Shembuj nga dashuria e sahabëve për Profetin (a.s)
("Njerëzit më pranë meje janë të devotshmit, kushdo qofshin e kudo qofshin")
Transmeton Tabaraniu[1] nga Aishja (r.a)
që ka thënë: "Erdhi një burrë te Profeti (a.s) dhe i tha: "O i
dërguar i All- llahut, ti je më i dashur për mua se vetja ime e
fëmija im, saqë kur jam në shtëpi dhe të kujtoj, mezi duroj sa
të vij e të shoh. Por, kur kujtoj vdekjen time e tënden, e di
mirë se kur të hysh në xhennet do të jesh me Profetët, e nëse
unë hyj në xhennet, kam frikë se s'do të të shoh". Profeti (a.s)
s'i ktheu përgjigje, derisa erdhi Xhibrili me këtë ajet: "E kush
do që i bindet All-llahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë
së bashku me ata që All-llahu i shpërbleu: (me) Pejgamberët,
besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë
janë ata!"[2]
Transmeton Bukhariu dhe Muslimi nga Enesi (r.a), se një burrë e
pyeti Profetin (a.s): "Kur do të bëhet Kijameti?" Profeti (a.s)
tha: "Çfarë ke përgatitur për të?" Ai tha: "Asgjë, vetëm se unë
e dua All- llahun dhe të dërguarin e Tij." Profeti (a.s) i tha:
"Ti do të jesh me atë që do."- Thotë Enesi (r.a): "S'jemi gëzuar
për gjë, më shumë se për thënien e Profetit (a.s): "Ti do të
jesh me atë që do". Edhe unë e dua Profetin (a.s), Ebu Bekrin
dhe Omerin, Zoti (xh.sh) qoftë i kënaqur prej tyre, dhe shpresoj
që të jem me ta, për dashurinë që kam ndaj tyre".[3]
Transmeton Tabaraniu dhe Ibnus- Seken, se kur u sëmur sahabiu
Talha ibnul- Bera' (r.a), Profeti (a.s) erdhi për ta vizituar
dhe e gjeti në gjëndje të fiktit, pastaj tha: "Besoj se Talha do
të vdesë sonte, por nëse vjen në vete më lajmëroni". Në mesnatë,
Talha (r.a) u përmend dhe menjëherë pyeti: A s'më ka vizituar
Profeti (a.s)? I thanë: Po, dhe e lajmëruan për kërkesën e tij.
Ai ua ktheu: Jo, mos e lajmëroni në këtë orë, pasi kam frikë se
mos e thumbon ndonjë kafshë a mos i ndodh ndonjë e keqe. Por
nëse unë vdes, i përcillni selamet e mia Profetit (a.s) dhe
thoni të kërkojë falje për mua. Kur Profeti doli për të falur
sabahun, pyeti për të. E lajmëruan për vdekjen e tij dhe fjalët
e fundit që tha. Atëherë Profeti (a.s), ngriti duart dhe u lut:
"O Zot, takoje duke të qeshur e duke i qeshur!".[4]
Transmeton Imam Ahmedi, nga Muadhi (r.a), se kur Profeti (a.s) e
dërgoi në Jemen, doli ta përcillte e ta këshillonte, ndërkohë që
Muadhi qëndronte hipur mbi kafshënm e tij, e Profeti (a.s) ecte
në këmbë pranë tij. Kur përfundoi, Profeti (a.s) i tha: "O
Muadh, ka mundësi se s'mund të më takosh më pas këtij viti, e
ndoshta do të kalosh pranë xhamisë e varrit tim". Muadhi qau me
dënesë për ndarjen nga Profeti (a.s). Pastaj ai Zotëri (a.s) u
kthye me fytyrë nga Medina dhe tha: "Njerëzit më pranë meje janë
të devotshmit, kushdo qofshin e kudo qofshin".[5]
Imam Muhamed Sytari
[1] Marrë nga: "Hajatus- sahabe", i
Shejkh Muhammed Jusuf el- Kandehlevi, v. 2, fq. 317.
[2] Kur'ani: 4:69.
[3] "Hajatus- sahabe", i Shejkh Muhammed
Jusuf el- Kandehlevi, v. 2, fq. 317- 318.
[4] Po aty, fq. 320- 321.
[5] Po aty, fq. 336.