Muhamed Sytari
thirrës islam
Simfoni kujtimesh, brigjeve të Marmarasë...
(Më
dukej se më merrej fryma teksa mbushesha me frymën e kujtimeve
të mia )
Pendik, 16 qershor 2008
Po ecja i vetëm buzë shkëmbinjve të lagur nga ujrat e Marmarasë.
Dielli po bëhej gati të perëndonte duke lënë pas vetes shenjat e
tij në horizonte. Këto të fundit kishin marrë një ngjyrë
mallëngjimi nga delikatesa e ndarjes...
Nga ana tjetër hëna, pothuajse e plotë, sa vinte e afrohej me
dritën e saj të bardhë. Më shoqëronte kudo me vështrimet e saj
ngrohëse. Era e detit që frynte me shumë butësi, më merrte në
një botë plot kujtime e nostalgji, sa afër aq larg, sa ëmbël aq
dhimbshëm, sa gëzueshëm aq trishtueshëm... Më dukej se më merrej
fryma teksa mbushesha me frymën e kujtimeve të mia e, ato nga
ana e tyre e merrnin frymën time për ta mbajtur në gjirin e
tyre, për t’u mbushur me të, dashurisht...
Pranë brigjeve të Marmarasë, vetmia nuk ka vetmi..! Atë e
shoqëron simfonia e pandërprerë, ëmbëlsisht prezente, e
gabianëve të bardhë, me krahë gri, me sqep të verdhë... Seç
këndojnë? Se kujt i këndojnë? Seç kujtojnë? Seç kujtime ndajnë
me erën e detit? E ajo, era e Marmarasë, në një moment të
magjishëm, bëhet përcjellësja më besnike e jehonës së kësaj
simfonie kujtimesh, jehonën e të cilave ajo e merr për ta ndarë
me të vetmuarit në kujtimet e tyre, buzë shkëmbinjve të
Marmarasë...
Diku larg, nga një anije e vogël që kthehet në breg, dëgjohet
zëri melankolik i dikujt që këndon e thotë: “Kur të mos ndjehesh
më mirë, mbylli sytë dhe mbështetu te zemra ime... Freskia e
kësaj ere, më mbush me frymëra që përcillen vetëm në shikimet
tona të ngrohta...”, ndërkohë që melodia e kësaj kënge të
famshme sufiste përhapet gjithandej, duke u përthyer ëmbël e
qetë në krahët e puhizave të detit që ka marrë ngjyrë
kujtimesh...
Ai zë me botën e tij i përngjet simfonisë së gabianëve që
këndojnë pa pushim. Seç këndojnë? Se kujt i këndojnë?..
Dielli tashmë është fshehur plotësisht pas horizonteve
perënduese. Dritën e tij e ka marrë hëna. Hapat e mi për një
çast ndalen. Vështrimet melankolike udhëtojnë përtej detit, në
krahët e erës së Marmarasë, në simfoninë e gabianëve me sqep të
verdhë. Shkojnë larg. Sa largësia e frymës së kujtimeve... Sa
largësia e nostalgjisë së kujtimeve plot frymë jete... Sa
largësia e notave të simfonisë së gabianëve, kur i këndojnë
frymës së kujtimeve të tyre, të mallëngjyer...
Brigjeve të Marmarasë, në një prag muzgu, u bashkuan era e
detit, simfonia e gabianëve, vetmia e kujtimeve të mia, vargjet
e mallit sufist të përthyera në krahët e puhizave mbi blu, në
shoqërinë e dritës së hënës që vështronte nga lart dhe merrte
nga fryma e kësaj simfonie kujtimesh...
Muhamed Sytari