ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Simpozium fetar në hotel “Tirana International”

(Tiranë, më 30 janar 2010) 

Paraditën e ditës së shtunë, më 30 janar 2010, në një nga sallat e konferencave në hotel “Tirana International”, Mesxhidi i Ehli Bejtit ka organizuar një simpozium fetar, me në qendër personalitetin e Imam Mehdiut, si dhe promovimin e një libri kushtuar jetës dhe personalitetit të tij.
Në këtë aktivitet, kanë marrë pjesë personalitetet të ndryshme fetare, politike, diplomatike, intelektualë e besimtarë të ndryshëm nga Shqipëria, Mali i Zi, Gjermania, Irani etj.
Simpoziumi në fjalë, ka nisur me fjalën e rastit të mbajtur nga organizatori i tij Sheh Qemaludin Reka. Ai është pasuar nga fjalët përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Musliman të Shqipërisë, H. Selim Muça, kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve, av. Rasim Hasanaj, përfaqësuesi i tarikatit Rifai të Malit të Zi, përfaqësuesi i Asamblesë Botërore të Ehli Bejtit, ambasadori i Republikës Islame të Iranit dhe përfaqësuesi i Kryegjyshatës Botërore Bektashite të Shqipërisë. Mbi personalitetin e Imam Mehdiut sipas librave të Ehli-sunetit ka folur teologu Sajmir Bulku, ndërkohë Imam Muhamed Sytari ka referuar mbi librin “Dielli i perëndimit”, i promovuar në këtë simpozium.
Gjatë fjalës së tij, Imam Muhamed Sytari i  është përgjigjur përfaqësuesit të Kryegjyshatës Bektashite, rreth çështjes së martirizimit të hz. Aliut, hz. Husejnit etj, sikurse ka kërkuar nga organizatori i këtij simpoziumi që të organizojë një tjetër takim shkencor ku të diskutohet rreth kësaj teme të nxitur nga dervishi bektashi gjatë fjalës së tij.
 

www.muhamedsytari.net