ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

"Kijameti është ekuivalent me prishjen, shkatërrimin..."

(Shkodër, më 17 dhjetor 2009) 

Në dersin e natës së xhuma të datës 17 dhjetor 2009, Imam Muhamed Sytari, ka vazhduar të flasë mbi vlerat dhe dobitë e hadithit të dytë prej 40 haditheve të Imam Neveviut, duke u ndalur te shenjat e vogla të kijametit.
Në hyrje të dersit, ai ka uruar natën e madhnueshme të Hixhres Sherife, duke thënë: “Fillimisht, më lejoni t’ju uroj me zemër këtë natë të madhnueshme, në të cilën para 1431 viteve më parë, Resulullahi (a.s) në shoqërinë e Ebu Bekrit (r.a) udhëtonte drejt Jethribit, që me ardhjen e Zotërisë së tij alejhis-selam u kthye në Qytetin e Ndriçuar nga dritat dhe rrezatimet e Zotërisë së bijve të Ademit! Kjo është nata e historisë, nata e madhnueshme, në të cilën krenaria e Islamit dhe muslimanit u lartësua në vendin më të lartë, atë të lirisë dhe dinjitetit!”
Më pas, në vazhdën e dersit të përjavshëm, vaizi i xhamisë Tophanë ka hedhur dritë mbi shumë nga hadithet profetike që paralajmërojnë shenjat e vogla të kijametit. “Shenjat ekijametit ndahen në tre lloje, shenja të shkuara, shenja të vogla dhe shenja të mëdha. Pa u realizuar të voglat, shenjat e mëdha nuk shfaqen. Para se të përmend disa nga shenjat e vogla të përmendura në hadithe të ndryshme, më lejoni të tërheq vëmendjen drejt një fakti të rëndësishëm para duarve të dersit tonë. Kijameti është ekuivalent me prishjen, shkatërrimin, degjenerimin. Kjo do të thotë, se kur dëgjojmë a lexojmë për këto shenja, nuk duhet të bëjmë thjesht rolin e kureshtarit, por ato duhet të na tërheqin vëmendjen drejt ndryshimit, rregullimit e dritësimit të realiteteve që jetojmë. Me fjalë të tjera, shenjat e kijametit na thërrasin për t’u bërë përherë e më shumë thirrës drejt mirësive të besimit, pasi i kemi përvetësuar e praktikuar më parë në veten dhe rrethin ku jetojmë!”- ka thënë në fillim të dersit të kësaj nate Imam Muhamed Sytari.
Në vijim, ai ka përmendur hadithe të ndryshme që paralajmërojnë këtë shenja, të cilat po i rendisim si problematika shoqërore:
- Ndryshimi i balancës shoqërore, duke u bërë beduinët dhe njerëzit e provincave drejtues dhe sundues në shoqëritë njerëzore.
- Shtimi i mosrespektimit të prindërve.
- Shtimi i pasurisë në duart e provincialëve duke u bërë angazhimi i tyre kryesor në jetë ndërtimi dhe garimi në të.
- Vetëmburrja e njerëzve nëpër xhamia.
- Përkushtimi fetar artificial.
- Nënçmimi i besimtarit në familjen dhe fisin e tij. Etj.
Dersi i natës së xhuma vazhdon javë pas jave, çdo të enjte pas namazit të jacisë në xhaminë e Tophanës.


Ahmed Mahiri

Nga dersi ne xhamine Tophane