Shkrime shqip me alfabetin me bazë arabe
(“Hafiz Qamil Tresi- Në gjurmët e një biblioteke që sfidon heshtjen e kohës...”, Shkodër, 2006)
Në arkivin e Hafiz Qamil Tresit, janë të ruajtura edhe disa
fletë mbi të cilat ai ka shkruar shqip me alfabetin me bazë
arabe. Ky fakt është shumë interesant dhe dëshmon edhe për
aftësitë e tij për të shkruar e lexuar shqipen me këtë alfabet.
Dihet shumë mirë se edhe gjuha shqipe është shkruar për vite të
tëra me shkronja të familjes arabe (periudha e artë osmane).
Arsyeja e këtij veprimi është shumë e thjeshtë. Shqiptarët, si
shumë kombe të tjera pas përqafimit të Islamit me syrin e
objektivitetit, adaptuan edhe shkrim këndimin me alfabetin me
bazë arabe, meqenëse vetë kalifati përdorte këtë lloj alfabeti
dhe ai ishte më bashkëkohori e më i përhapuri në botën e
qytetëruar. Mirëpo ky fakt nuk i pengoi dijetarët shqiptarë "të
krijonin" shkronja, që do t'ia adaptonin dhe do t'ia shtonin 28
shkronjave bazë të alfabetit arab.
E rëndësishme ishte që shqipja do të lexohej e do të shkruhej me
fjalët dhe fjalorin e saj, me alfabetin më modern të kohës.
Në këtë pikë, më habit fakti se përse disa studiues të shqipes,
kur kanë marrë të flasin për ndryshimin e alfabetit të gjuhës
tonë (nga baza arabe në atë latine, në periudhën e degjenerimit
të kalifatit islam), kanë abuzuar dukshëm me mbrojtësit e
versionit të parë duke i etiketuar ata si demagogë, shtypës,
dhunues, fanatikë fetarë që po pengonin Abenë e Manastirit?!
Përse ky abuzim tendencioz dhe aspak objektiv e shkencor, në
njëkohë që shqipja ishte po ajo, lexohej (dhe lexohet) njësoj si
me shkronja arabe ashtu edhe me ato latine?! Nuk kam për qëllim
këtu të hap një debat, tashmë të mbyllur, por mendoj se
qëndrimet e shumë prej atyre që kanë hulumtuar rreth kësaj teme
dhe kanë shkruar pro alfabetit aktual të shqipes, kanë qenë
ngjyrosur me ngjyrat e politikave të kohëve të shkuara, jo
objektivizmit shkencor!
Në shfletimin e librave të bibliotekës së Hafizit, kam gjetur
shënime me shkrimin e tij, shqip me alfabet arab. Në njërin prej
tyre shënohet: "Fal dy rekat haxhet namaz nafile. Mandej knon
suren Inshirah...". Gjithashtu kam gjetur edhe një ilahi me po
këtë mënyrë shkrimi. Për efekte të vjetërsisë së letrës dhe
konsumimit të pjesshëm të saj, teksti i kësaj ilahije nuk mund
të jetë i plotë, megjithatë ai vlen si ilustrim:
Ilahi shqyp
Elif- All-llah ban merhamet
daimâ jemi në gaflet.
Gjynahet si malet në tok
bana shefaât ja Muhammed!
Nefs e marreja na shtohet,
exheli pa na afrohet.
shtati pa flen s'pa munohet
bana shefaât ja Muhammed!
Nji njeri qi s'fal namaz
...
...
bana shefaât ja Muhammed!
Nji njeri qi asht qibar,
flet pa men e pa karar.
derdimen[1] fort gjynahqar,
bana shefaât ja Muhammed!
Se qibart i çojn' xhehenem,
nuk i ban hiç njeri qerem,
...
bana shefaât ja Muhammed!
...
...
...
bana shefaât ja Muhammed!
Kur të dalim n'Aresât,
bana hije për sirât,
për hyrmet seum e salât,
bana shefaât ja Muhammed!
Kur ta shofim exhelin pranë,
ja All-llah na largo shejtanë,
Aman, mos na rrejë pa imanë,
bana shefaât ja Muhammed!
Edhe shtatin do ta marrin,
...
në vorr aty do ta lan,
bana shefaât ja Muhammed!
Në radhë të parë nuk dihet me saktësi kush është
autori i këtyre vargjeve, ndonëse janë gjetur të shkruara me
dorën e Hafiz Qamil Tresit. Në këto strofa, bëhet lutje që All-llahu
të na mëshirojë me mëshirën e Tij, sepse natyra e jonë njerëzore
karakterizohet nga hutimi (gaflet) e gjynahet tona janë të
shumta e të mëdha, si malet në tokë. Pastaj përmenden terma të
botës sufiste islame, si: nefsi, marreja, afrimi i exhelit,
qibari, gjynahqar, etj. Në këtë ilahi, tërhiqet vëmendja e
afrimit të exhelit, momentit të ndërrimit jetë, që dëgjuesi të
reflektojë e të përpiqet për të qenë sa më i përkushtuar në jetë
dhe të fitojë ditët e tij.
Në disa vargje të ilahisë vjen edhe këshilla e nënkuptuar: "Kushdo
që është qibar (mendjemadh) dhe flet pa mend, është gjynahqar
dhe do ta pësojë në jetën e tij". Kjo këshillë është edhe thelbi
i krejt ilahisë.
Gjithashtu bëhet një lutje me ndërmjetësimin e seumit[2]
e salatit[3], që dalja në ditën e gjyqit të
madhe të jetë sa më e lehtë e sa më paqësore për besimtarët.
Ilahija përfundon me kujtimin e momentit të vdekjes dhe se si
katër persona do të marrin trupin e njeriut e do ta hedhin në
një varr, ku edhe do ta lënë. E gjitha kjo në funksion të
lidhjes logjike me dy strofat e para.
E veçanta e madhe e kësaj poezie fetare është përefundimi i çdo
strofe me lutjen për shefaâtin e Resulull-llahit (a.s), pra
lutja për ndërmjetësimin e Zotërisë së Tij, ditën e gjykimit,
sikurse është transmetuar në veçoritë e Profetit Muhammed (a.s).
Muhamed SYTARI,
“Hafiz Qamil Tresi- Në gjurmët e një biblioteke që
sfidon heshtjen e kohës...”,
Shkodër, 2006
[1] Derdimén,~i m.sh. ~ë, ~ët mospërf.
1. Njeri i trashë nga mendja, torollak, leshko, teveqel. Mos i
fol atij derdimeni! Lëre derdimenin! Ku e çon mushka derdimenin.-
Shih: Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980, fq. 311.
[2] I thonë në arabisht agjërimit.
[3] I thonë në arabisht namazit.