Shpirt Ramazani në Arizona të ShBA
(Phoenix,
3 shtator 2009 )
Ditët e pritjes për të udhëtuar drejt Arizonës (ShBA), me ftesë
nga Qendra Islame Shqiptare Amerikane e këtij shteti, kaluan me
shpejtësi, sikurse dhe udhëtimi i gjatë (që shpesh dukej se nuk
kishte të sosur) drejt destinacionit tim.
Në akshamin e datës 31 gusht 2009, në aeroportin “Sky Harbor
International”, më priste miku im i ngushtë, Imam Didmar Faja
dhe anëtarët e bordit drejtues të xhamisë “Greenway”. Takimi me
të dhe bashkëpunëtorët e tij ishte shumë i përzemërt dhe i
ngrohtë. Kishte kohë pa u parë, që nga janari i këtij viti, kur
imami i shqiptarëve të Arizonës vizitoi Shkodrën (në axhendën e
së cilës ishte edhe xhamia e Tophanës)...
Pas akomodimit, një filxhan çaji i ngrohtë dhe njohja reciproke
me disa prej anëtarëve më aktivë të kësaj qendre, ishte gjëja që
do të plotësonte natën e parë të qëndrimit tim në kryeqytetin e
shtetit të formuar në vitin 1912.
Të nesërmen e mbërritjes, së bashku me Imam Didmarin, vizituam
xhaminë e qytetit Tempe, me kupolat e ngjashme me ato të
Mesxhidi Aksasë, si dhe shkollën islame metropolitane të
Phoenixit, ku mësonin mbi 170 nxënës, me prejardhje nga shumë
shtete të ndryshme, si: Siria, Jordania, Bosnja, Etiopia,
Somalia, Egjipti, Iraku, Amerika etj.
Mikpritja e drejtoreshës së kësaj medreseje, zonjës Hind dhe
stafit të saj, ishte shumë e ngrohtë dhe thuajse befasuese për
nga vlerësimi dhe nderimi i shfaqur në drejtimin tonë. Së bashku
vizituam të gjitha klasat, mësuesit, nxënësit dhe ambientet e
kësaj shkolle të kompletuar me palestrën sportive, sallën e
informatikës, kabinetet e lëndëve të ndryshme fetare dhe
shkencore, si dhe dy ambientet e posaçme për kopshtin e fëmijëve
të vegjël muslimanë të këtij vendi. U kënaqëm nga arritjet dhe
mbi të gjithë nga vetë prezenca e kësaj shkolle në këtë vend. Më
dukej sikur kisha ardhur për vizitë në Damask, ndoshta në
Stamboll a Dubaj, ndonëse ndodhesha në Arizona të Shteteve të
Bashkuara të Amerikës..!
Po atë ditë vizituam edhe Akademinë Kulturore të Arizonës, ku
miku im imam, jep orët e Kur’anit. Në vizitën e këtij
institucioni islam, nuk do të harroj takimin me disa studentë të
vitit të katërt të kësaj Akademie. Disa syresh, kishin origjinë
arabe, si: nga Siria, Jemeni, Jordania, Palestina etj. Së bashku
zhvilluam një dialog të shëndetshëm mbi vlerën e kohës dhe
marrëdhëniet e rinisë muslimane me Krijuesin e gjithësisë,
përballjen me sfidat e kësaj kohe, paragjykimet mbi mbajtjen e
hixhabit etj. Teksa biseëdonim, më tërhiqte vëmendjen lirshmëria
e tyre në komunikim, thjeshtësia e pyetjes, vëmendja ndaj
argumenteve të bisedës tonë dhe afrimiteti i gjetur në mes tyre.
Kjo ditë u plotësua me namazin tim të parë të jacisë në xhaminë
e shqiptarëve të Arizonës. Pas prezantimit të bërë nga imami i
saj, mbajta një bisedë fetare që i binte të ishte një lloj
përshëndetje dhe prezantimi me xhematin e kësaj faltoreje të re
e të hijshme. Ato, u pasuan me namazin e teravisë dhe
përshëndetjet e përzemërta me frekuentuesit e shumtë të saj, ku
përveç shqiptarëve kishte edhe besimtarë pakistanezë,
palestinezë, egjiptianë, indianë etj. Të gjithë së bashku,
ngjasonin me një vëllazëri të vetme, të ngushtë e të sinqertë,
në zemër të së cilës nuk ekzistonte dallimi racor, paragjykimi,
mbivlerësimi i një grupi mbi një tjetër. Ishin mishërimi i
harmonisë së vërtetë islame, për të cilën shpesh lexojmë e
flasim, por fare pak e ndjejmë në rrethet tona shoqërore…
Muhamed Sytari