mësimeve të saj qytetëruese.
Moment i shtrenjtë! Më i shtrenjtë se qindra momente të venitura
në trokitjet e dyerve të vdekura të njerëzve në grahma
qytetëruese...
Vështrime të gëzuara, të përmalluara. Sytë e bukur të
Hoxhës, jo vetëm që më uruan mirëseardhjen, por më dhuruan
ngrohtësi që shkrin emocionet e që njëkohësisht i ndez ato për
të jetuar në mënyrë të papërsëritshme në praninë e dritshme të
një njeriu, dashuria e të cilit është thurruar thellë në
zemër...
Selame
e përqafime. Selamet në praninë e të dashurit, përveç
gjuhës së mallit të përligjur, shprehin edhe nostalgjinë e
viteve të shkuara, mallin e viteve që jetojmë, mallin e viteve
që do të vijnë, ku malli dhe nostalgjia do të jenë shumëfish më
të përmalluar për selamet para duarve të të dashurit...
Ai selam i
ngrohtë të krijon një ndjesi, para së cilës e sheh veten të
vogël, por që dita-ditës burrërohesh, dita-ditës fuqizohesh,
dita-ditësh rritesh edhe para vetë dashurisë së tij. E në një
moment si ky, papritur e gjen veten të përmalluar para duarve të
tij, i pangopur me selame e vështrime... Ah, sa shpejt shkojnë
ato selame e vështrime... Nga karriga e kujtimeve të mia, ku jam
ulur, ato janë kthyer në kohë të shkuar... Është malli që s’njeh
gramatikë e që s’pyet për kohë... çdo gjë për të është e
tashme...
U ulëm.
E si mund të rrijë njeriu “rehat” përbri të dashurit, aq më
tepër që taxhet e diturisë dhe të përshpirtësisë shembëllejnë
mbi kokën e tij të bardhë, duke i shtuar bardhësisë së natyrshme
bardhësi...
Zemra nuk
njej gjuhë tjetër veç dashurisë e pafajsisë së saj. Përgjigjet i
shoqëron zëri i thyer, herë-herë i mekur i shoqëruar me
frymëmarrje të thella që në prezencën e të dashurit fitojnë
oksigjen dashurie të pastër, ushqyes për dashurinë dhe
besnikërinë e saj... Oksigjen fatlum për zemrën e drobitur
rrugëtimeve të gjata e të pafund botërave pa oksigjen dashurie e
besnikërie ndaj saj...
U
gëzua i dashuri. U gëzova unë. Shkëndijat e syve të tij
ndezën zemrën time me gëzimin e tij. I dhanë sihariq asaj e
sërish mekshëm uli sytë para gëzimit të të dashurit, me kokën
ulur qëndroi derisa i dashuri për dore e mori drejt lutjeve
bekuese të mbarësisë...
Lotuan
gëzueshëm sytë e të dashurit. O Zot, si mund ta përshkruajë
dobësia e përshkrimit tim dritësinë e lotit të tij të
mrekullueshëm, rrezatimet e të cilit mbushën lotët e mi me dritë
të dashuri... E lotët tanë u bashkuan... u bënë një lot i
vetëm... Për pak çaste ne ishim një.., i dashuri dhe unë... Na
bashkoi shkëndija e lotit të tij...
U lut i
dashuri. Lutja e tij nuk kishte kufi. Unë qëndroja pas
lutjes së tij. Vrapoja pas dritës së saj, por nuk e zija dot.
Drita e lutjes së tij shpejtonte drejt brigjeve të përgjigjeve
nuranite që pasojnë kësi lutjesh. Unë, në heshtjen time para të
dashurit, ndjeja vetëm flladet e përgjigjeve të lumtura të
lutjes së tij plot dritë që ktheheshin drejt meje, duke më
mbushur me optimizëm e duke më falur lutje plot dritë...
Më
vështroi i dashuri. O Zot, si mund të mos e ndiqja
vështrimin e tij, për të cilin kisha aq shumë mall... O Zot, por
si mund ta vështroja vështrimin e tij, kur krejt qënia ime, me
dëshirën e madhe dhe kënaqësinë e saj para tij, ishte skuqur
para vështrimit të të dashurit... Vështrimi im nuk mund ta
vështronte vështrimin e tij. Me sy ulur do të priste rrezatimet
e tij bekuese, ndonëse nga thellësia e zemrës gëlonte një
dëshirë rebele, të cilës sytë e mi të ulur nuk mund t’i
përgjigjeshin, ndonëse edhe ata dëshironin pak rebelim...
U
ngrita. Ajo derë që para pak momentesh ishte hapur për
të hyrë nëpërmjet saj, po hapej sërish.., por nga ana tjetër...
Sa kishim ndenjur bashkë? Sa kishim pa ndenjur bashkë?.. Ajo
vizitë ishte si një mirazh i ëndërruar që ishte kthyer në
realitet...
E
putha dorën e të dashurit. Nuk lejova që malli e
nostalgjia të më merrnin kënaqësinë e përmallshme të ndenjës me
të dashurin për disa momente mirazhi.
Ishte një
moment sa për një orë... një orë sa për një ditë, e një ditë sa
për një vit a më shumë se një vit... Ishte si një mirazh i
ëndërruar...
Shkodër, më 15 janar 2008