ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

“Shoqëri islame dhe thashethemesh, nuk shkon!”

(Shkodër, më 30 tetor 2009) 

 “Shoqëri islame dhe thashethemesh njëkohësisht, nuk shkon! Përse muslimanët e sotëm gënjejnë, kur muslimani nuk gënjen? Përse mashtrojnë njëri-tjetrin, kur muslimani nuk e bën këtë? Përse kur ulen në tavolinat e tyre, në vend që të angazhohen me biseda serioze që ndikojnë në lartësimin e tyre besimor, intelektual e qytetar, merren me fjalë për njërin e tjetrin, sidomos për hoxhallarët e tyre?”- kanë qenë disa nga pyetjet e bëra nga hatibi i xhamisë Tophanë, Imam Muhamed Sytari gjatë hytbes së ditës së xhuma, më 30 tetor 2009.
Në këtë hytbe, ai ka vazhduar të flasë mbi rrugët e afrimit me All-llahun, Zotin e botrave, duke theksuar: “Shumë muslimanë mendojnë se rrugët e vetme të afrimit me Zotin janë pesë shtyllat e Islamit. Gabohen! Pa dyshim që pesë shtyllat e fesë tonë janë rrugët më garante të afrimit me Zotin, por jo të vetmet! Janë me dhjetra mënyrat dhe rrugët e afrimit me All-llahun e Madhëruar!”
Në këtë hytbe, hatibi i Tophanës, është përqendruar kryesisht te sëmundjet e gjuhës dhe te thyerja e besës duke konstatuar se: “Muslimani është njeri me gjuhë të pastër, njeri i besës! Muslimani nuk gënjen, nuk merr të tjerët nëpër gojë, ruhet nga mashtrimi dhe paragjykimi nëpërmjet fjalëve. Muslimani nuk e thyen besën e dhënë! Muslimani nuk është hipokrit!”

  
Hytbeja e xhumasë është regjistruar dhe mund të ndiqet në youtube, nëpërmjet kësaj adrese:

(http://www.youtube.com/watch?v=FJ-wf-hHm3M&feature=related).
 

V. Mehmeti

 
“Shoqëri islame dhe thashethemesh, nuk shkojnë!”